Protesta/ Ish-presidenti Nishani: Prezenca masive e qytetarëve, mesazh i qartë për Ramën

Ish-presidenti Bujar Nishani ka komentuar protestën e opozitës së zhvilluar ditën e sotme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në emisionin “Kjo javë” me gazetaren Nisida Tufa në “News24”, Nishani e vlerësoi masive pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë.

Ai tha se gjatë këtij tubimi u përcollën mesazhet e rëndësishme të qytetarëve, të cilët me prezencën e tyre treguan se duan të punojnë dhe të jetojnë në këtë vend.

“Isha në protestë me shumë miq të mi, kryesisht me miq t vjetër të betejave të mëdha politike të 2005-ës, ku unë nisa rrugëtimin politike për herë të parë, nga zona e Laprakës. U ndjeva mirë nga protesta e sotme, pasi pashë një masivitet, jo për shkak të përcjelljes së asaj që çdo qytetar prezent në këtë tubim kërkonte të përcillte, por për faktin se besoj që një shumicë e madhe e qytetarëve shqiptarë duan të jetojnë në Shqipëri. Këtë e tregoi sot prezenca e tyre sot në protestë. Domethënë në këtë protestë, ishte jo vetëm pjesëmarrja e qytetarëve, por edhe mesazhi i përcjellë prej tyre. Ata thoshin se dua të qëndrojnë këtu, të punojnë në këtë vend, dhe të rritin dhe të shkollojnë në Shqipëri fëmijët e tyre”, tha ish-Presidenti Nishani.

Më tej, ai është ndalur tek situata ekonomike dhe sociale në vend. Nishani tha se Shqipëria ka resurse të mëdha krahasuar me vendet e rajonit, por pavarësisht kësaj, qytetarët shqiptarë kanë një nivel të ulet jetesë. Ai tha se reagimi qytetar ndaj kësaj gjendje, do të bëhet sa vjen edhe më i madh.

“Unë mendoj se lidershipi i sheh gjërat siç e ka botëkuptimin e tij bazuar kjo në parimet që ai beson. Por kur je në poste të tilla, ti duhet të kesh forcën morale, intelektuale, përgjegjësinë institucionale, që të ruash balancat, dhe të kesh edhe kujdesin e një ekuilibri. Këtë e them sidomos kur je në postin e Presidentit, që u në jam përpjekur maksimalisht ta respektoj. Unë them se shqiptarët nuk e meritojnë për asnjë kompromis situatë ku jetojnë,. E kam fjalë për situatën ekonomike dhe sociale ku jetojnë, dhe situatën institucionale në vend. Nuk ka shqiptar sot që nuk bën dallimin midis potencialeve dhe resurseve që ka Shqipëria dhe atë që qytetarët kanë. Krahasoni si janë vendet që na rrethojnë, resurset që kanë dhe mënyrën si jetojnë., kjo nuk pranohet më”, u shpreh Nishani.