Protesta, Spaho: Nuk do të ketë çadër, por kauza e çadrës mbetet aktuale

Flet për “Koha Jonë” kreu i grupit parlamentar të PD-së: Rama përfaqëson trafiqet e drogës dhe krimin e organizuar, jo qytetarët

Nga: Herion Mesi

Demokratët janë të bindur që vendi po vuan nga një krizë e madhe politike, ekonomike dhe morale dhe shkaktari i vetëm i kësaj gjendjeje është kryeministri Edi Rama. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho në një intervistë për “Koha Jonë” deklaron se me protestat masive që pritet të nisin në këto javë të janarit, opozita synon mobilizimin e qytetarëve për t’ju kundërvënë Edi Ramës dhe qeverisë së tij, të cilët sipas Spahos, nuk përfaqësojnë qytetarët shqiptarë, por trafiqet e drogës dhe krimin e organizuar në tërësi.

Nga ana tjetër, shprehet nënkryetari i PD-së, Edi Rama po zapton institucionet njëri pas tjetrit, në tentativë, siç thotë ai, për t’i shpëtuar llogaridhënies dhe daljes para drejtësisë.

“Po ndodh ajo që opozita ka përsëritur pambarimisht. Shkeli Kushtetutën për të kapur institucionet e drejtësisë për të shpëtuar bashkëfajtorët e tij në krim dhe vehten. Sajmir Tahirit ju kthye pasaporta; Orest Sota, megjithëse u kap me 863 mijë euro dhe dy patenta të Sajmir Tahirit, u lirua nga burgu, sikurse u lirua sot (dje) një tjetër i arrestuar i dosjes së Xibrakës. Në këto kushte detyra e opozitës është t’i drejtohet qytetarëve, të gjithë shtresave të popullsisë për t’u bashkuar në një front të vetëm për të mundësuar largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij, si e keqja më e madhe e vendit”- shprehet Spaho.

Ndër të tjera, kreu i ligjvënësve demokratë thekson se me sezon protestash, opozita nuk synon ngritjen e çadrës së radhës në bulevardin para Kryeministrisë, por thekson se kauza me të cilën u thirr çadra e opozitës një vit më parë vijon të jetë ende aktuale edhe sot.

“Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e Qershorit 2017 ka evidentuar shitblerjen e votës si problemin e dytë më të rëndësishëm dhe ka kërkuar adresimin e këtij fenomeni kaq negativ për të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Një anketim i kryer nga një organizatë e huaj dhe financuar nga Bashkimi Europian ka konkluduar se 20 përqind të shqiptarëve u janë ofruar para në këmbim të votës. Me nivele të tilla të ndërhyrjes së parave me origjinë krimin përmbyset çdo rezultat zgjedhor. Pavarësisht se çadra nuk do të jetë fizikisht, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë parakusht për një qeverisje sipas vullnetit të votuesve dhe institucione demokratike, dhe ne do të vazhdojmë të luftojmë për to”- shprehet kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho.

Zoti Spaho, e diela dhe e hëna e kësaj ishin ditë intensive për partitë e djathta, të cilat kanë vendosur nisjen e protestave opozitare? Pse pikërisht tani një vendimmarrje e tillë?

Ne kemi deklaruar pas protestës së 18 Dhjetorit se viti i ardhshëm do të fillojë me protesta edhe më intensive, si vazhdim i protestës së 18 Dhjetorit. Tashmë jemi në prag të sezonit të ri politik dhe vendimmarrja është në kohën e duhur. Protestat do synojnë mobilizimin e gjithë qytetarëve shqiptare për t’ju kundërvënë krizës së madhe politike, ekonomike dhe morale që ka mbërthyer vendin; do t’i kundërvihet shkaktarit të kësaj gjendjeje që është Edi Rama dhe qeverisë së tij, të cilët nuk përfaqësojnë qytetarët shqiptarë, por trafiqet e drogës dhe krimin e organizuar në tërësi. Përditë e më shumë vendi po rrëshqet në destabilitet për shkak të papërgjegjshmërisë së Edi Ramës. Sot, rreth 300 mijë shqiptarë nuk sigurojnë bukën e gojës, gjysma e tyre nuk janë në gjendje të paguajnë faturat e energjisë elektrike dhe ujit dhe me mijëra largohen nga vendi. Nga ana tjetër, Edi Rama po zapton institucionet njëri pas tjetrit në tentativë për t’i shpëtuar llogaridhënies dhe daljes para drejtësisë. Po ndodh ajo që opozita ka përsëritur pambarimisht. Shkeli Kushtetutën për të kapur institucionet e drejtësisë për të shpëtuar bashkëfajtorët e tij në krim dhe vehten. Sajmir Tahirit ju kthye pasaporta; Orest Sota, megjithëse u kap me 863 mijë euro dhe dy patenta të Sajmir Tahirit, u lirua nga burgu, sikurse u lirua sot (dje) një tjetër i arrestuar i dosjes së Xibrakës. Në këto kushte detyra e opozitës është t’i drejtohet qytetarëve, të gjithë shtresave të popullsisë për t’u bashkuar në një front të vetëm për të mundësuar largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij, si e keqja më e madhe e vendit. Dhe ne këtë po bëjmë dhe do vazhdojmë ta bëjmë me të gjithë mjetet dhe forcat, një prej të cilave janë protestat.

Ndërkohë, zoti Basha la të kuptohej se nuk bëhet fjalë për një protestë, por paralajmëroi një sezon të gjatë protestash, a pritet të kemi sërish një çadër në bulevardin para Kryeministrisë?

Po do të ketë protesta njëra pas tjetrës deri sa vendi të dalë nga antikushtetueshmëria, delegjitimiteti i institucioneve dhe krijimi i premisave për t’i dhënë fund krizës politike, ekonomike dhe morale. Nuk do të ketë çadër, por kauza e çadrës mbetet aktuale. Objektivi i çadrës në radhë të parë ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të cilat sot askush nuk dyshon se u blenë me paratë e krimit dhe drogës. Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e Qershorit 2017 ka evidentuar shitblerjen e votës si problemin e dytë më të rëndësishëm dhe ka kërkuar adresimin e këtij fenomeni kaq negativ për të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Një anketim i kryer nga një organizatë e huaj dhe financuar nga Bashkimi Europian ka konkluduar se 20 përqind të shqiptarëve u janë ofruar para në këmbim të votës. Me nivele të tilla të ndërhyrjes së parave me origjinë krimin përmbyset çdo rezultat zgjedhor. Pavarësisht se çadra nuk do të jetë fizikisht, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë parakusht për një qeverisje sipas vullnetit të votuesve dhe institucione demokratike, dhe ne do të vazhdojmë të luftojmë për to.

Ndërkohë, mazhoranca duket se po ndërmerr masat e saj për të shuar sadopak revoltën e opozitës, duke liruar nga detyra kreun e Policisë së Shtetit Haki Çakon. Si i shikoni këto zhvillime?

Vërtetojnë ato që kemi thënë vazhdimisht, që policia është e inkriminuar deri në themel. E keni parë publikimin e përgjimeve të SHISH-it ku rreth 100 drejtues dhe oficerë policie janë përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e drogës? Përse duhet të na bëjë përshtypje Hakiu, kur eprori i tij, ish-Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri është organizatori, zbatuesi dhe mbrojtësi i kanabizimit të vendit dhe trafiqeve të drogës me bekimin e Edi Ramës. Problemi nuk zgjidhet me largimin e Hakiut, por me largimin e Edi Ramës dhe klikës që mban pas.

Loading...