Harta globale/ Vendet me numrin më të lartë të Trashëgimive Botërore, ja ku rendit vendi ynë

Vendet e klasifikuara si Trashëgimi Botërore nga UNESCO, padyshim që janë atraksion për turistët që kërkojnë të vizitojnë vende të reja. Shqipëria ka pjesë të kësaj Liste dy vende, Butrintin dhe kalatë e Beratit dhe Gjirokastrës (të cilat numërohen si një), duke u renditur të dytët në rajon për numrin më të ulët në listën e UNESCO-s, pas Maqedonisë. Mali i Zi dhe Bosnja numërojnë secili nga 3 site të trashëgimisë botërore në listë, ndërsa Serbia ka 5 të tilla.

harta-1

Numrin më të lartë të Trashëgimive Botërore në Gadishullin e Ballkanit e ka Greqia, me 16 të tilla, në vend të dytë renditet Bullgaria me 7 vende Trashëgimi Botërore.

Vendet me numrin më të madh

Në vend të parë me numrin më të madh të trashëgimive botërore është Italia. Sipas UNESCO-s, Italia numëron 53 vende të cilësuara si trashëgimi kulturore. Italia numëron më shumë vende edhe se Kina, e cila është 30 herë më e madhe dhe 20 herë më e populluar se Italia. Në Kinë ka të listuar vetëm 52 vende. Më pas renditet Spanja me 46 vende dhe Gjermania dhe Franca me përkatësisht 43 vende.

Nuk ka dyshim se vendet në këtë listë janë ndër më të bukurat në botë. Trashëgimitë Botërore janë vende natyrore apo të krijuara nga njeriu të njohura për rëndësinë ndërkombëtare dhe për këtë meritojnë ruajtje më të veçantë.

Për t’u klasifikuar si vend i Trashëgimisë Botërore duhet që të mund të identifikohet gjeografikisht dhe historikisht me rëndësi të veçantë kulturore ose fizike (si rrënoja antike ose struktura historike, ndërtesa, qytete, pyje, ishuj, liqene, monumente, zona malore apo shkretëtira). Kjo duhet të nënkuptojë një arritje të shquar të njerëzimit dhe të shërbejë si dëshmi e historisë sonë intelektuale në planet.

Në total, në të gjithë botën janë të listuar 1073 vende prej të cilave, 832 janë vende kulturore, 206 natyrore, 35 janë mikse, këto në 167 shtete të botës. Lista mirëmbahet nga Programi i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.