Opozita nis protestat, por a ndjen frikë Rama?

Kryeministri Edi Rama, gjate nje seance parlamentare, ku eshte diskutuar projektligji per Arsimin e Larte. /r/n/r/nPrime Minister Edi Rama, during a parliamentary session.

Pas hezitimit disamujor opozita më në fund është në një qëndrim të përbashkët për nisjen e protestave masive dhe pandalim. Kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, drejtuesit e dy partive që përbëjnë dhe boshtin kryesor opozitar në vend, njoftuan organizmin e strukturave, jo në një protestë, por në një stinë protestash kundër qeverisë “Rama”. Detajet e protestave dhe mënyra sesi do të zhvillohen pritet të bëhen publike pas takimit të krerëve të koalicionit opozitar. Detajet e para flasin se tubimi masiv mund të nis me 27 janar.

Në shpjegimin që bënë para mediave, Lulzim Basha dhe Kryemadhi, renditën një sërë arsyesh se përse duhet protestuar. Basha, pas takimit me aleatët theksoi se protestat janë e vetmja zgjidhje për të risjellë në shinat e Kushtetutës, Republikën dhe shtetin që sipas tij është marrë peng nga Edi Rama. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, në konferencën me gazetarët veç arsyeve ligjore renditi dhe disa motive për të cilat LSI dhe qytetarët duhet të protestojnë, ku me kryesore janë varfëria ekonomike, taksat e larta dhe abuzimi e korrupsioni galopant i qeverisë “Rama”.

Skandalet që kanë shpërthyer në nisjen e mandatit të dytë qeverisës të Partisë Socialiste kanë krijuar terrenin, sipas opozitës, për një reagim të madh popullor. Dosja “Tahiri”, dosja “Habilaj” si dhe vendimet e fundit të drejtësisë dhe gjykatave ku po përfitojnë njerëz afër PS, janë motive që, sipas opozitës, do të sjellin një valë protestash që do të trondisë në themele mazhorancën e Partisë Socialiste.

Forcat opozitare premtojnë se protestat që do të nisin në janar kanë si qëllim rrëzimin e kryeministrit Edi Rama. Pas përvojës së hidhur të Partisë Demokratike me çadrën e vitit 2017, kryetari Basha u kujdes të jepte mesazhe të qarta. Ai tha se përsëritje të çadrës nuk do të ketë, por opozita ndryshe nga më parë do të jetë në krye të një revolte popullore me synimin final largimin e qeverisë “Rama”. Para nisjes së protestave situata pritet të përshkallëzohet edhe në Parlament. Lulzim Basha foli për një marrëdhënie të kushtëzuar mes opozitës dhe PS në Parlament. Në seancën e parë të këtij viti nuk do të jenë deputetët që u përjashtuan ditën që u zgjodh kryeprokurorja e re e përgjithshme e përkohshme dhe pritet që PD të mbajë një qëndrim parimor duke bojkotuar formalisht.

Pas shkeljes së konsensusit për reformën në drejtësi dhe skandaleve të njëpasnjëshme qeveritare me drogën dhe koncesionet, opozitës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të tregojë forcën në rrugë me protesta. Ndryshe nga sa më parë, këtë herë tubimet pritet të jenë masive dhe pa ndalim. Fillimisht protesta do të nis në Tiranë, ndërsa në ditët në vijim pritet të zhvillohet dhe në qytetet të tjera.

Por a ndjen frikë kryeministri Rama nga kjo valë protestash? Nuk besojmë se Edi Rama tronditet. Përkundrazi ai i përqesh. Ai e ndjen goditjen vetëm nëse opozita djeg mandatet e deputetit në mënëyrë publike ose nëse opozita qëndron ditë-natë para kryeministrisë.

Q.Xh.