Klevis Balliu: Zërat kundër bashkëpunimit PD-LSI i shërbejnë Edi Ramës

Deputeti i PD, Klevis Balliu

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu: Protestat nuk kanë kthim pas. Është vetëm fillimi i një aksioni të gjerë politik për largimin e qeverisë së depresionit

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu deklaron se protestat e opozitës për largimin e qeverisë nuk do të kenë më kthim pas. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Klevis Balliu protestat që nisin më 27 janar nuk janë vetëm për opozitën, por për gjithë qytetarët që jetojnë në rrënimin ekonomik, keqqeverisjen dhe mungesën e sigurisë. Deputeti i PD-së shprehet se qeveria aktuale nuk ka legjitimitetin për drejtuar vendin, pasi ka ardhur në pushtet me votat e drogës dhe të bandave të kanabisit.

Deputeti demokrat komenton dhe koalicionit mes PD dhe LSI. Ai shprehjet se një aleancë e tillë është në interesin e vendit për të larguar keqqeverisjen që po dëmton çdo ditë vendin. Ai sjellë në vëmendje faktin se mes PD dhe LSI ka një traditë bashkëpunimi dhe qeverisjes, e cila ka dhënë rezultate pozitive për vendin. Balliu shprehet se “bashkëpunimi PD-LSI ka si qëllim nxjerrjen e vendit nga gremina ku po e çon ky kryeministër i krimit”.

Në 27 janar Partia Demokratike ka ftuar qytetarët ti bashkohen protestës kundër qeverisë, a mund të na thoni se përse shqiptarët duhet të jenë në bulevard të shtunën e fundit të muajit?

Shqiptaret duhet të jenë në bulevard për një arsye shumë ekzistenciale që është rrënimit ekonomik i vendit dhe i shqiptarëve. Kam parasysh rritjen e taksave përgjatë 4 viteve, kam parasysh rritjen e çmimit të energjisë elektrike, kam parasysh rritjen e çmimit të ujit, rënia e investimeve të huaja në Shqipëri dhe largimin e investitorëve strategjik siç ishte kompania e “Sheraton”. Të vetmit investitorë të huaj që vijojnë të realizojnë investimet e tyre në vendin tonë, dhe kjo falë punës së qeverisë së Sali Berishës, janë vetëm dy kompani serioze “Statgraft” dhe TAP.

Ndërsa sot fatkeqësisht Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ka një kompani internacionale hoteleri turizëm, kurse Tirana është i vetmi kryeqytet në botë që nuk i ka këto kompani. Arsyeja është shumë e thjeshtë, pasiguria në vend dhe taksa progresive.

 A janë këto arsye të mjaftueshme për të protestuar?

Absolutisht që po. Sepse kur një shtet nuk ka ekonomi, nuk ka siguri atëherë shteti kthehet në shtet fiktiv.

A mund të kërkohet largimi i qeverisë kur ka më pak se 5 muaj që po drejton vendin?

Largimi i qeverisë mund të kërkohet edhe një ditë pasi vjen në pushtet, në rast se ajo nuk përfaqëson qytetarët. Për më tepër kur kjo qeveri ka ardhur në pushtet me votat e Katanias, Tahirit, Balilit ose thjeshtë me thjesht me paratë e drogës dhe krimit.

Protesta e madhe është në 27, ndërkohë kryetari Basha thotë se beteja e opozitës do të jetë në dy fronte, Parlament dhe në protesta popullore. Si do të organizoheni dhe sa pritet të zgjasin protestat kundër qeverisë?

Protestat nuk kanë kthim pas. Është vetëm fillimi i një aksioni të gjerë politik, i cili përfundon me rikthimin e legjitimitetit të institucioneve. Legjitimitetet që nuk mund të vijë pa largimin e qeverisë së depresioni ekonomik, politik dhe shoqëror.

 Opozitës i është bashkuar dhe LSI, ju si e shikoni këtë bashkim, pasi LSI vjen nga pushteti dhe ka mbi supe barrën e akuzave që keni lëshuar për 4 vite në opozitë?

Rama e akuzon LSI se ka qenë pengesë e kësaj qeveria gjatë mandatit të parë të qeverisë Rama. Nuk mund ti kesh të dyja dhe bashkëpunëtor dhe pengesë. Fakt është që Ylli Manjani ish-Ministri i Drejtësisë kërkoi zyrtarisht ndërhyrjen e Ushtrisë për çështjen e kanabisit. Ilir Meta, ish-Kryetar i Kuvendit dhe ish-Kryetar i LSI kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë nga Nishani për çështjen Balili, ku i ftuar ishte edhe zoti Rama, i cili e quajti Balilin legjendë urbane dhe nuk denjoi që të paraqitej personalisht por zgjodhi të dërgojë te Këshilli i Sigurisë kryetrafikantin Saimir Tahirin.

 A e ndihmon PD-në aleanca me LSI në këto momente?

Absolutisht që po. Së pari ka një traditë të bashkëpunimit mes PD dhe LSI, një bashkëpunim i suksesshëm që solli rezultate pozitive dhe për vendin. Një bashkëpunim që solli liberalizimin e vizave me BE, asgjësim të bandave, rritjen ekonomike dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.

 Pse e ndihmon aktualisht PD ky bashkëpunim?

Nuk është çështja e ndihmës për PD, por bashkëpunimi i PD me LSI ndihmon shqiptarët. Sepse aksioni i PD nuk është aksion partiak, por aksion kombëtar. Dhe për interes kombëtar çdo parti e qendrës së majtë apo e djathtë është e mirëpritur të japë kontributin e saj në këtë luftë kundër padrejtësisë, kundër pabarazisë me ligjin, kundër rrënimit ekonomik të shqiptarëve dhe të shqiptarisë. Varfëria e shqiptarëve nuk është rastësi, por është strategji e qeverisë së krimit, sepse ku ka varfëri ka krim dhe kjo qeveri nuk mund të fitonte pa krimin.

Aleatët tradicionale të PD kanë shfaqur “xhelozi” për rolin që po merr LSI në kampin opozitar. A keni një përgjigje për ta?

Unë nuk do ta quaj xhelozi, por përkujdesje të aleatëve. Por aleatët nuk duhet të shqetësohen. Bashkëpunimi i gjerë sjell fryte pozitive siç ka sjellë edhe në të kaluarën me LSI. Për më tepër kundërshtari më i zjarrtë i këtij bashkëpunimit të PD me LSI është Kryeministri Edi Rama. Kjo fakton që bashkëpunimi i PD me të gjithë aleatët përfshirë këtu dhe LSI do ti rikthejë vendit shpresën duke larguar Edi Ramën. Zërat kundër këtij bashkëpunimi i shërbejnë qeverisë së depresionit.

Pra ju jeni po thoni se jeni një nga mbështetësit e këtij bashkëpunimi?

Plotësisht. Çdo molekulë opozitare duhet të bashkohet për të rrëzuar qeverinë e depresionit ekonomik, qeverinë e krimit, qeverinë e Habilajve, Balilit, Tahirit, pra rrëzimin e qeverisë së e Edi Ramës.

Ku ndryshon bashkëpunimi i Sali Berishës me Ilir Metën nga ai i Lulzim Bashës me Monika Kryemadhin?

Në të dy rastet bashkëpunimi është bërë për interes kombëtar. I vetmi ndryshim është që koalicioni i Sali Berishës u bë koalicion postzgjedhor dhe ndërmori reforma të rëndësishëm për vendin. Ndërsa në rastin e koalicionit dhe bashkëpunimit të Lulzim Bashës me LSI-në është në opozitë, e kjo ka për qëllim nxjerrjen e vendit nga gremina ku po e çon ky kryeministër i krimit. Por në të dyja rastet ky bashkëpunim ka interes kombëtar.

“Koha Jonë”