Boçi: Protestat me pa ”çadër” rrëzojnë Ramën; Në BE jo me “fasada”

Flet për “Koha Jonë”, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi: Rama kap drejtësinë, prokuroren, KLP, urdhëron me mijëra marifete e mënyra me kodime e presione, lirim e x-it apo y-it

Intervistoi: Redjon Shtylla

“Rama dashurinë e vet me krimin kërkon ta shesë si xhelozi të opozitës për Europën”, kështu i përgjigjet deputeti demokrat, Luçiano Boçi, fjalëve të PS se opozita është bërë bojkotuese e integrimit. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Boçi thekson se 2018 është viti i padrejtësisë kushtetuese. “Horoskopi politik i mazhorancës nuk i jep shumë shanse drejtësisë”. Për zërat e ngritjes së një çadre të dytë, Boçi nënvizon qartësisht se me protetsa qytetare kjo qeveri rrëzohet për të rrëzuar, pasi është qëllim i qartë dhe i paekuivok. Në fund ka edhe një “këshillë” për kryeministrin Rama. “Kanabisi si një “kuti pandore”, nuk e ka shpërthyer efektin e tij trullosës, pavarësisht përpjekjeve maksimale që po bëhen, duke shkelur deri mbi kushtetutën, për të ndërprerë me domosdo “rrjedhjet” e pasojave”.

z.Rama i bëri thirrje kreut Basha nga Asambleja e PS, që opozita nuk mund të bëhet problem i negociatave. Keni një reagim për këtë edhe për akuzën se PD-ja është bërë bllokuese?

PD-ja as në mazhorancë e as në opozitë nuk ka qenë ndonjëherë problem i negociatave. Përkundrazi i ka iniciuar ose i ka shtyrë të ecin përpara. Më vjen keq që Rama dashurinë e vet me krimin kërkon ta shesë si xhelozi të opozitës për Europën. PD-ja nuk mund të akuzohet bllokuese sepse thotë të vërtetën për qeverisjen e Ramës. Heshtja e opozitës nuk mund të jetë floriri i Ramës. Ne nuk mund të hyjmë në europë me “fasada” alla Rama, sipas parimit të Nastradinit “ha binish mish”, por me vlera. Opozita nuk është perdja prapa së cilës Rama mund të fshehë dramën shqiptare të drogës, të kriminalizimit, të politikës, të krimit zgjedhor, të azilkërkimit masiv, të papunësisë, të mungesës së shpresës. Europa që pretendojmë ne, është tjetër gjë. Mos harrojë Rama kur “bubëllinte” që ne Europën do ta ndërtojmë këtu. Ku e ka “parajsën” e premtuar?!

PD-ja ka folur për dosje të politikanëve dhe ministrave që janë në hetim, por mund të dimë se për kë flitet? Mban selia blu një kartë të fortë ndaj qeverisë Rama?

Mjafton së pari të shohësh raportet e vetë Kontrollit të lartë të shtetit dhe të perceptosh shkallën e lartë të hajdutërisë, shpërdorimit të fondeve dhe të korrupsionit në Shqipëri. Miliardat e konstatuara e të vërtetuara si të grabitura, i përkasin dikastereve të caktuar që lidhen me emra konkretë ministrash e me emrin e vetë kryeministrit. Denoncimet përkatëse janë drejt rrugës ligjore të domosdoshme, që çojnë në hetimin e këtyre zyrtarëve të lartë. Duhet thjesht vullnet nga organet ligjzbatuese. Përpos kësaj, së dyti, aferat e denoncuara të koncesioneve abuzive si dhe të inceneratorëve, si ai i Elbasanit, Fierit e Tiranës, prej së cilës “mafia e plehrave” po konsolidon perandorinë e saj, janë të lidhura me emra individësh implikimi i të cilëve të çon drejtpërdrejt tek përfituesit realë, qeveritarët. Nxitja e prokurorisë për të hapur këto çështje hetimore, përkundrejt emrave konkretë, duket e domosdoshme dhe kërkesë e jona e përhershme. Së treti por jo e treta nga rëndësia “kanabisi” si një “kuti pandore”, ende nuk e ka shpërthyer efektin e tij trullosës, pavarësisht përpjekjeve maksimale që po bëhen, duke shkelur deri mbi kushtetutën, për të ndërprerë me domosdo “rrjedhjet” e pasojave. Tahiri është vetëm një episod nga seriali i gjatë i fuzionit të kësaj mazhorance me botën e krimit. Loja sapo ashtë hapur pavarësisht se dikush kërkon ta mbyllë.

2018-a është cilësuar viti i drejtësisë dhe ndëshkimit të politikanëve të korruptuar. Po punon qeveria që rrjeta e peshqëve të hidhet në kampin opozitar?

Është folur më shumë për Janarin dhe për disa peshq, pasi si vit ironikisht mund të quhet si vit “i drejtësisë” së përkohëshme ose të njëanshme. Thënë më saktë mund të quhet si viti i padrejtësisë kushtetuese. “Horoskopi” politik i mazhorancës nuk i jep shumë shanse drejtësisë. Dëmi tashmë është prodhuar dhe kapja e saj është një fakt i pakthyeshëm. Ndikimi nëpërmjet emërimit politik të kryeprokurorit është me pasoja domino fatale për reformën e pretenduar të drejtësisë. Por dhe për Janarin duket se ka një nonsens. Peshku Ramë ka marrë rolin e peshkatarit dhe nga ky pretendohet se do kapë shokët. Kjo nuk duket e besueshme dhe nxit humor të hidhur. Pafajësia e Prengës, lirimi i Sotës nga një anë dhe arrestimi i protestuesve të thjeshtë që mbrojtën kushtetutën në anën tjetër, e dëshmojnë qartë shqetësimin tonë. E vetmja pikëpyetje që qarkullon tashmë nuk është se sa pushtetarë të korruptuar do e pësojnë, por nëse Rama do ta kapë drejtësinë mjaftueshëm, apo do ta kapë atë maksimalisht. Unë besoj se midis këtyre dy alternativave me hapat që po ndërmerr dhe për shkak të situatës së sikletshme në të cilën gjendet, Rama po realizon kapjen totale të drejtësisë. Sesa mund të flitet pas kësaj nëse 2018-a konsiderohet si vit i drejtësisë apo jo këtë vetëm Ulsi me Vasilikën e dinë. Fabrikimi i një rrjete për opozitën mbetet ëndrra fëminore e pandryshueshme e Ramës. Këtë ai ka kohë që e thur. Në disa raste dhe e ka hedhur, pavarësisht se i është grisur gjithmonë. Të sigurohet vetë nga një rrjetë e mundshme, pavarësisht se tani është vetëmëruar peshkatar i madh dhe më pas të tentojë t’ia hedhë atë si veladon faji opozitës.

Si e gjen ky vit PD-në? Kryetari Basha ka folur për rifillimin e protestave javët e para të janarit, por konkretisht si do të veprohet?

PD-ja ka kaluar në një proces konsultim-analize të gjithë strukturën e saj në kontekstin e rezultatit të zgjedhjeve të kaluara dhe të situatës aktuale politike dhe do ndjekë fazat e një ripërtëritje organizative brenda normave statuture e kohore të parashikuara. Rifillimi i protestave është një reagim politik opozitar i kërkesës së vazhdueshme që vjen nga qytetarët. Mungesa e së ardhmes, papunësia reale, mjerim ekonomik i shumicës së shqiptarëve, degradimi i prekshëm arsimor e shëndetësor, korrupsioni ulëritës, skllavërimi modern i fermerit, triumfi i antivlerave, sundimi i krimit, shpërfillja e ligjit, tallja pa limit e me dhunë e biznesit dhe e votuesit, ngushtimi i hapësirave të lirisë së individit, të medias dhe jetës sociale që preken çdo ditë besoj se janë të mjaftueshme që një opozitë të drejtojë e të nxisë reagimin qytetar. Shtoji si fitil kësaj panorame të zymtë, arbitrariten e një pushteti që kërkon të bëhet “vetë vali e vetë kadi”, duke i grisur në sy të gjithë shqiptarëve kushtetutën dhe gjithçka bëhet eksploduese.

Zëra flasin për ngritjen e “çadrës 2” që mund të çojë në rrëzimin e qeverisë. Kjo lloj rezistence e demokratëve sa është e mundur? Cilat janë skenarët e tjerë të protestave?

Protestat në thelbin e tyre nuk janë shfaqje, janë protesta me rezistencë e revoltë brenda, pavarësisht kuriozitetit mediatik që i parashoqëron. Si të tilla nuk mund të kenë një skenar plotësisht të parashikueshëm për to sikurse mund të ketë shumë hamendësime si këto “me çadra” apo “pa çadra”. E rëndësishme është që qëllimi i tyre është i qartë dhe i paekuivok; rrëzimin e këtij regjimi kaste të kriminalizuar. Gjërat e tjera janë pjesë e zbulesës hap pas hapi.

Në protestën e 18 dhjetorit përpara kuvendit, protestuesit ishit të gatshëm për të hyrë në kuvend. Do të provohet forca e turmës për të marrë përpara qeverinë? Do të kemi një 21 Janar të dytë?

Këto hyjnë tek gjërat “e natyrshme”, të përshkallëzimit të një proteste dhe jo domosdo për to duhet të supozohet se ka një parapërgatitje. Reagimi njerëzve atë ditë të parlamentit ishte instiktiv mbrojtës normal, ndaj një dhune që ju bë dokumentit kryesor të një shteti nga një mazhorancë ilegjitime, dokumentit që garanton shtetasit në lirinë dhe të drejtat e tyre dhe që duhet të saksionojë të ardhmen e sigurtë të tyre, që mjerisht nga ajo ditë është akoma më pak e sigurt. Atë ditë njerëzit u ndjenë të dhunuar dhe zhveshur nga dinjiteti ligjor. Reagimi ndryshe do ishte më pas i çuditshëm dhe jo ai që realizuan me të drejtë protestuesit. Frika e gjithëkahershme që shfaqet sa herë opozita bën protestë është një shtojcë e propagandës së përditshme për të larguar njerëzit nga mbështetja e protestës. Opozita ka bërë disa të tilla, gjigande madje, dhe asnjëra nuk i ka ngjarë as në formë dhe as në përmbajtje 21 Janarit të shëmtuar revanshist të së majtës. Përkundrazi kanë qenë qytetare, të paqta, me mezazhe të plota dhe mbresëlënëse. Qytetarët ashtu vendosën për to. Është e drejta e tyre të zgjedhin formën reaguese për një “mal që s’bëzan”. Sido që të jetë të jeni të sigurt se do jenë qytetare, pra shprehje e dëshirës dhe e vullnetit të tyre.

z.Basha e ka parë si të mundur propozimin e ish-kryeministrit Berisha për djegien e mandateve. Çfarë komenti keni lidhur me këtë?

Është një propozim që mbetet në tavolinë. Si akt ai gjeneron një forcë të madhe morale, por duhet të ndiqen me kujdes ato hapa që njëkohësisht, të sjellë dhe një pasojë politike të përmasave që ky akt i djegjes së mandateve, parashikon si i tillë. Zhvillimet politike në vend të shtyjnë gjithnjë e më shumë drejt tij, por realizimi duhet të rakordohet dhe me akte të tjera deri në ezaurim të plotë të tyre. Njëkohësisht duhet një ndërveprim e dakortësim i plotë i forcave opozitare për këtë. Në kohën dhe momentin e duhur ai mund të japë dhe rezultatin e dëshiruar. Gjithsesi tashmë mandatet, me deklaratat e bëra duket se janë “zare të hedhura”. Çdo gjë mund të ndodhë.

Lirimi i Sotës, ekstradimi i “Financierit të Habiljave” në Itali dhe kthimi i pasaportës Tahirit, janë hapa që tregojnë se ish-ministri do të dalë i pastër nga dosja?

Këtu në këtë lojë, nuk bëhet fjalë thjesht për fatin personal të Tahirit, por për fatin politik të Edi Ramës dhe të qeverisjes. Për opinionin publik, tashmë me daljen e përgjimeve çdo gjë është e qartë. Kjo ka bërë që të ndryshojë shumë muzika e lojës dhe piketat e dhëna nga ju, nuk dëshmojnë rënie graduale fajësie për Tahirin, por shtim fajësie graduale për Ramën. Brenda kësaj dyshe po luhet loja “polici-hajduti(trafikanti)”, në një dinamikë ku të dy janë dhe policë dhe trafikantë realë. Në këtë mes drejtësia duket e asfiksuar plotësisht dhe e dalë jashtë loje pas aktit të mazhorancës më 18 dhjetor. Në një rast bëhet polic ish-ministri dhe në një rast tjetër është polic Rama dhe sikurse në një rast trafikanti është Tahiri dhe në rastin tjetër Rama.  Në fund të dy me mjetet që kanë përpiqen të ruajnë njëri-tjetrin. Rama kap drejtësinë, prokuroren, KLP, urdhëron me mijëra marifete e mënyra me kodime e presione, lirim e x-it apo y-it, mosfillimin e çështjes për të tjerë të implikuar. Tahiri ruan informacionin që disponon që ka brenda Ramën. Një dorë lan tjetrën, të dyja (të dy) lajnë fytyrën e pistë të politkës së kësaj mazhorancë të bërë llum nga koka tek këmbët.

Loading...