Ekstradimi i Seitit, Manjani: Ping-pong i “sikletit”, Prokuroria qartësisht po fajëson veten

Pas pyetjeve publike që i drejtoi pak orë më parë kryeprokurores Arta Marku, ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani vijon të ketë paqartësi për rastin e ekstradimit të Nezar Seitit drejt Italisë, me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë, gjë që ka hapur një debat, pasi për disa ka sjellë pikëpyetje të mëdha.

I njohur si ”Financieri” i Habilajve, Seiti ishte i vetmi i arrestuar në shqipëri, në llogari të hetimeve të Prokurorisë të Katanias, por ndaj tij Prokuroria e Krimeve të Rënda, kishte dhënë masën e ”arrest me burg”.

Duke marrë shkas nga reagimi i Prokurorisë mbi këtë situatë, përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Manjani shprehet se Prokuroria me përgjigjen e saj po fajëson veten.

Reagimi i Ylli Manjanit

Ping-pong i “sikletit”.

 “Për rastin Seitaj, do fillojnë verifikimet”- paska reaguar Prokuroria e Përgjithshme!

Nëse ky është vërtetë qëndrimi zyrtar i Prokurorisë, atëherë prokuroria qartësisht fajson veten!

Prokuroria po na thotë se ka lejuar ekstradimin pa bërë verifikimet e nevojshme! Çfarë do verifikojë më shumë? Mungesën e verifikimit?!

Megjithë respektin, por janë zënë në flagrancë, në një krim kundër drejtësisë!

Kanë larguar nga hetimi penal Shqiptar një person të arrestuar nga gjykata shqiptare!

Përgjegjësi direkt është Prokuroria e Përgjithshme, e cila duhet ta kushte verifikuar para se të ndodhte krimi.

Pa dyshim edhe Ministria është indirekt pëgjegjëse. Personi i ekstraduar ishte në paraburgim due jo qytetar i lirë. Kishte informacion zyrtar aty për arësyen e mbajtjes në paraburgim!

Megjithatë, për korrektësi le të presim edhe verifikimin “post krim” të Prokurorisë.

Shpresoj të mos katandiset në ping-pong përgjegjësish, por të përfundojë në prerje mandatesh arresti.

Gjithmonë nëse i ekstraduari ishte nën hetim nga Prokuroria jonë.