Denoncimi. Si i rrahën dhe i morën peng agjentët e SHISH banda e Habilajve!

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka denoncuar me atë të qytetarit dxhital një ngjarje të ndodhur gjatë vitit 2015, kur në plantacionet e hashashit të Habilajve në zonën e Vlorë, janë marrë peng dy punonjës të SHISH.

Sipas denoncimit të bërë në faqen zyrtare të Berishës në Facebook, ngjarja ka ndodhur më 20  korrik të vitit 2015. Dy agjentë të SHISH kanë qenë duke filmuar me kamera në plantacionet e hashashit.

Ajo që e bën më flagrante këtë rast është dëshmia se anëtarët e grupit kriminal kanë folur në telefon me përfaqësues të Policisë së Vlorës dhe kanë marrë udhëzimet sesi të veprojnë. Po sipas denoncimit, Policia e Vlorës u ka thënë që të merrnin identitetin e agjentëve dhe nëse këta të fundit do të flisnin, atëherë do të veprohej ndryshe.

Sipas denoncimit edhe kryeministri Edi Rama ka qenë në dieni të këtij skandali dhe nuk ka reaguar.

Postimi i plotë i Berishës në Facebook: Habilajt rrahën dhe morën peng punonjësin e SHISH!

Lexoni qëndrimin e policisë ndaj aktit kriminal. Rama u informua por beri te paditurin. sb

“Psh. Z.Sali Berisha, Dua te denoncoj një rast të ndodhur në 20 07 2015, në një nga fshatrat e Vlorës ku unë isha punëtor në parcelat e hashashit, të cilët ishin mbjellë nga vet Habilajt. Një ditë kapen dy persona nga rojet e armatosura të cilët kishin hyrë në parcelat e hashashit dhe po filmonin, pas kapjes se personave që në fillim u mendua se ishin gazetarë por në të vërtet ata ishin agjent të SHISH.

Pasi u kapen u goditen me grushta dhe shqelma që të tregonin perse kishin ardhur, më pas njeri nga pjestarët e bandës, i njohur si Flori Dibrës’ telefonon policin e Vlorës dhe i tregon ngjarjen, dhe policia i kërkon që ti bëhen foto personave të kapur dhe të lihen të lirë dhe nëse këta agjentë do të hapnin gojën atëherë do të merrej policia me ta duke nënkuptuar se do të ekzekutohen nga policia sepse parcelat e habilajve mbroheshin nga vet Sajmir Tahiri. Për këtë raste ne informuam vet Ramën por ai nuk reagoj?!”.

Kujtojmë që SHISH ka raportuar rregullisht në institucionet e shtetit për fushatën e mbjelljes së kanabist dhe për përfshirjen e të paktën  128 policëve të rangjeve të larta në trafikun dhe kultivimin e kanabisit. Raportet e SHISH u publikaun disa javë më parë në media, ndërkohë që kreu i SHISH, Visho Ajazi dha dorëheqjen nga ky institucion dhe u emërua nga Edi Rama si Ambasador i Shqipërisë në NATO. Me largimin e tij nga ky post duket se janë mbyllur dhe shumë incidente dhe ngjarje të tilla, ku bandat e drogës jo vetëm rezultojnë se kanë qenë ortakë me policinë lokale, por kanë pasur kurajën të marrin peng dhe dhunojnë edhe agjentët e shërbimeve sekrete.