27 janari si fillim pa ndalim, ndryshe…

Opozita me 27 janar zhvillon protestën e saj të parë për këtë vit dhe ka premtuar se do ketë shumë qytetarë jo vetëm opozitarë, por edhe socialistë të pakënaqur nga reformat dhe korrupsioni qeveritar.

Megjithatë mbetet të shikojmë numrin e tyre, vendosëmrinë dhe  drejtimin që do i japin dyshja Basha-Kryemadhi datës 27 janar. Shumë pikëpyetje kanë filluar tashmë. A do jetë vetëm një protestë numrash,  e cila fillon në ora 12.00 dhe mbyllet në ora 14.00 e ku sejcili kthehet në shtëpinë e tij, me ato halle që ishte nisur për protestë dhe pa një një shpresë së do të mblidhen prapë pa ndalesë apo  lidershipi opozitar do jetë i vendosur për ta rrëzuar kryeministrin me popull duke kaluar në protestën e radhës pa ndalim te kryeministria?

Opozita thotë se varfëria është rritur, kurse qeveria deklaron se papunësia është ulur, mirëqënia vetëm rritet, pensionet shtohen. Kjo do duket me 27 janar, sido të jetë shi apo diell. Nuk pritet të bëhet nami me 27 janar, por fryma mjafton të shikohet nëse është radikale për përmbysje qeverie apo vetëm lidershipi opozitar vetëm do kënaqet që folën me mikrofon dhe dalin në darkë në televizor.

27 Janari po vjen, ndërkohë akoma në seancat parlamentare PD-LSI janë si të ftohta, pa nerv dhe pa shpirt proteste. Liderët flasin, i kërcëllojnë dhëmbët kryeministrit Rama, i cili qesh e përqesh.

Në kohën e Berishës, pra kur ishte PD në opozitë, Saliu e karikonte situatën para mitingut dhe njerëzit turreshin për në protestë. Pak veta si fillim, por të merrnin gjak në vetull opozitarët, aqsa kryeministri i radhës nuk kalonte fare nëpër Tiranë ose strehohej në Dajt. Dhe kështu shtoheshin protestuesit, duke bërë që Tirana të tundte e frikësonte qeverinë.

Kishte dhe përplasje, por janë normale në një demokraci ende në zhvillim.

Ndërsa për 27 janarin Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi po takojnë e mbledhin forcat njerëzore, por akoma  duhet frymë përballje e jo takimi opozitar.