Kandidati për KLGJ preket nga dekriminalizimi

Pas debatesh të gjata Komisioni parlamentar ad-hoc zgjodhi sot anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë Prokurorisë. Për shkak se emrat nuk arritën të merrnin konsensusin e opozitës (4 nga 5 vota të komisionit) kandidaturat që do t’i shkojnë Kuvendit u përzgjodhën me short.

Përveç 6 prokurorëve që zgjidhen me një procedurë tjetër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbehet nga avokatët: Kozma Jano, Floreta Gjini; nga profesorët: Enejda Sema dhe Mirela Bogdani si dhe nga shoqëria civile u përzgjodh Alfred Balla.

Përveç 6 gjykatësve nga shkallë të ndryshme, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit do të përbëhet nga avokatët: Arben Vani, Sokol Lamaj; nga profesorët: Erjon Muharremaj, Ilir Panda dhe nga shoqëria civile u përzgjodh: Altin Hazizaj.

Nënkryetari i këtij komisioni, Oerd Bylykbashi tha se shorti nuk garanton se janë përzgjedhur kandidatët më të mirë, pasi ata nuk kanë kaluar nga Vettingu duke kërkuar që për kandidatët, të bëhet një analizë para se të çohen në Kuvend.

Dhe në fakt, nga emrat e përzgjedhur nga shorti lapsi.al ka siguruar të dhëna për anëtarin e shoqërisë civile në KLGJ, Altin Hazizaj. Për të në raportin e paraqitur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit thuhet se rezulton i padënuar më parë (foto poshtë).

Kështu shprehet edhe vetë Hazizaj në formularin e tij të vetëdeklarimit që mesa duket administrata e Kuvendit e ka marrë të mirëqenë.

Por ndryshe thuhet në raportin e hartuar nga Sektori i Dekriminalizmit në Prokurorinë e Përgjithshme që ka hapur dosje për të gjitha kandidaturat e paraqitura në Kuvend. Në raportin që lapsi.al disponon thuhet ndër të tjera se: “Për subjektin Altin Hazizaj ka një dënim penal të formës së prerë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Subjekti me vendimin nr. 603 datë 24.07.1996 është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me 5000 lekë gjobë për veprën penale të parashikuar nga neni 236/1 i Kodit Penal “Kundërshtimi i punonjësve të policisë dhe rendit publik”. Këto të dhëna janë të pasqyruara dhe në Dëshmitë e Gjendjes Gjyqësore Nr. 11, datë 20.07.2017, përcjellë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me shkresën nr. 3219 prot. datë 20.07.2017”.

Një dënim me gjobë nuk përbën pengesë për të hyrë në administratë apo dhe për tu bërë pjesë e organeve të reja të drejtësisë, por problemi qëndron diku tjetër.

Hazizaj i është përgjigjur me “Jo”, pyetjes nëse ka qenë ndonjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar apo i huaj në formularin e vetëdeklarimit. Të gënjesh në formularin e vetëdeklarimit është shkelje ligjore. Kjo thuhet edhe në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme që disponon lapsi.al.

“Fakti që në formular, nuk është pasqyruar asnjë e dhënë e përcjellë në lidhje me, vendimin penal të formës së prerë dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e bën këtë subjekt, të përfshihet në kushtet e ndalimitduke passjellë përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo nga funksioni publik” – thuhet në dokument i cili mbyllet me konkluzionin se: “subjekti deklarues Altin Hazizaj kandidat për anëtar të KLGJ-së nga shoqëria civile, përfshihet në fushën e veprimit të Ligjit Nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Tani i mbetet në dorë Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku të vendosë nëse do të kërkojë heqjen e kandidaturës së Altin Hazizajt për anëtar i Këshillit të Lartë të Gjyqësorit. ©LAPSI.al