Çorba e reformës

Nje punetore, duke pastruar gjate Analizes Vjetore te Drejtesise ne Shqiperi 2015, me teme "Reforma ne Drejtesi, Sfida e te Sotmes, Garancia e se Ardhmes", ne Pallatin e Kongreseve. /r/n/r/nA worker, during the Annual analysis of Reform in Justice in Albania in 2015, at Congresses Palace.

Janari ishte shpallur muaji i kapjes së peshqve të mëdhenj nga reforma në drejtësi, por në vend të aksionit të drejtësisë, reforma ka mbetur në pellgun e politikës. Afatet për ngritjen e institucioneve të reja janë shkelur jashtë çdo limiti. Ndërkohë emërimet e para të njerëzve që do të jenë në këto institucione kanë sjellë pështjellim të situatës dhe replika të forta mes palëve. Zgjedhja e kryeprokurores së re, që nuk është dhe aq e përkohshme, është pika më kritike e debatit. Pas kryeprokurores pritet të ngrihen institucionet si Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ku prokurorja e përkohshme ka në dorë kandidaturat. Për shkak se votat dhe mënyrat sesi u zgjodh kryeprokurorja e re ishin një aksion politik i PS-së, gjithë procesi në vijim i reformës shihet nga opozita si i kompromentuar. Për këtë qëllim, dy partitë kryesore opozitare, PD dhe LSI kërkuan ndryshimin e Kushtetutës dhe zgjedhjen e një kryeprokurori sipas ligjeve dhe Kushtetutës.

Dje këtij debati i është bashkuar dhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë duke mbajtur një qëndrim për të mos vijuar me axhendën e ndryshimit të Kushtetutës. “Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë janë të qarta. Ambasada e SHBA mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit”,- thuhet në reagimin e bërë dje nga SHBA. Është fjala për të njëjtin interpretim nga ekspertët e OPDAT dhe EURLIUS me të cilin PS vendosi të shkarkojë Adriatik Llallën dhe të zgjedh vetëm me votat e PS-së, Arta Markun. Në këtë mënyrë Edi Rama ka marrë një tjetër mbështetje publike për vendimet e tij edhe pse kanë qenë më të diskutueshme se kurrë. Rama bazohet te dy misionet e ekspertëve të huaja, kurse kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili i kujtoi dje se reforma në drejtësi nuk ishte vetëm në dorë të ekspertëve, por edhe të konsensusit politik që garantohet nga Komisioni i Venecias. Institucioni në fjalë u thirr si arbitër ligjor gjatë debateve për reformën dhe të gjitha palët ranë dakord që të zbatoheshin rekomandimet e Venecias.  “Komisioni i Venecias ka kërkuar konsensus për kryeprokurorin dhe përjashtimin e emërimeve politike. Komisioni i Venecias ka folur qartë, asnjë komision ligjesh i kapur apo më keq akoma ndonjë mision i huaj nuk mund të dalë mbi Komisionin e Venecias që është institucioni me autoritar në nivel botëror dhe të cilin e kanë falënderuar të gjithë për reformën në drejtësi në Shqipëri; e kanë falënderuar edhe në shqip edhe në anglisht”,- tha dje kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili.  Në këtë linjë ishte dhe ish-ministri i drejtësisë, Ylli Manjani, i cili në një reagim pas qëndrimit të SHBA-ve deklaroi se Kushtetuta dhe ligjet që u referoheshin EURALIU-s dhe OPDAT u shkelën në mënyrë paprecedentë nga Partia Socialiste. “Ka shumë të drejtë Ambasada kur thotë “Kushtetuta dhe ligji janë të qarta..”. Çështja është se po aq QARTË të dyja u shkelën dhunshëm nga Rilindja! Doni prova? Lexoni ndryshimet në rregullore! Po legalizojnë shkeljet që bënë! Nuk mund të “lahen duart” kaq kollaj nga përgjegjësia”,- shprehet Ylli Manjani.

Ndërkohë që çështja e kryeprokurores për PS quhet çështje e mbyllur, mazhoranca ka nisur aksionin në një tjetër drejtim. Në Parlament është depozituar kërkesa për Ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, një procedurë që në dukje nuk lidhet me zhvillimet e tjera, por indirekt rrëzon gjithë motivin kryesor të reformës në drejtësi. Reforma u kërkua dhe u sponsorizua nga ndërkombëtarët për të kapur peshqit e mëdhenj, pra politikanët. Me rregulloren e re të PS, asnjë prokuror i përkohshëm apo i përhershëm, i SPAK ose i Krimeve të Rënda nuk mund të arrestojë një deputet, pa dërguar më parë provat në Kuvend. Me këtë nismë të PS, gjithë investimi mbi 10 milionë dollarë dhe gjithë struktura e gjykatave dhe institucioneve të reja të reformës në drejtësi dalin jashtë loje. Nëse një deputet është apo jo fajtor do të vendoset në zyrat e Byrosë Parlamentare dhe në votimin e Parlamentit, që gjithmonë merr vendime politike. Ky është një tjetër zhvillim që nuk jep garanci në suksesin e reformës, por vetëm sa komplikon një proces që më shumë se reformë, ngjanë si një çorbë politike.

Mjeshtërisht Edi Rama, për interësin e tij, e ka futur sistemin e drejtësisë në kolaps total. Gjykata Kushtetuese e cila duhet të rregullojë difektet apo të bllokojë lojërat e mazhorancës në aplikimin e Reformës është nxjerrë jashtë loje. Krejtësisht me hile dhe e menduar mirë nga PS. Sot Kushtetuesja nuk funksionon pasi nuk ka numrin e duhur të anëtarëve për të marrë vendime. Dhe për këtë PS punon që ajo të mos ngrihet derisa të mbarojë punë me kapjen e krejt sistemit të drejtësisë.

Një çorbë e madhe, ku përfiton vetëm qeveria.

Q.Xh.