Shkullaku: Pse refuzova ofertën e ”Topit”; Ja pse Rama na quan ”kazan”

I ftuar dje në forumin e organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës, të moderuar nga drejtuesja e Departamentit të Komunikimit, Belina Budini, gazetari Armand Shkullaku u ndal tek evolucioni i medias tradicionale, që ka nisur një rënie të pandalshme qysh prej vitit 2001, theksoi ai.

”Këto media u krijuan sepse i duheshin politikës për t’i përdorur. Ishte koha ku një gazetë ishte baras me një tender, me një pallat etj. Gjithçka u bë e bleshme. U ndanë pasuritë publike; Kinostudio, Uzina e Autotraktorëve, Pallati i Sportit, iu dhanë mediave nga qeveria si shpërblim për shërbimin që bënë. Madje edhe nga buxheti i shtetit u morën 700 milionë lekë për një fushatë kundër drogës dhe ato para iu dhanë televizioneve”,-tha Shkullaku.

Ai shtoi se në ato kohë nuk u konceptua si industri fitimprurëse nëpërmjet asaj që prodhonte media vetë, por si aksesor për një biznes tjetër më të madh. Media si industri dëmtoi median si besueshmëri, që për një gazetar shihet si investimi më afatgjatë, shkruan ”Mapo”.

Duke e rikthyer edhe njëherë fokusin te media tradicionale ai tha se rënia e medias dhe zgjedhja nga publiku të lajmeve të karakterit argëtues vjen edhe për shkak të lodhjes.

“Ne flasim edhe shkruajmë, por a jemi në gjendje ta ndryshojmë realitetin. Beson disa vite se një televizion është i djathtë, befas kthehet i majtë e anasjelltas. Ky treg interesash e ka zhvlerësuar edhe fjalën, edhe punën tonë”, -tha ai, ndërsa pranoi se kishte patur një ofertë nga “Top Channel” për post drejtues dhe e ka refuzuar, duke thënë se arsyeja është mungesa e një qëndrimi të konsoliduar nga ana e mediave.

”Unë me vështirësi lëviz, sepse nuk besoj se duke ndërruar mediat mund të shtosh autoritetin dhe besueshmërinë tënde. Kam përvoja në ”Klan Kosova” dhe ”ABC”. Që të ndërtosh diçka duhet besim; te vetja, te projekti, që do kohë. Duhet t’ua ilustrosh njerëzve me të cilët punon, duhet t’i motivosh. Të ndërtosh diçka nga e para dhe pas një viti të të thonë “shih se më thirri Rama dhe u kthyem aty ku ishim. Kam 27 vjet që e kam provuar këtë vazhdimisht. E provova edhe me ABC News, provova të bëj diçka për 4-5 vjet dhe m’u tha që është mirë siç është”,-tha ai, duke mos e mohuar se edhe vetë ka bërë kompromise.