Vrasja e Oliver Ivanoviç dhe hija e Franc Ferdinandit nëpër Ballkan

Nga Alfred Peza

Vetëm pak ditë pas përfundimit të luftës në Kosovë, hyrjes triumfuese të çlirimtarëve në Prishtinë dhe pritjes së ushtarëve të NATO-s si heronj të vërtetë nga shqiptarët e Kosovës, kam patur rastin ta takoja Oliver Ivanoviçin. Eshtë një nga ato takimet rastësore që të sjell fati, por që mjafton për tu ruajtur si një kujtim që të del përpara, sa herë që ish lideri politik i serbëve në Kosovë, shfaqej e rishfaqej përgjatë këtyre viteve nëpër media, kryesisht sa herë kishte zgjedhje apo tensione në veriun e Mitrovicës veçanërisht.

Kam patur rastin të jem pjesë e një delegacioni zyrtar nga Shqipëria, të përbërë nga deputetë dhe gazetarë, në Beogradin kur çatitë e godinës së partisë së Millosheviçit, një a më shumë ura mbi Danub, godina e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe dhe ajo e radiotelevizionit shtetëror, nxirrnin akoma tym. Kishin qenë disa prej shënjestrave të bombardimeve të avionëve të NATO-s në fushatën për ta detyruar kasapin e ish Jugosllavisë së mbetur, që të dorëzohej. Vizita e këtij delegacioni të pazakontë, në një kohë atipike, u bë lajm i parë në edicionet e asaj dite në Serbi dhe gazetarët vraponin të intervistonin pjesën politike të delegacionit.

Ishte viti 1999. Na kishin sistemuar për të qëndruar në një nga hotelet e qëndrës në sheshin “Republika”, ku rinia mblidhej gjatë maratonës së protestave kundër Millosheviçit dhe në mbrëmje na thanë së do darkonim në një nga restorantet e rrugës “Shkodrane” në Beograd. Ishte një nga ato ambjentet tipike ballkanike me ushqim tradicional dhe muzike live nga një orkestër që luante në mos gaboj muzikë popullore, me motive nga ato që kishim dëgjuar rëndom tek “Pozdravi”. Udhërrëfyesi ynë atje ish një personalitet i gazetarisë së ish Jugosllavisë, ish drejtori deri në vitet ’90 I agjensisë shtetërore të lajmeve “Tanjug”.

Kur ishim rehatuar dhe po porosisnim, na u afrua ku qëndronte i ulur disa tavolina më tutje, Oliver Ivanoviçi. E kishim hasur emrin dhe imazhin e tij gjatë raportimeve për zhvillimet para dhe pas luftës. Pasi na përshëndeti të gjithëve, kërkoi të na qerasë dhe iu lut orkestrës që të afrohej pranë nesh që të këndonte një këngë posaçërisht “për miqtë e mij shqiptarë”.

Të gjitha këto mu rikujtuan sapo mësova lajmin për vrasjen e tij në Mitrovicën e Veriut në Kosovë dhe nuk e di pse ky kujtim i 19 viteve më parë, më çoi pak më tutje në kohë dhe hapësirë. Duke më rikthyer rreth një shekull më pas në 28 qershorin e vitit 1914, në Sarajevë dhe duke u munduar që të hamendesoja se kush mund të ishte njeriu që shkrepi 5-6 pumba në trupin e Oliver Ivanoviçit, pikërisht tani. Në këto kohë negociatash të ethshme Prishtinë- Beograd, Athinë- Shkup dhe Tiranë- Athinë e kur Serbia dhe Mali I Zi e kanë tashmë një deadline për tu bërë shtete anëtare të Bashkimit Europian. Kur Shqipëria pritet të mari një datë për hapjen e negociatave me BE dhe kur Kosova ndodhet në dilemën e madhe të pranimit apo shfuqizimit të Gjyaktës Speciale për krimet e pas luftës në Kosovë.

Jemi vërtetë ende në zonën e fillimeve të një shekulli të ri, por me probleme, dilmma dhe sfida të vjetra në këtë cep të Europës Juglindore. Një shekull më parë vrasjen e trashëgimtarit të perandorisë Austro -Hungareze ia besuan një serbo boshnjaku si Gravrilo Princip, aktin e të cilit e përdorën si sebep për fillimin e Luftës së Parë Botërore. Ndërsa tani, edhe nëse kjo vrasje nuk përdoret si sebep për të filluar Luftën e Tretë, me siguri do të shërbejë si shkak për të rikthyer destabilitetin dhe trazirat siç edhe kanë paralajmëruar vetëm pak kohë më parë amerikanët. Kjo është prova dhe sfida më e madhe e efikasitetit ose jo të shtetit të brishtë të Kosovës, për një ngjarje që ka ndodhur jashtë territorit që ajo kontrollon, por brenda kufijve të saj zyrtarë. Zbardhja sa më parë e atentatit, identifikimi dhe kapja e autorëve, në bashkëpunim me shërbimet partnere, është një detyrë më shumë se policore dhe hetimore. Për të shkuar madje, sa më shpejt deri tek urdhëruesit e kësaj vrasje të kalkuluar, më shumë se politike e lokale.

Vetëm pak kohë më parë, në Malin i Zi u tentua eleminimi i Milo Gjukanoviçit, njërit prej politikanëve më të rëndësishëm të dy dekadave të fundit atje, kur Podgorica ishte në prag të anëtarësimit në NATO. Vrasësit po gjykohen. Hetimet dhe rrefimet e tyre të çojnë deri në Moskë.

Hijet e vjetra kanë filluar të enden duke u shfaqur përsëri në gadishullin e vjetër që po mundohet të bëhet gjithnjë e më pak problematik. E nëse baruti duket se është lagur në Ballkan, fuçia e vjetër, duket se ka mbetur. E bashkë me të, sot u rishfaq në Mitrovicën e Veriut, edhe hija e Gavrilo Principit që ka një shekull që endet në këto anë. Duke na kujtuar Franc Ferdinandin, e duke eleminuar Oliver Ivanoviçin, një mikun e shqiptarëve./Alpenews.al