Grida Duma: Protesta e 27 janarit do të ndalë çmendurinë e pushtetit

Flet për “Koha Jonë” deputetja dhe zëdhënësja e grupit parlamentar të PD-së, Duma: Aleancë me LSI? Sot është i domosdoshëm çdo bashkëpunim kundër qeverisë

Intervistoi: Redjon Shtylla

“Protestat do të jenë të forta dhe të qëndrueshme”. Kështu i konsideron valën e protestave, zëdhënësja e grupit parlamentar të PD-së. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Grida Duma, shprehet se protestat do të imponojnë reduktimin e çmendurisë së një pushteti, që për të po e kthen Shqipërinë në saraje personale të kreut të qeverisë. Për rezervën që kanë shfaqur aleatë të PD-së, për LSI-në, deputetja e PD-së thotë se sot janë të bashkuar të gjithë faktorët për një qëllim kryesor. Sa i përket koalicionit qeverisës, Duma thekson se duhet një diskutim i gjerë me anëtarësinë e partisë. “Është bashkuar i gjithë faktori politik dhe çdo pjesëz tjetër e shoqërisë, shoqëror madje edhe socialist të pakënaqur për të vendosur rregulla loje”. Për integrimin, deputetja nënvizon se hyrja në BE, është një proces real jo dhe një aplikim. Ajo shton se sot nuk ka një trup negociatorësh jo më hapje me bllokun. ”As politika dhe as shoqëria shqiptare s’mund të arnojnë një kompromis dhe të prodhojnë një frankenshtajn politik se duhet të bëjmë sikur”.

PD-ja flet për një front të gjerë opozitar dhe për protesta. Cili është qëllimi final i protestave?

Asnjë ndryshim i mirë nuk ka ndodhur pa prezencën e forcës, që ose është forcë bashkëpunimi dhe kontratë, ose forcë e reagimit, kjo është historia e botës. Kjo është ligësia edhe për një qeveri. Dy janë mënyrat, ose maxhoranca gëzon frymën e bashkëpunimit dhe reagon dhe përmirësohet nga bashkëpunimi me të gjitha forcat e shoqërisë madje jo vetëm ato politike, përndryshe kur qeveria ka të gjitha pushtetet dhe abuzon bëhet e domosdoshme që qytetarët të  reagojnë të mbrojnë veten nga pushteti i pakontrolluar. Për të mos gabuar, nuk duhet harruar.  Kujtoni që kjo qeveri e shkeli që muajt e parë kontratën me qytetarët. Kujtoni si u tërhoq nga vendimi për plehrat kimike në Shqipëri dhe mjafton të kuptoni që forca e protestës është e pazëvendësueshme në kushtet e një qeverie pushtuese. Sot protestohet për jetën e përditshme të qytetarëve, protestohet që shqiptarët të tregojnë se janë Zot i jetës dhe vetes së vet. Qeveria po përdor çdo mjet për të mpirë reagimin qytetar. Përdor çdo mjet presioni që qytetarët të mos reagojnë dhe të jetojnë të strukur në hallet e tyre të pafuqishëm por edhe të pashpresë se mund të ndryshojnë diçka. Nuk mund të lejojmë që Shqipëria të zbrazet deri në shkretëtim. Gjatë eksodit të parë e vuajtëm të gjithë ikjen e trurit dhe forcës më aktive të shqiptarëve. Në eksodin e dytë që ndodhi gjatë qeverisjes së Ramës po e lënë Shqipërinë sërish gjithë profesionistët dhe më të aftët gjithë qytetarët që kanë nerv për të përballuar konkurrencën. Protestat do të imponojnë reduktimin e çmendurisë së një pushteti që po e kthen Shqipërinë në sarajë personale të familjarëve dhe të miqve. Sot vetëm dhjetë oligarkë dhe familjarë e miq i gëzohen Shqipërisë.  Protestat do të nisin dhe do të vijojnë duke imponuar largimin e qeverisë, reduktim të pushtetit, rregullim të rregullave të lojës.

Duke parë dhe zhvillimet e ndodhura në muajin dhjetor në Kuvend, është krijuar ideja se protestat do të jenë të dhunshme. Cili është mesazhi që opozita do t’u japë qytetarëve?

Protestat do të jenë të forta dhe të qëndrueshme. Forca do të tregohet nga pjesëmarrja e madhe e qytetarëve, deri tek simbolet dhe mesazhet që do të jenë fryma dhe motivimi i qytetarëve për vazhdimësi. Opozita e ka dhënë mesazhin e vet të përhershëm dhe nuk është opozita ajo që duhet të japë një mesazh, opozita ka misionin jo mesazhin. Misioni i opozitës është të përfaqësojë mospranueshmërinë e shkeljeve nga gjendja ekonomike dhe e varfërisë, tek shkatërrimi i punës së vlefshme dhe të ndershme deri tek sistemi i drejtësisë që duke tentuar ta bëjnë partiak i shërben zbutjes së frikës së qeveritarëve dhe jo qytetarëve.

Brenda radhëve të aleatëve të koalicionit të PD-së ka rezerva lidhur me bashkëpunimin me LSI-në. Ju si e vlerësoni bashkëpunimin PD-LSI?

Opozicioni sot në Shqipëri nuk po bëhet për luftë ideologjish apo platformash qeverisëse! Sot  Shqipëria është në rrisk të madh; Shqipëria po rriskon bashkëjetesën demokratike. Është bashkuar i gjithë faktori politik dhe çdo pjesëz tjetër e shoqërisë, shoqëror madje edhe socialist të pakënaqur për të vendosur rregulla loje. Padiskutim që sot është i domosdoshëm çdo lloj kontributi që i bashkëngjitet rrymës opozitare. Pasi të kalohet ky moment që është i rëndë për demokracinë shqiptare, e për sa i përket koalicionit qeverisës, duhet një diskutim i gjerë me anëtarësinë e partisë.

Retorika e përdorur dhe kauzat janë thuajse të njëjta me motivet që çuan opozitën në protestën e Çadrës. Skeptikët thonë se protestat mund të përfundojnë njëlloj siç përfunduan dhe protestat e një viti më parë. Çfarë garancie kanë qytetarët opozitarë se nuk mund të përsëritet e njëjta histori?

Garancia që kërkojnë shqiptarët është që të qeverisen mirë. Garancia që kërkohet nga opozita është të kryejë misionin, të frymëzojë shpresën dhe të mos bëhet palë në mbytjen e zërit të qytetarëve. Këtë garanci kemi detyrë ti japim qytetarëve. Garancitë për mjete të buta apo të forta të protestës, nuk i detyrohemi askujt t’ia japim. Kemi detyrim vetëm ndaj misionit tonë.

Në pesë vite opozita ka denoncuar lidhje të krimit me qeverinë dhe deri në Kryeministri. Si e shpjegoni faktin me këtë mori denoncimesh dhe skandalesh Edi Rama dhe qeveria e tij vijojnë të kenë mbështeten nga ndërkombëtarët?

Ajo që nuk shpjegoj dot mjaftueshëm është që edhe mesazhi i ndërkombëtarëve lexohet shpesh në të kundërt. Çfarë mbështetje ka Rama kur ambasadorët thonë që paratë e drogës janë sa trefishi i buxhetit të shtetit? Çfarë mbështetje speciale ka Rama kur ambasadorët dalin dhe bëjnë thirrje popullore mos votoni kandidatë bashkish me të shkuar kriminale? Cila është kjo mbështetje e veçantë që ka Rama kur ofrohen edhe prokurorë nga Amerika për të shqyrtuar çështjen Tahiri? Një herë e mirë duhet të kuptohet që nëse në një vend perëndimor një ambasador amerikan flet në këtë qartësi do të kishin lëvizur themelet e shtetit. Institucionet në Shqipëri përfshi këtu edhe reagimin popullor, janë në një fazë që ende këto mesazhe të rënda nuk kuptohen qartasi çfarë sjellin në të ardhmen. Ndërkombëtarët do të bëjnë maksimumin që të çojnë në kahjen e duhur qeverisjen ndaj edhe momentet kur ata janë bashkëpunues edhe në momentet më të rënda duhen kuptuar drejt, ky është qëllimi i tyre të bëjnë maksimumin brenda çdo qeverisje. Edhe në vende plotësisht diktatoriale ndërkombëtarët kanë marrë kohën e vetë për të ndërhyrë ekstremisht. Ndaj pozicionimi i tyre duhet lexuar si një qëndrim sa diplomatik dhe politik konstruktiv.

Nisja e protestave të opozitës përkon dhe me 6 muajt vendimtarë për çeljen e negociatave. A nuk rrezikon PD-ja dhe opozita mund të marrë koston e bllokimit të integrimit dhe kritika të forta nga BE-ja?

Kritikat nga zyrtare të Bashkimit Europian, kanë ardhur që me raportin e OSBE-ODHIR mbi zgjedhjet në Shqipëri. Në raportin për zgjedhjet e kaluara Shqipëria bëri hapa pas. Nga ana tjetër hyrja në BE, është një proces real, jo një aplikim në letra. Shqipëria duhet të shkojë drejt procesit të Integrimit duke u ballafaquar me të vërtetat e veta. Një e vërtetë është që qeveria sot nuk është e përgatitur as teknikisht për hapjen e negociatave. Trupa e domosdoshme e negociatorëve nuk dihet ende, jo më të ketë kryer konsultimet paraprake për hapjen e negociatave me grupet e interesit, siç do duhet të ishte bërë me kohë. Sot çdo shqiptar e di që kemi ligje të përafruara me standardet europiane, por aplikimi i tyre është shumë larg europës. As politika dhe as shoqëria shqiptare s’mund të arnojnë një kompromis dhe të prodhojnë një frankenshtajn politik se duhet të bëjmë sikur. Sa i përket procesit të integrimit, deri sot asnjë vendimmarrje e vetme nuk është penguar nga opozita, asnjë ligj i vetëm asnjë hap i vetëm. Maxhoranca nuk i shmanget dot përgjegjësisë për integrimin, duke thënë po të rrinte më urtë opozita do dinim më mirë. Europianët nuk e kanë vlerësuar ecurinë e tyre dhe të vendeve të tjera me thashetheme ankimuese por me fakte dhe hapa konkretë.

Ambasadori Lu tha se SHBA-ja është ofruar për të angazhuar prokurorë federalë amerikanë dhe agjenci të zbatimit të ligjit amerikane në çështjen “Tahiri”. Si e shihni këtë zhvillim në kohën që priten rezultatet e para të reformës në drejtësi?

Çdo kontribut nga SHBA-ja, do të shërbente për më shumë profesionalizëm dhe besueshmëri. Shumë prej nesh jemi të frymëzuar dhe udhëhiqemi nga vlerat që shoqëria amerikane ka ndërtuar.