Zhegrova konfirmon ftesën e Panuçit, por fut në “sherr” Shqipërinë me Kosovën

Edon Zhegrova është ende i dyzuar në lidhje me Kombëtaren me të cilën do të luajë në të ardhmen. Talenti kosovar ka marrë një ftesë nga Shqipëria për të qenë në miqësoren e radhës me Norvegjinë. 18-vjeçari e pranon se ndihet i lumtur që u ftua nga trajneri Panuçi, pasi në këtë mënyrë po i vlerësohet puna që po bën në klubin belg, Genk.

“Panuçi më ka ftuar për të luajtur në Kombëtaren A me Norvegjinë në Elbasan. Jam shumë i lumtur dhe më ka ardhur shumë mirë që më ka ftuar, pasi me këtë rast po shihet puna ime që po bëj. Sidoqoftë, këto ditë do t’i kthej përgjigje”, ka thënë ish-futbollisti i Flamurtarit dhe i Prishtinës për “Zërin”.

Zhegrova është shprehur se deri tani nuk ka marrë ende ftesë nga verdhekaltrit. “Mua nuk më ka ftuar Përfaqësuesja A e Kosovës. Kam marrë ftesë veç nga Kosova U-21 për ndeshjet e marsit. Unë do të vendos brenda 2-3 ditëve. Shumë shpejt do të dal me një qëndrim”, u shpreh mesfushori.

Drejtuesi e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) nuk kanë ndërmend të rrinë duarkryq për rastin e Zhegrovës. Ata kanë paralajmëruar se do të takohen me drejtues të FSHF, me të cilët do të diskutojnë rreth ftesës që e mori së fundmi Zhegrova nga Kuqezinjtë.