Homazhe në vendin ku u vra Ariela: Boll krimeve makabër

Në heshtje studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë, marshuan drejt vendit ku jeta e Ariela Muratit u ndërpre në mes nga arma e 23-vjeçarit Aldison Belulaj.

Më pas vendosën qirinj dhe lule pranë Fakultetit të Mjekësisë, ku të dielën e 21 janarit mbeti e vrarë shoqja e tyre Ariela Murati.

“Marshojmë për ti thënë boll krimeve makabër. Jemi pranë prindërve të saj”. Ata mbajnë në duar foton e Arielës, lule dhe kurora.

Ngjarja e rëndë që tronditi kryeqytetin ndodhi para Fakultetit të Mjekësisë rreth pasdites së 21 janarit 2018.

23-vjeçari Aldison Belulaj vrau me armë zjarri 21 vjeçaren Ariela Murati dhe më pas qëlloi edhe veten. Ky i fundit ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spitalin e Traumës.