Studentët ”kundër” Ramës: Më 24 janar protestë…

Lëvizja për Universitetin ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste në datën 24 janar. Protesta e kësaj lëvizjeje ka të bëjë me tarifat studimore, që sipas tyre, duhen përgjysmuar në të gjitha nivelet dhe degët e studimeve si një hap i parë i heqjes së diskriminimit ekonomik.

”Në orën 11 të datës 24 janar, nga Korpusi drejt Kryeministrisë”, është njoftimi i shpërndarë nga Lëvizja për Universitetin.

Organizatorët shprehen se duhet të hiqen të gjitha gjobat dhe haraçet e tjera për të vazhduar studimet, si detyrimi për të paguar institucione private për çertifikimin e gjuhës së huaj apo pagimi i dyfishtë i krediteve për provimet e mbartura, duhen hequr sa më parë.

Lëvizja për Universitetin paralajmëroi se në fund të protestës do të dorëzohet një peticion me mijëra firma studentësh që i kërkon qeverisë të nisë heqjen e tre formave më të drejtpërdrejta të diskriminimit ekonomik në universitete.