“S’pamë Rilindjen, por po shohim vdekjen”, banorja e Vërrisë letër të hapur Ramës

Për ndërtimin e ineceriatorit në Vërri të Fierit së fundmi një banore  e këtij fshati i ka dërguar një letër të hapur Kryeministrit Rama.

Padyshim e shqetësuar Jonida Tashi i ka kujtuar Ramës se gjatë zgjedhjeve ky i fundit iu kishte premtuar se nuk do të ndërtohej aty një impinat plehrash.

“Para zgjedhjeve të fundit parlamentare, ju zoti Rama iu premtuat banorëve në një takim me të dërguarin tënd Armando Subashi se impianti i mbetjeve, incineratori apo ca të duash quaje ti atë dreq vepre, që sipas të dërgurve të tu do bëj të mundur që njerëzit të mos ikin më në Gjermani, Francë apo gjetkë, por do të hanë me lugë floriri, nuk do të bëhej pa miratimin e tyre.
Por pak muaj pas fitores tuaj në zgjedhje, padyshim bashkë me votat e atyre fshatarëve prej vitesh socialistë që sot Policia e Shtetit tuaj po i tërheq zvarrë, sërish banorëve iu riktheve më të madhin stres në jetën e tyre të mundimshme mes varfërisë, mungesës së punës, se të flasësh për infrastrukturë e bujqësi që edhe pa ndihmë po përpiqesh tua shkatërrosh, sigurisht është “s’keni parë asgjë akoma”.”, shprehet Tashi.

Ajo shton më tej se shteti nuk mund të mbahet me dhunë banditeske të ushtruar drejt njerëzve të dobët.

“Nëse ju reformën e shumëpritur në Drejtësi po e nisni kriminelët e Verrisë, se peshqit e mëdhenj ju kanë ngecur në fyt, kjo nuk është drejtësia që presin njerëzit, por më e madhja padrejtësi që ju me keqqeverisjen tuaj u keni kanosur. Po kërkoni tu hiqni bukën e gojës, ku toka është e vetmja mënyrë që ata kanë për të mbijetuar dhe ndaj ata banorë sot ulërasin jo se kundërshtojnë projektet tuaja madhore për pastrimin e vendit, që në fakt është qelbur nga fundi në krye.
Në vajtimin tënd të përvitshëm për viktimat e 21 janarin, ju zoti Rama pranuat se sa shumë mallkojnë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi për mungesën e drejtësisë. Sot, ata njerëz në atë fshat të vogël të Verrisë, po ju mallkojnë 10-fish, jo më shumë për padrejtësinë e Sistemit të Drejtësisë, por për padrejtësinë tuaj të madhe!” përfundon qytetarja.

LETRA E PLOTË:

Kriminelët e Verrisë dhe drejtësia e Ramës!
Nëse një ditë pas vajtimit të 4 viktimave, “dëshmorëve” tuaj të 21 janarit, Ju me Subashin tuaj nuk do të kishit dërguar Policinë e Shtetit për të ushtruar dhunë dhe terror në atë zonë, pak kush do ta dinte se në Fier ekziston një fshat i vogël me emrin Verri, ku zotëria juaj po kërkon t’u hap një varr të gjallë banorëve. Para zgjedhjeve të fundit parlamentare, ju zoti Rama iu premtuat banorëve në një takim me të dërguarin tënd Armando Subashi se impianti i mbetjeve, incineratori apo ca të duash quaje ti atë dreq vepre, që sipas të dërgurve të tu do bëj të mundur që njerëzit të mos ikin më në Gjermani, Francë apo gjetkë, por do të hanë me lugë floriri, nuk do të bëhej pa miratimin e tyre.
Por pak muaj pas fitores tuaj në zgjedhje, padyshim bashkë me votat e atyre fshatarëve prej vitesh socialistë që sot Policia e Shtetit tuaj po i tërheq zvarrë, sërish banorëve iu riktheve më të madhin stres në jetën e tyre të mundimshme mes varfërisë, mungesës së punës, se të flasësh për infrastrukturë e bujqësi që edhe pa ndihmë po përpiqesh tua shkatërrosh, sigurisht është “s’keni parë asgjë akoma”.
Me urdhrin e Subashit tuaj, Policia ka rrethuar të gjithë zonën, për të luftuar kriminelët, që nuk po të kërkojnë asgjë, veçse ti lesh të qetë të vazhdojnë jetën me vuajtjet e tyre të përditshme.
Me shkopinj gome, me terror, me kërcënime, Policia e Shtetit tuaj prej kohësh i ka shpallur luftë banorëve të atij fshati, që ju si shumë fshatrave të tjerë u keni premtuar rilindjen, rilindjen që se panë kurrë në ato anë, ndërsa vdekjen po e ndjejnë shumë pranë.
Me banorët nuk është bërë asnjë takim, aq më tepër të merrej miratimi i tyre, siç mashtron kryebashkiaku juaj, Armando Subashi, i cili prej muajsh i ka kërcënuar dhe sharë ata banorë saqë në një shtet si ai i së drejtës që ju keni plot 5 vite që na flisni, sot do të ishte ai në burg dhe jo banorët që protestojnë për jetën, por që në fakt prishin imazhin e qeverisjes suaj në ERTV live. Me dhunën në Verri, ju zoti Rama, treguat më së miri se si vriten njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, siç i quani ju. Me dhunën në Verri, ju zoti Rama vratë shtetin tuaj, atë shtet që po luftoni me mish e me shpirt për ta rindërtuar në bashkëqeverisjen me qytetarët. E nëse kjo qenka bashkëqeverisja me qytetarët, sigurisht që të gjithë ne nuk paskemi parë asgjë akoma.
Shteti nuk drejtohet me dhunë policore e banditeste, aq më tepër kur kjo iu drejtohet njerëzve më të dobët, që për ju është pak të thuash ua keni çuar thikën deri në palcë. Ua ke çuar me ujin, me rrugët, me pastrimin, me bujqësinë dhe blegtorinë, me mjekësinë falas. Nëse ende nuk e dini, në atë fshat nuk ka mbërritur ende Rilindja juaj zoti Rama. Ata njerëz partia juaj, deputetët tuaj nuk i kanë parë kurrë me sy e as që ua dinë hallet jo më tua zgjidhin.
Nëse ju reformën e shumëpritur në Drejtësi po e nisni kriminelët e Verrisë, se peshqit e mëdhenj ju kanë ngecur në fyt, kjo nuk është drejtësia që presin njerëzit, por më e madhja padrejtësi që ju me keqqeverisjen tuaj u keni kanosur. Po kërkoni tu hiqni bukën e gojës, ku toka është e vetmja mënyrë që ata kanë për të mbijetuar dhe ndaj ata banorë sot ulërasin jo se kundërshtojnë projektet tuaja madhore për pastrimin e vendit, që në fakt është qelbur nga fundi në krye.
Në vajtimin tënd të përvitshëm për viktimat e 21 janarin, ju zoti Rama pranuat se sa shumë mallkojnë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi për mungesën e drejtësisë. Sot, ata njerëz në atë fshat të vogël të Verrisë, po ju mallkojnë 10-fish, jo më shumë për padrejtësinë e Sistemit të Drejtësisë, por për padrejtësinë tuaj të madhe! (/Faxnews)