Bashkia kërkon që shtëpia e Kadaresë dhe Agollit të bëhen muze

Bashkia e Tiranës kërkon që dy apartamentet e shkrimtarëve Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli t’i vendos në inventarin e pasurive të paluajtshme dhe t’i kthej në shtëpi muze, të hapura për publikun dhe vizitorët.

Shtëpitë e tyre janë në të njëjtin pallat; në katin e 3-të familja Kadare dhe në Katin e 4-të familja Agolli. Objekti që ndodhet në Qendër të Tiranës, në vetvete mbart gjithashtu një histori. Maks Velo e projekti pallatin në vitin 1972, dhe u burgos 10 vjet për shkak se objekti u pa me dyshime nga regjimi i diktaturës kundër rrymës arkitekturore të sistemit; që lidhej me modernizimin e formave të kubit dhe ishte pallati i vetëm me oxhak.

Nga fasadat komuniste, sot të dalë boje e të amortizuara, Bashkia synon ta kthejë në pjesë të trashëgimisë së qytetit. Por duket se kjo ide, është e dhimbshme të venë e Dritëroit. Sadijen e gjetëm në shtëpinë që për të çdo objekt, dedikim, dhuratë përmban emocione të veçanta.

Dritëro Agolli ka një vit që është ndarë nga jeta, por bashkëshortja e tij thotë se ende nuk është mësuar me këtë humbje. Pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit Sadija ka qëndruar larg kamerave dhe aparateve fotografik, ndaj kërkoi me ngulm që xhirimet tona të fokusoheshin më tepër tek kujtimet e shtëpisë. “Le të ndërtohet diçka tjetër, një muze me piktura, një bibliotekë më librat e tij, por vdekja me largon nga kjo shtëpi”, shprehet Sadija.

“Nuk e përballoj as fizikisht dhe as nga ana psikologjike. Nuk bëhet dot”. Shtëpia nuk ka simbolikën e aspekti material për të, ajo ka një jetë të kaluar së bashku me familjen, e kjo duke qartë në çdo kënd të dhomës. E ndërsa ia lë në dorë trashëgimtarëve të saj të vendosin për fatin e banesës, Sadija vijon rrëfimin derisa ne largohemi.

”E kanë bërë me gurë lumi dhe kanë bërë portretin e Dritëroit”,-thotë Sadija. Shqiptarët dhe jo vetëm, të gjithë dashamirësit dhe kuriozët për të vizituar shtëpitë e shndërruara në muze duhet të presin negociatat e kryetarit të bashkisë së Tiranës me familjet Kadare dhe Agolli pas kërkesës së këshillit bashkiak. /Ora News/