Përleshja në seancë, Kryemadhi: Ju falenderoj që më keni thirrur para Byrosë Politike…

Konfrontimet, rrëmuja, rrëmbimi i kartave të votimit, sharjet etj., gjatë seancës parlamente të 18 Dhjetorit, ku u zgjodh kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, ka qenë objekt debatesh në mbledhjen e Byrosë së Kuvendit, e mbajtur në datën 21.12.2017, ne te cilen u moren masa ndëshkimore ndaj deputetëve të përfshirë në akte dhune.

Në fillim, deputetja Vasilika Hysi ka paraqitur një raport të hollësishëm, duke listuar sjelljet e konstatuara për secilin deputet dhe shkeljet e rënda të rregullores. Gjatë mbledhjes, shtatë deputetët e ndëshkuar për përfshirje në akte dhune, kanë dhënë versionin e tyre para kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçit dhe anëtarëve të tjerë të Byrosë.

Duke iu referuar procesverbalit, i zbardhur ekskluzivisht nga Shqiptarja.com, deputetët e akuzuar, i kanë justifikuar veprimet e tyre me betimin që kanë bërë si deputetë, me mbrojtjen e Kushtetutës dhe ligjshmërisë. Gjatë diskutimeve, deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj tha se ishte fyer rëndë nga ministri Ditmir Bushati.

Deputetja pohoi se i kishte thënë ministrit se ishte gruan, por përgjigja e tij, sipas deputetes ishte aq e rëndë saqë Bushati duhej të përjashtohej katër vite nga parlamenti. Ndërkaq, nga të gjitha deputetët, vetëm ligjvënësi socialist Bujar Çela është penduar për përplasjen fizike me deputeten Mehmetajn. Nga ana tij, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ia kë ftuar deputetët që të reflektonin dhe të bënin autokritikë, për t’i shpëtuar ndëshkimit.

Debatet në Byronë e Kuvendit, rrëfimi i deputetëve të akuzuar për dhunë

-Gramoz Ruçi: Le të vijë zonja Kryemadhi. Jeni njohur me materialin?

-Monika Kryemadhi: Ju falënderoj që më keni thirrur në gjyqin e Byrosë Politike. Është i njëjti vend dhe e njëjta sallë si para 30 vitesh këtu. Dua të them se në datën 9 shtator kam bërë betimin në Kuvendin e Shqipërisë: ‘Betohem…”. Ky është betimi im dhe marrja e kartave ka qenë për të mos lejuar atë vendim dhe atë votim antikushtues, të paligjshëm, atë tradhti kombëtare, që deputetët e partisë shtet bënë ditën e hënë, në datë 18 dhjetor, në sallën e Kuvendit. Më pas do të kaloj tek çizmja meqenëse e keni me shumë dëshirë. Nuk kam qenë absolutisht emocionale. Ju vetë i vendosët çizmen Kushtetutës shqiptare, i vendosët çizmen në fyt popullit shqiptar dhe demokracisë shqiptare. Besoj se më shumë se të gjithë, vetë anëtarët e PS e dinë se çizmja është simbol i fashizmit dhe nazizmit që kanë pushtuar Shqipërinë.

-Alket Hyseni: Mendoni se jeni në përputhje me betimin që thatë dhe a keni bërë shkelje?

Monika Kryemadhi: Jam në përputhje të plotë, z. Hyseni. Përparimi i atdheut dhe mirëqenia e popullit tim nuk janë droga dhe krimi i organizuar.

-Gramoz Ruçi: Të njoftohet deputeti Braimllari. Dëshironi të shpreheni rreth kësaj kërkese?

-Endrit Braimllari: Çdo gjë që ndodhi ka të bëjë me ngjarjen që i ndodhi deputetes Fluida Kërpaçi. Habitem që sot nuk është i ftuar ministri i Jashtëm, z. Ditmir Bushati, sepse ka përdorur një fjalor jashtëzakonisht të turpshëm ndaj deputetes së re, Kejdi Mehmetaj. Më vjen turp mua që jam mashkull t’i them ato fjalë. E treta është ngjarja shumë e rëndë që ndodhi me deputeten Mehmetaj, ku u dhunua nga deputeti i Partisë Socialiste z. Çela. Është një gjë që më ka mbetur në mendje si deputet i ri, ku zonja Hysi, si nënkryetare e Parlamentit, përmendi emrin e një gjyqtari sikur ai të ishte im atë dhe më ushtroi presion për pasojat që do të kishte ky njeri. Ima atë nuk është gjyqtar sepse ka një profesion tjetër. Për të tria akuzat, që nga e para nuk kam thënë asnjë fjalë ofenduese ndaj Gardës së Republikës. Unë nuk kam hedhur sende të forta si shisje në drejtim të drejtuesit të seancës, kryeministrit dhe ministrave. Nuk kam përdorur ndaj Gardës atë fjalë ofenduese në sallë siç thuhet në relacion. Ne nuk kishim asnjë punë me Gardën dhe as me personalin e parlamentit.

-Gramoz Ruçi: Fjalën e ka znj. Kejdi Mehmetaj.

-Kejdi Mehmetaj: Kam një pyetje në radhë të parë. Në cilin moment unë kam ofenduar dhe fyer, se nuk di që të kem bërë ndonjë veprim të kësaj natyre dhe aq më pak të kem dhunuar fizikisht ndonjërin prej deputetëve, se pash që ishte shkruar aty? Mund të më sqaroni dhe pastaj do të kthehem sërish.

-Gramoz Ruçi: Ju lutem! Këtu nuk jeni për të bërë pyetje. Këtu jeni për të dhënë shpjegime.

-Kejdi Mehmetaj: Kjo byro është politike, me disa shokë, që po na kthejnë pas në kohën e komunizmit. Nuk kam ndonjë gjë të madhe për t’u shprehur, por për qytetarët: Të jenë të qartë që asnjëherë nga goja ime nuk ka dalë ndonjë fjalë, që është ofenduese. Prisja që në këtë sallë, para meje, të shikoja ministrin Ditmir Bushati, sepse realisht sjellja e tij ka qenë e pahijshme, por nuk e di se si.. Jo përjashtim me 10 ditë, por përjashtim për 4 vite nuk do të mjaftonte. Që të jem e sinqertë, i vetmi fjalor i pahijshëm që mund të kem përdorur është kur i kam thënë Bushatit: Ti nuk je burrë, por je grua, se po të ishe burrë nuk do të përdorje një fjalor të kësaj natyre në parlament”. Për këtë mbaj përgjegjësi. Nga ana tjetër, për veprimet e tjera që kam kryer në parlament, unë jam betuar në Kushtetutë dhe pasi jam betuar, jam betuar pikërisht për ta mbrojtur atë në radhë të parë. Ndaj, veprimi i heqjes së kartave, madje ka qenë i paktë, se shumë karta sa kam hequr duhet të kisha hequr, që të pengoja deputetët që të mos thyenin Kushtetutën. E dyta, fjalët që i kam thënë kryeministrit. I kam thënë: Je i lidhur me bandat. Je i lidhur me krimin.

-Besnik Baraj: Në qoftë se unë, nesër, do vijë momenti që ju jeni duke votuar një projektligj, vijë dhe u marr me forcë kartën e votimit, si do të reagonit?

-Kejdi Mehmetaj: Më vjen mirë që e pohuar me pyetjen e bërë se, se vepra fizike e të lëvizurit të një sendi nga një vend në një vend tjetër qenka e barabartë me dhunën fizike dhe verbale që kolegu juaj përdori kundrejt meje. Në qoftë se ju i barazoni këto të dyja, ky është qëndrimi juaj. Unë kartat nuk i mora në shtëpi dhe as nuk i mora me vete, as nuk bëra veprimin që bëri z. Balla, që mori kartën e kolegut dhe votoi për vete.

-Gramoz Ruçi: Të njoftohet Ervin Salianji. Jeni thirrur sipas rregullores për të dhënë mendimin tuaj në lidhje me një kërkesë që është bërë lidhur me sjelljen tuaj në seancën plenare.

-Ervin Salianji: Faleminderit, shokë të Byrosë! E gjej pa vend dhe në shkelje të Kushtetutës gjithë seancën e së hënës dhe vendimin që keni marrë për të votuar si kryeprokuror Edi Ramën. Për shkak të vjedhjes së kartës, reagimi që kam bërë ka qenë joproporcional, duhet të kisha reaguar më fort, sepse më është mohuar dhe jam privuar nga e drejta për të votuar, duke u paragjykuar në lidhje me votën time. Kam përdorur edhe mjete të tjera, të cilat tregojnë revoltën e qytetarëve dhe unë si përfaqësues i tyre e kam shprehur aty me mjete, të cilat, nga i gjithë relacioni që keni bërë, nuk dëmtojnë. Nuk janë as fishekzjarre dhe as mjete piroteknike siç i quani ju, por janë thjeshtë tymuese, të cilat nuk shkaktojnë asnjë dëm për jetën e askujt sepse unë vetë i kam mbajtur në dorë. Është njësoj sikur unë të vij me një buqetë me lule, siç e keni ju siglën e parisë, ta ngre lart për t’ju thënë se kjo është partia, ose me një degë kanabisi, se mund të gjendet kudo kanabisi, për të thënë se shteti që ju po ndërtoni është një narkoshtet. Për të gjitha arsyet që keni renditur nuk shoh asnjë shkelje të rregullores. Ju thoni se kam shtyrë dhe fyer punonjësit e Gardës së Republikës, është tërësisht e pavërtetë, e kundërta ka ndodhur në Kuvend. Ju u keni bërë thirrje punonjësve të Gardës për t’u larguar, ata kanë dalë apo kanë qëndruar aty duke ndalur deputetin Berisha, po njësoj edhe kryetarin e opozitës. Ne nuk jemi nxënës që për sjelljen na thërret Byroja Politike e shkollës. Nëse ju mendoni se ne kemi bërë dëme, mund të na thoni se ndaj kujt.

-Gramoz Ruçi: Të ftohet Endri Hasa. Ju lutemi shprehi versionin tuaj në lidhje me kërkesën.

-Endri Hasa: Vij këtu në Byronë Politike, në gjyqin që sajoni ju, për të mbrojtur veten nga thyerja e Kushtetutës që keni bërë. Jam betuar në Kushtetutë se do të mbroj dhe se do të përfaqësoj zgjedhësit e mi. Ato që keni shkruar sa i përket rrezikshmërisë së njerëzve janë të pavërteta. Asnjëherë nuk është dhunuar dhe fyer Gara e Republikës. Përkundrazi, Garda, me kërkesë të Edi Ramës, ka dhunuar fjalën e lirë, i ka mohuar fjalën një deputeti. Garda e Republikës është bërë dhunuese e përfaqësuesve të popullit. Është e turpshme ajo që keni bërë në seancën e fundit.

-Gramoz Ruçi: Të vijë Flamur Noka. Jeni të lutur të shprehni pikëpamjen tuaj në lidhje më këtë çështje.

-Flamur Noka: Kur jam zgjedhur kam bërë betimin se do të mbroj Kushtetutën. Ajo që kemi bërë atë ditë, nuk ishte as më shumë dhe as më pak, por një sakrificë minore e deputetëve, për të mbrojtur Kushtetutën. Nëse për të mbrojtur Kushtetutën un i paskam devijuar rregullores tuaj, kjo është çështja jua. Unë do të vazhdoj të luftoj për të mbrojtur Kushtetutën. Nëse ven momenti se cili duhet dënuar, ai që duhet dënuar jeni ju, pasi keni shkalur me të katër këmbët Kushtetutën. Duhet të dënohet kryeministri që e shkel vazhdimisht. Këto kërkesat e vazhdueshme për përjashtime, bëjnë që ju të na shihni sikur jemi armiqtë e popullit dhe të partisë. Nuk kam asnjë shqetësim nga reagimet e herëpashershme të Byrosë Politike të Edi Ramës. Ju duhet të kishit reaguar dhe në vendin tim këtu, duhet të ishit ju, sepse ju i dhatë fjalën ish-kryeministrit dhe kryeministri i bëri shenjë Gardës që futej dhe ta bllokonte.

-Gramoz Ruçi: Të vijë deputeti Bujar Çela. Një deputete të ka tërhequr kartën e votimit, ju keni reaguar me violencë ndaj saj, veprim ky që është i papajtueshëm me Rregulloren, lidhur me sjelljen e deputetëve. Unë i kam kërkuar Kuvendit që t’ju ndëshkojë.

-Bujar Çela: Unë ndihem i penduar në lidhje me veprimet ndaj një femre, por, në fund të fundit, unë jam në atë sallë për të ushtruar të drejtën, për të votuar dhe për të përfaqësuar njerëzit që më kanë zgjedhur. Jam i penduar. I kërkoi falje Kryesisë së Kuvendit në lidhje me veprimin e kryer, por unë isha fundi, jo fillimi.

-Gramoz Ruçi: Vetëm një gjë do t’ju thosha, se qeshët kur i thash ‘bëtë autokritikë’. Është përcaktuar në rregullore që në qoftë se deputetit i jepet një masë, qoftë në seancën plenare, qoftë me përjashtim, dhe ngrihet dhe bën autokritikë, absolutisht i hiqet masa, me rregullore.

-Edi Paloka: Duhet që në atë pjesën humoristike të kësaj mbledhje të kishit thirrur kreun e grupit parlamentar socialist që të bënte edhe ai autokritikë për vjedhjen e kartave, se kjo logjika është shumë interesante ‘se mua ma vodhën kartën dhe unë ua vodha të tjerëve’. Megjithatë, duke lënë mënjanë këtë pjesën komike, ata që duhet të dënohen jeni ju dhe kryeministri i vendit, që urdhëroi Gardën e t’i hiqte të drejtën e fjalës një deputeti. Nuk ka rëndësi nëse ishte Sali Berisha apo jo, ju dha fjala një deputeti dhe vetëm me një urdhër të frikacakut që keni kryeministër, Garda doli dhe i pengoi fjalën.

-Ervin Bushati: Nëse LSI e pranon se është emocional si veprim dhe përdor mjete rrethanore, mua më duket e papranueshme sjellja e Partisë Demokratike, e cila me plan ka futur mjete brenda sallës së Kuvendit. Tani, janë luftarake, janë tymuese, janë cirku, ne nuk jemi ekspertë, dhe as zotëria nuk është ekspert, që ajo bën vetëm tym dhe nuk është e dëmshme për deputetët. Se sa e dëmshme është, nuk e di. Ka pasur ndonjë proces tenderimi? I kanë bërë analizat? Kërkoj që të shikohen edhe hapa ligjore, për të parë se si janë mbledhur, kush i ka mbledhur, ku ua ka shitur dhe kush ua ka dhënë. Të paktën sipas gjykimit tim, dukeshin me sy se ishin një markë prodhimi.

-Gramoz Ruçi: Nuk po diskutojmë për masat tani.

-Alket Hyseni: Unë mendoj se për 7 deputetët, për të cilët është kërkuar marrja e masave, nuk duhet të kemi asnjë hezitim. Nga ana tjetër, me një standard krejtësisht tjetër, duhet të përshëndes veprimin e kolegut Bujar Çela, i cili edhe pse ka qenë në kufijtë e kapërcimit të mbrojtjes, (unë isha dëshmitar kur deputetja Kejdi Mehmetaj, me veprime dhe me një fjalor, ndërhyri dhe tërhoqi kartat e z. Çela, Shameti dhe kartën time dhe i hodhi në tokë), dhe në momentin që z. Çela u përpoq të merrte kartën në tokë, ajo tentoi përsëri që t’ja marrte. Në mbrojtje e sipër nuk ka pasur goditje, por ka pasur një kapje për krahu për të mbrojtur kartën që të mos ia merrte për herë të dytë. Megjithatë, duke qenë se ka sensibilitet çështje e ushtrimit të dhunës ndaj një femre, është për t’u përshëndetur fakti që ai ka bërë autokritikë. Unë mendoj që të mos marrim masë disiplinore ndaj z. Çela.

-Vasilika Hysi: Në radhë të parë, do të doja të saktësoja edhe për kolegët se z. Salianji, i cili pretendon se iu vodh karta dhe më pas ka reaguar, nuk është e vërtetë. Veprimet e dhunshme janë kryer para se të fillonte procesi dhe janë më se të dukshme faktet se ai kishte në dorë dhe nxirrte nga çorapet dhe nga poshtë pantallonave flakadanët.

-Besnik Baraj: Unë desha të them vetëm dy fjalë, në lidhje me fakti se pjesa më e shëndoshë dhe shumica e opinionit publik e ka parë këtë ngjarje me neveri. Ajo që më bën përshtypje është kërkesa e kolegëve të opozitës sot për të ritransmetuar ngjarjen. Është njësoj si të kërkosh që një gjellë e prishur, që i shkakton neveri publikut, ta rifusim sërish.

/shqiptarja.com/