Ftesa për vitin Skënderbeut, me gabime. Gjuhëtari “kryqëzon” Ramën: Vaj hallit kur kryeministri s’ka korrektor

Shpërndarja masive e ftesës që kryeministri Edi Rama u ka dërguar dje disa personazheve të jetës publike për të marrë pjesë në çeljen e kremtimeve për Vitin e Skënderbeut, ka nxjerrë në pah edhe gabimet e saj. Pos përsëritjes së emrit të heroit katër herë, teksti i ftesës ka marrë kritika të ashpra për formulimin si edhe për gabimet e shumta drejtshkrimore të gjuhës shqipe.

Nga shkronja ‘ë’ e vënë pa vend si tek fjala ‘amëshim’, te mbiemri i shndritshëm që është shkruar i “shëndrritshëm”.

Keqardhjes për një dokument që del Kryeministria me gabime të tilla i shtohet edhe keqardhja për një ngjarje që ka përmasa të mëdha, për aq sa është shpallur vit festiv, duke u bërë edhe vendimi i parë i qeverisë “Rama 2”.

Nga sa mësohet paraprakisht, do të ketë ekspozitë me piktura te Pallati i Kongreseve si dhe ekspozitë objektesh mesjetare pothuaj të njëkohshme me Skënderbeun. Janari ka qenë muaj i ngarkuar për institucionet e kulturës të përfshira në festime.

Ftesa shpërndarë nga Kryeministria

Ftesa e analizuar nga një gjuhëtar

FTESA
Po sjellim më poshtë tekstin e ftesës që kryeministri Edi Rama ka shpërndarë dje, ose që është shpërndarë në emër të tij dhe në emër të Komisionit Shtetëror.
LOGOJA- Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut
I paarritshëm, i papërkufizueshëm dhe i pashfaqshëm sa ishte i gjallë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, luftëtari, shtetari dhe arbërori urëlidhës mes dritëhijes mesjetare dhe humanizmit të ndriçuar europian, u tjetërsua 550 vjet më parë, prej një trupi vdektar, në një imago mundi të përveçëm, në një ikonë gjithëpërfshirëse gjalluese të arteve, mjeshtërive dhe urtësive, në një Yll të shëndrritshëm mëngjesi diktues të drejtimit të duhur të ardhmërisë së Shqiptarëve.
Të bashkuar me të gjithë shqiptarët në Diasporë.
Z.Edi Rama
Kryeministër i Shqipërisë
dhe Komisioni Shtetëror për organizimin e veprimtarive në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut
Kanë kënaqësinë e veçantë t’Ju ftojnë të merrni pjesë në çeljen e kremtimeve “Tre ditët e Yllit të Mëngjesit”, me rastin e 550-vjetorit të kalimit në amëshim të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut
(Pajisuni me ftesën dhe një kartë identiteti në hyrje
Konfirmoni pjesmarrjen tuaj pranë Protokollit të Kryeministrit
Kodi i veshjes: kostum i errët, veshje kombëtare, tailleur për Zonjat)
Ditën e martë, 16 janar 2018 në orën 17:45 Në hollin e Pallatit të Kongreseve dhe ora 19:30 në Pallatin e Brigadave

Analiza e gjuhëtarit
“Gazeta Shqiptare” i është drejtuar një gjuhëtari në zë, pedagog për vite të tëra pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë derisa ka dalë në pension. Profesori, mjaft aktiv në jetën publike, nuk ka dashur të dalë me emër, por ka pranuar të analizojë ftesën për të nxjerrë në pah gabimet, duke cituar herë-herë edhe rregullat e Drejtshkrimit të vitit 1972.

“Vërtet ka shumë gabime. Fjalët e shkruara gabim i kam shkruar si duhet me blu; presjet, pikat e vizat i kam shënuar në krye e në fund të ftesës ose dhe në tekst.
Ka epitete jologjike: i papërkufizueshëm dhe i pashfaqshëm (?!).
Ka karakterizime jo të duhura: në një ikonë gjalluese të arteve, mjeshtërive dhe urtësive.

Ne Skënderbeun e nderojmë jo se u kthye në një ikonë a burim frymëzimi për artet etj., po se vepra dhe emri i tij i shërbyen bashkimit të shqiptarëve, duke shërbyer si tharm për formimin e kombit shqiptar”, – tha dje një autoritet i gjuhës shqipe në kushtet e anonimatit.
Në vijim, ai shënon “është edhe kjo: të bashkuar me të gjithë shqiptarët në diasporë (po trojet etnike: Mali i Zi, Maqedoni, Greqi?)”.
Sipas tij, ky tekst duhej konsultuar me një historian dhe pastaj duhej korrektuar. “Unë besoj se, po ta kishte shkruar me dorën e tij Edi, nuk do të kishte bërë kaq gabime. Vaj halli kur edhe në Kryeministri nuk ka një korrektor për të qenë!”

NGA KRITIKA NË BATUTË
Një shkrimtare nuk e kurseu ironinë. “Thua të dijë gjë kryeministri se ç’flitet ‘shqip’ në emër të tij? Mirë shkallëzimet e mbiemrave dhe miksimet kuptimore të mbivendosur panatyrshëm, por kjo fjala ‘amëshim’ e shkruajtur me ‘ë’! O Skënderbeu ynë ‘i pashfaqshëm’. ‘Imago mundi të përveçëm’! Kush mund ta ketë formuluar, vallë? Qesh se nuk qaj dot”, shkruante ajo.

Një studiues, thotë se fjala i “pashfaqshëm” nuk ka kuptim në këtë ftesë. “Pikërisht se ishte i shfaqshëm Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i bëri ballë për 25 vjet fuqisë më të madhe ushtarake të botës në atë kohë”. E gjen pa vend edhe fjalën “u tjetërsua”, ashtu si edhe frazën “trupi vdekatar”. Në fund, vëren: “gjithëpërfshirëse gjalluese” – ky togfjalësh të bën të të vijë keq, shumë keq për gjuhën shqipe, me iu dhimbtë gurit e drunit, i shkreti Dhaskal Todri…”.