Vrasja e Ivanoviç. Presidenti Meta: Ky akt kriminal të mos ndikojë në dialogun Serbi-Kosovë

Autoritetet më të larta të shtetit shqiptar kanë dënuar ngjarjen e ndodhur në Mitrovicë, ku në rrethana ende të paqarta u vra politikani lokal serb, Oliver Ivanoviç. Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kryetarja e LSI dhe politikanë të tjerë e kanë cilësuar këtë ngjarje si një akt kriminal. Ndërkohë në një qëndrim klasa politike në Tiranë u ka bërë thirrje Serbisë dhe Beogradit që të vazhdojnë dialogun e nisur në Bruksel, duke e vlerësuar si një zhvillim të rëndësishëm për gjithë rajonin.

Ndërkohë në Prishtinë, Presidenti Hashim Thaci, Kryeministri Ramush Haradinaj u kanë bërë thirrje institucioneve të vendit të zbardhin sa më parë ngjarjen dhe të dënojnë autorët. Po sot, Kryeministri Serb Aleksandër Vuçiç në një deklaratë urgjente për mediat e cilësoi ngjarjen si akt terrorist. Ekipi negociator i Serbisë u tërhoq nga bisedimet me Kosovën në Bruksel. Ende janë të paqarta motivat e kësaj vrasje, por efekti i parë i saj është dëmi që i bëhet procesit të bisedimeve Serbi-Kosovë.

Autoritet ndërkombëtare, SHBA dhe BE kanë reaguar ashpër për vrasjen duke e cilësuar si një akt që duhet dënuar. Ndërkombëtarët gjithashtu kanë bërë thirrje për vazhdimin e dialogut.

Presidenti Meta dënon ashpër aktin kriminal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, shpreh keqardhjen e thellë dhe dënon ashpër vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Liderit të Iniciativës  Qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, Oliver Ivanovic.

Presidenti Meta shpreh gjithashtu besimin se autoritetet përkatëse do ta zbardhin sa më parë këtë akt kriminal dhe do të venë vënë përpara drejtësisë autorët. Presidenti Meta bën thirrje për vlerësimin e situatës me qetësi e maturi dhe që ky akt kriminal të mos ndikojë në procesin e rëndësishëm të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, proces i cili është shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të të dy vendeve dhe për stabilitetin, paqen dhe sigurinë e rajonit tonë.

Rama: Akt qëllimkeq që nxit urrejtje e tension

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot për vrasjen e politikanit lokal serb në Mitrovic Oliver Ivanoviç. Duke shprehur keqardhjen për këtë vrasje, Rama thotë se ky është një akt qëllim keq që nxit urrejtjen në rajon.

“Keqardhje e thellë për tragjedinë e Oliver Ivanovic; akt qëllimkeq që nxit urrejtje e tension. Përpjekjet për dialogun e paqen s’duhen ndalur!”,- shprehet Edi Rama.

Kryemadhi: Autorët të vendosen para drejtësisë

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka qenë politikania e parë që ka reaguar në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviç në Mitrovicë. Në nisje të një bashkëbisedimi me gazetarët, Kryemadhi bëri thirrje që kjo çështje të zbardhet, autorët të vihen para drejtësisë dhe dialogu mes Serbisë dhe Kosovës të vazhdojë. “Ne si LSI  bëjmë thirrje që kjo çështje të zbardhet dhe autorët të vendosen para drejtësisë. Në këtë situatë mjaft të rëndësishëm të dialogut Kosovë Serbi do të ishte një hap përpara nëse autorët do të vendoseshin përpara drejtësisë”,- tha Kryemadhi. I bëjmë thirrje që ky moment të tejkalohet dhe dialogu të vazhdojë sepse ka të bëjë me procese që i përkasin jo vetëm Kosovës por edhe rajonit.

Basha: Vrasja e Ivanoviç, atentat ndaj proceseve të bashkëjetesës në Kosovë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar sot për vrasjen e politikanit serb lokal në Minitrovicë, Oliver Ivanoviç.

Në deklaratë për mediat, Basha shprehet se Vrasja e sotme e Oliver Ivanoviç në Mitrovicë, është një akt i pastër kriminal që meriton hetim të plotë dhe ndëshkim nga organet ligjzbatuese në Kosovë.

Deklarata e plotë e Lulzim Bashës: “Vrasja e sotme e Oliver Ivanoviç në Mitrovicë, është një akt i pastër kriminal që meriton hetim të plotë dhe ndëshkim nga organet ligjzbatuese në Kosovë.

Akti, përveçse një atentat ndaj jetës, synon të jetë një atentat ndaj proçeseve të bashkëjetesës e të dialogut në Kosovë.

Trajtimi i ngjarjeve të tilla, kërkon maturi dhe largpamësi nga çdo aktor i përfshirë në dialogun dhe proçesin e paqëtimit në Kosovë.

Përshëndes dhe mbështes plotësisht reagimin e autoriteteve në Kosovë dhe nxis një proçes sa më energjik të zbardhjes së aktit dhe ndëshkimit të autorëve”. ​

Detaje nga vrasja e Ivanoviç

Kreu i Nismës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviç ndërroi jetë pas një atentati me armë zjarri orët e para të mëngjesit.  Autorët e sulmit nuk i lanë rrugë shpëtimi: kreu i serbëve të Kosovës u qëllua me 4 plumba në gjoks, ndërsa hynte në zyrën e partisë së tij në veri të Mitrovicës.

Mediet kosovare thonë se, 64-vjeçari vdiq në spital ku ishte dërguar me urgjencë, ndërsa sipas atyre serbe, ai ka dhënë shpirt në vend e mjekët në spital kanë bërë ç’është e mundur për ta rikthyer në jetë, por pa sukses.

Ka raporte që tregojnë se makina e personave që shtinë mbi të është gjetur më vonë e djegur në Zveçan. Informacionet mbi sulmin nuk janë ende të plota, megjithatë, nga sa pohoi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Veriun, Besim Hoti, forcat policore janë angazhuar maksimalisht për gjetjen e agresorëve.

Ivanoviç, njohës i mirë i gjuhës shqipe, i diplomuar i Fakultetit të Inxhinjerisë Mekanike në Mitrovicë e më pas atij të Ekonomisë në Prishtinë, karrierën politike e nisi pikërisht gjatë luftës së Kosovës, kur u caktua president i Këshillit Kombëtar Serb për Veriun e Kosovës dhe Metohinë.

Ai do të shndërrohej pas konfliktit në udhëheqësin kryesor të serbëve të Kosovës, duke sjellë një frymë të re në politikën serbe atje, që i entuziazmoi fillimisht ndërkombëtarët, për t’u shembur pastaj përdhe kur dolën në dritë akuzat për pjesëmarrje në masakrat kundër shqiptarëve.

Aktualisht ishte duke u përballur me procesin gjyqësor për krime lufte, nën akuzën se kishte urdhëruar vrasjen e shqiptarëve në Mitrovicën e vitit 1999. Kjo aktpadi, të cilin e mohonte me pretendimin se ishte i pabazë dhe i mbështetur tek aktiviteti i tij në favor të pranisë serbe në Kosovë, e la dy vite prapa hekurave përpara se të lirohej në muajin prill e ta priste në gjendje të lirë rezultatin e gjyqit.

Në muajin korrik, makinës së Ivanoviçit i ishte vënë zjarri. Ai vet ishte shprehur atëherë se nuk ishte përfshirë në biznese të paligjshme e nuk kishte armiq, vetëm kundërshtarë politikë. Ivanoviç pati akuzuar ashpër Beogradin për mbështetjen e “Listës Serbe” në zgjedhjet e 22 tetorit të vitit të kaluar në Kosovë, e tha atëherë se ka ardhur koha kur “serbët po frikësohen nga serbët, e jo nga shqiptarët”.

Ambasadori Delawie: Të hetohet vrasja e Ivanoviç! Të ruhet qetësia

Për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç, mëngjesin e kësaj të marte përpara zyrës së tij në Mitrovicën e Veriut ka reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie.

“E dënoj në mënyrën më të fuqishme vrasjen e tmerrshme të Oliver Ivanoviçit, e shpreh ngushëllimet e sinqerta për familjen e tij”, nis reagimin ambasadori. Më tej, Delawie u bën thirrje të gjitha institucioneve të drejtësisë të Kosovës, veçanërisht tani që policia, prokurorët dhe gjykatat janë të integruara, të hetojnë këtë incident shpejt dhe në mënyrë profesionale, e t’i nxjerrin autorët para drejtësisë.

“Nxisim të gjitha palët të shmangin retorikat e rrezikshme dhe të ruajnë qetësinë në këtë moment të ndjeshëm, e të angazhohen për vazhdimin e punës drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë”, shkruan Delawie.

Vuçiç në konferencë shtypi: Vrasja e Oliver Ivanoviç është akt terrorist!

Presidenti i Serbisë Aleksandër Ivanoviç me kryeministren e vendit Ana Bërnabiç ka dalë në mesditë një konferencë shtypi lidhur me vrasjen e liderit serb në Kosovë, Ivanoviç.

Vuçia theksoi se Serbia do të bëjë gjithçka që autori të kapet dhe të përballet me drejtësinë. Ai e ka konsideruar vrasjen si një akt terrorist.

në fillim të fjalës së tij, Vuçiç tha se i kishin shprehur ngushëllimet e tyre për vdekjen, familjes së Oliver Ivanoviç dhe kishin ndërprerë bisedimet në Bruksel menjëherë me Prishtinën për t’i kushtuar vëmendjen e duhur kësaj ngjarjeje.