Rrëfimi ndryshe i Mirela Kumbaros: Kush më bëri ftesën për t’u bërë ministre Kulture

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro i është bashkuar mëngjesin e sotëm “Këndit të Ekselencës” në studion e “News24”. Në një rrëfim ndryshe, që kalon përtej politikës, Kumbaro tregoj detaje nga jeta e saj private. Ajo thotë se në edukimin e fëmijëve të saj ka zgjedhur që të respektojë privatësinë dhe dëshirat e tyre.

Kumbaro tregon se nuk e kishte menduar më parë përfshirjen e saj në jetën politike vendit, duke treguar se ftesa për t’u bërë ministre i ka ardhur nga kryeministri Rama.

“Para vitit 2013 unë kam patur një jetë aktive publike. Të jesh aktiv në jetën publike të vendit nuk do të thotë se duhet të jesh patjetër politikan”, thotë ministrja Kumbaro.

Duke u ndalur tek jeta private, Kumbaro thotë se tashmë dy fëmijët e saj janë të rritur, dhe nisur nga kjo, gjatë 5 viteve të saj në politikë ka mundur të ekuilibrojë rolin e nënës dhe përkushtimit profesional.

“Unë i jam përkushtuar më së miri rritjes së fëmijëve të mi. Unë i kam hequr të drejtën vetes për të qenë imponuese dhe për të bërë zgjedhjet për fëmijët e mi, kam zgjedhur një formë demokratike të rritjes së fëmijëve. Kam dëshirë që ata të jenë të zotët e vetes në sajë të aftësive të tyre, edhe nëse zgjedhin të përfshihen në politikë. Unë nuk dua të ndikoj në zgjedhjet e tyre. Tashmë fëmijët e mi janë të rritur, dhe angazhimi im në politikë nuk pengon në marrëdhëniet tona”, shprehet Kumbaro.

Mirela thotë se vendimi për përfshirjen në politikë nuk ishte vetëm i saji, por i gjithë familjarëve të saj.

Më tej, ajo ndalet tek raportet me familjarët e tjerë, si dhe tek marrëdhënia e ngushtë me vëllain.

“Lidhja jonë shpirtërore është shumë e fortë. Vëllai im është si një shok i mirë për mua. Shokët e mirë i zgjedh, ndërsa vëllezërit dhe motrat jo”.