“Bilanci i 100 ditëve”, Ervin Bushati: Opozita është një adoleshente e paduruar

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati i ftuar në Fax News ka folur për ndryshimet që ka bërë qeveria në 100 ditë pushtet. Ashtu si dhe kryeministri Edi Rama, edhe  Bushati ndan mendimin se reforma e ujit është shumë e vështirë të arrihet dhe nuk do të ketë një realizim të saj as pas 4 vitesh qeverisje.

“Nuk kemi thënë që në 100 ditë pushtet do të bëjmë investime reale. Nga një sistem i shkatërruar dhe i shpërdoruar siç ishte, nuk mund të pretendojmë që brenda kaq pak kohe të jetë bërë një ndryshim i madh. Është shumë e vështirë, madje as deri në fund të mandatit nuk do të jetë përfunduar kjo reformë. Nuk jemi magjistarë që të realizojmë gjithçka në 100 ditë. Por jemi të kënaqur që energjia elektrike nuk është më një pushkë elektorale,”- tha Bushati.

Duke u ndalur tek ekonomia shqiptare dhe pritshmëritë e mazhorancës për vitin që sapo ka nisur, anëtari socialist i Komisionit të Ekonomisë u shpreh se janë regjistruar rreth 30 mijë biznese dhe është rritur besimi i qytetarëve shqiptarë në vendin e tyre.

“Qytetarët shqiptarë kanë më tepër besim në ekonominë e vendit, pasi janë regjistruar shumë më tepër biznese. Kemi arritur të mbledhim rreth 28% të mbledhjes totale të taksave në raport me GDP-në. po rriten ndërtimet dhe investimet dhe kjo është një gjë pozitive.”- vijoi më tej deputeti i PS-së.

Në lidhje me marrëdhënien me opozitën, Ervin Bushati e konsideroi opozitën një adoleshente të papjekur që me zor pret të ulet në vendin e Kryeministrit për të dëmtuar.

“Shqipëria është aq shumë larg standardeve europiane, saqë të merremi me opozitën më duket gjeja më e pakonsiderueshme. Ne garën politike nuk e kemi me opozitën”, tha Bushati. Për sa i përket çështjes së reformës në drejtësi, Ervin Bushati u shpreh se është diçka e vërtetë, nuk është më një paralajmërim.

“Këta janë si ajo përralla e ujkut, “ujku, ujku” dhe ja fusin gjumit. Por nuk është më kështu. Ka ardhur momenti që reforma në drejtësi të vihet në zbatim. Partitë opozitare menduan se ishte një farsë. I pashë teksa erdhën të votonin por më pas ndaluan së votuari. Dhe nxorën pretekstin se kjo ka të bëjë me sovranitetin e udhëheqësit. Por nuk është kështu. Nuk mund të them që Partia Socialiste e pret me krahë hapur, por është diçka që duhet bërë”, tha Bushati.

Në lidhje me turizmin deputeti socialist tha se në mandatin e dytë të qeverisë “Rama” do të bëhen investime prej gjysmë miliardë dollarë në infrastrukturë, do të japin rezultate dhe në rritjen e turizmit pasi është prioriteti i qeverisë.