Dy kryeprokurorë në një karrike. Policia urdhërohet të nxjerrë Ginën nga zyra

Organi i akuzës duhet të jetë organ dinjitoz kushtetues. Prokuroria heton dhe të arreston. Ndaj ka një autoritet të padiskutueshëm dhe serioz. Por kur ndodh siç po zhvillohen ngjarjet në prokurorinë e Elbasanit, ku tashmë janë dy kryeprokurorë në detyrë, ku njeri emërohet nga Arta Marku e tjetri nuk e njeh Arta Markun, pasi i Referohet Ligjit dhe Kushtetutës, sipas tij, pra thotë se njeh vetëm KLP; kjo e gjitha e denigron, bile e bën komik organin e prokurorisë në Elbasan.

Ditën e djeshme Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme Arta Marku shkarkoi nga detyra një sërë kryeprokurorësh të rretheve, mes tyre edhe Dritan Ginën e Elbasanit, por sot në zyrën e kreut të organit të akuzës në këtë qytet ka patur një përplasje.

Në karriken e kryeprokurorit të Elbasanit janë paraqitur dy persona, i shkarkuar Dritan Gina, por edhe kryeprokurori i ri i emëruar nga Marku, Ardjan Nezha.

Në foto: Dritan Gina

Dritan Gina tha ditën e djeshme që do ta refuzonte vendimin e Arta Markut për t’u larguar nga detyra dhe kësisoj këtë të mërkurë në Prokurorinë e Elbasanit, ka nisur një “luftë” që ngren pyetjen se “cilit i përket posti” i drejtuesit të Prokurorisë së qytetit.

Drejtuesi i ri i komanduar Ardjan Nezha është paraqitur zyrtarisht si kreu i ri i Prokurorisë së Elbasanit ditën e djeshme, ndërsa ka hyrë në këtë zyrë edhe Dritan Gina i cili nuk e njeh si të ligjshëm urdhërin e kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku. Gina ka çelësin e zyrës dhe është ulur në karriken e numrit një të akuzës të Elbasanit. Në të njëjtën zyrë ka hyrë sot edhe kryeprokurori i emëruar dje nga Arta Marku. Të dy në një zyrë e ku sejcili thotë se “unë jam shefi”.

Prokurorët dhe nëpunësit në Prokurorinë e Elbasanit janë të ç’orientuar, pasi akoma nuk dijnë porositë e cilit shef të zbatojnë.

-Unë jam shefi!– thotë Dritan Gina.

-Jojo unë kam ardhur shef!-bërtet Ardjan Nezha.

Ndërsa gjithçka në këtë prokurori është paralizuar. Por me shumë se kaq; u bënë komik para publikut.

Duhet që Arta Marku të shkojë dhe të vendosë rregullin në Elbasan. Mësohet se policia e Elbasanit ka marrë urdhër të nxjerrë forcërisht kryeprokurorin Dritan Gina.