Kokëdhima, thirrje popullit: Po vijnë plehrat radioaktive të Europës, gati për luftë!

Koco Kokedhima

Kreu i partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima ka denoncuar sot një plan të qeverisë “Rama”, i cili sipas tij e kthen Shqipërinë në një kosh për importin e plehrave nga vendet e BE. Ai u bën thirrje qytetarëve që të ndalojnë këtë projekt dhe të bëhen gati edhe për luftë!

Më poshtë komenti i plotë i Koço Kokëdhimës, dikur ish-mik i Edi Ramës:

“Më datën 31 korrik të vitit të shkuar, “Zgjidhja”, paralajmëroi se së shpejti Europa do të gjendej përballë një problemi shpërthyes për çështjen e plehrave. Në fillim të këtij viti, qeveria e Kinës e ka zyrtarizuar vendimin e përfolur, për të refuzuar importin e mbetjeve për industrinë e riciklimit, kurse mediat më të mëdha të vendeve të BE-së kanë ngritur alarmin. Bëhet fjalë për të paktën 50 milionë tonë mbetje, mes të cilave 1.5 milionë tonë mbetje plastike, për të cilat po kërkohet me shpejtësi një vend importues. Kohët e fundit shumëkush është habitur për “dashurinë e madhe” të krerëve të BE-së që ka shpërthyer papritur ndaj Edi Ramës, edhe pse ai udhëheq një bandë qeverisëse kriminale dhe të korruptuar deri në palcë. Shqipëria e Edi Ramës është piketuar përfundimisht, si një zgjidhje e pjesshme për hallin e madh, që i ka zënë derën vendeve të Europës.

Në një shkrim të fundit të DW ngrihet alarmi: “Shumë vende, si Gjermania, nuk kanë më tani mundësi të eksportojnë 24 lloje mbeturinash, që janë përfshirë në listën e importeve të ndaluara (nga Kina). Tani ato duhet të mendojnë për të gjetur shpejt alternativa, sepse BE-ja është në rrezik të përmbytet prej mbeturinave plastike”. Dhe alternativë e vetëofruar duket qartë, se është qeveria më e shantazhueshme në Europë, e cila sipas burimeve tona të besueshme, do të fusë në kuvend, brenda pranverës, për të votuar me votat e kanabisit, ligjin më antishqiptar të këtyre 27 viteve te fundit, atë të importit të plehrave. Herën e fundit që Edi Rama u pozicionua për këtë çështje te “Zëri i Amerikës”, në muajin shtator 2017, deklaroi se është i vendosur që të ecë përpara në këtë projekt, i cili na qenka, “një proces europianizues”. Europianizimi i vendit, sipas këtij ushtari të të gjitha mafieve, na qenka marrja e plehrave të BE-së, të cilave Kina, për të mirën e qytetarëve të vet, zgjodhi tu mbyllë derën. Në fakt, sipas planit të menaxhimit të mbetjeve 2010-2025, të draftuar dhe miratuar nga qeveria shqiptare me ndihmën e Bashkimit Europian, deri në vitin 2020, Shqipëria duhet të ndërtojë 12 landfille inxhinierike për grumbullimin e mbetjeve bashkiake, sipas standardeve  të BE-së. Por çfarë bëri Rama? E la mënjanë këtë plan menaxhimi dhe në vend të tij, në mënyrë të jashtëligjshme, nisi ndërtimin urgjent të të paktën 3 inceneratorëve. Përse e bën këtë, ndërkohë që ne jemi vendi me menaxhimin më të keq në Europë të mbetjeve tona, me mungesë të plotë të përpunimit tyre nëpër landfille? Me çfarë do t’i ushqejë furrat e inceneratorëve, që u ka dhënë me koncesion klientëve të tij, ndërkohë që miliona tonë plastikë dhe mbetje të tjera po i zënë frymën vendeve të BE-së?

Edi Rama tentoi herën e fundit që të fusë në programin e punimeve të Kuvendit (për periudhën 18 shtator-13 tetor 2017), shqyrtimin e dekretit të Presidentit që refuzonte dekretimin e amendamenteve që qeveria e tij i bëri ligjit të mbetjeve. Por meqenëse oborri ju mbush me skandale si ai i Tahirit, meqenëse ka kuptuar që qytetarëve tashmë u janë hapur sytë dhe e dinë se ai nuk është kryeministri i tyre, por i klaneve më të errëta kriminalo-financiare, me frikën në palcë u tërhoq përkohësisht. Tani ka në plan, që të organizojë shpejt e shpejt me shoqata mjedisore fantazmë, apo të paguara, konsultime publike dhe ta kalojë urgjentisht në parlament. Nëse Edi Rama do të guxojë ta realizojë këtë plan, më të ziun në historinë e këtij vendi, duke tentuar të mashtrojë qytetarët me mbështetjen e krerëve të BE-së dhe hapjen e negociatave; për ta bërë Shqipërinë një kosh dhe furrë djegëse gjigande të plehrave të Europës që Kina u mbylli derën, atëherë protesta kundër armëve kimike që e bënë të përmjerret nga frika në poturet e tij, do t’i duken si një shëtitje relaksuese e qytetarëve.

ZGJIDHJA e paralajmëron që të heqë dorë urgjentisht nga ky plan, sepse fundin do ta ketë edhe më të shpejtë dhe të dhimbshëm, se sa e mendon. Nuk ka diplomat dhe kancelari në Europë, që të mundet të mbrojë një armik të një populli të tërë, i cili kërkon të shkatërrojë për ca miliona euro më shumë dhe për hir të qëndrimit me çdo kusht në pushtet, shëndetin dhe jetën e shqiptarëve ndër breza.

Zgjidhja e ndërgjegjshme se në këtë çështje madhore kombëtare ka me vete gjithë popullin pa dallim partiak, nuk do të lejojë që ky vend i bekuar nga Zoti dhe natyra, të transformohet në një parajsë të ekomafies dhe në një motor gjigant kanceri.

ZGJIDHJA e paralajmëron këtë kryeministër tradhëtar, se do jetë në krye të rezistencës së popullit tonë, kundër planit të tij për ta kthyer Shqipërinë në kazanin kanceroz ku shkarkohen plehrat e gjithë Europës. Duhet të bëhemi gati për luftë!