Takohen në Ohër tre ministrat shqiptarë të diasporës

Ministrat e Diasporës së Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës, Pandeli Majko, Edmond Ademi  dhe Dardan Gashi zhvilluan një takim trepalësh në Ohër.

Ata vlerësuan se bashkëpunimi në fushën e diasporës është i dobishëm dhe një fushë e rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit midis tre shteteve në rajon.

Takimi i Ohrit u konsiderua si një fillim i rëndësishëm për të nxitur veprim të përbashkët në forcimin e lidhjeve midis vendeve në kuadër të procesit të integrimit euroatlantik. Ministrat përshëndetën vendimin e fundit të Parlamentit të Maqedonisë për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe si një akt që i jep kredibilitet bashkëpunimit të ngushtë midis tre vendeve.

Ministrat ranë dakord të kryejnë vizita të përbashkëta në SHBA, Gjermani dhe vende të tjera për të takuar komunitetet e diasporës. Ata u dakordësuan gjithashtu, që veprimi i tyre i përbashkët të vazhdojë dhe të jetë përfshirës me marrëveshje reciproke edhe për palë të tjera të interesuara në rajon.