Dorëzimi i armëve, zbardhet rezultatet e nismës së policisë

Nisma e policisë për dorëzimin vullnetar të armëve duket se ka dështuar për t’i dhënë fund këtij fenomeni. Top Channel, shkruan se deri në prill të 2017-ës rezulton të jenë mbledhur një numër shumë i vogël armësh krahasuar me ato që dolën nga depot e ushtrisë në 1997-ën.

Policia e Shtetit kërkoi që amnistia të shtyhej deri në fund të dhjetorit që lam pas, por për arsye të paqarta parlamenti, nuk e miratoi. Komisioni i Sigurisë Kombëtare dha pëlqimin. Po ashtu nuk u mor parasysh as propozimi i deputetit Paulin Sterkaj, që çdo familjeje që dorëzonte një armë, t’u jepej në këmbim një lap-top.

Të vrarët nga plumbat që binin si shi nga qielli në 1997-ën, raportoheshin çdo ditë. Por zakoni i vjetër nuk është harruar. Një 16-vjeçar në Laç humbi jetën në tarracën e banesës nga një plumb qorr, por sipas burimeve nga policia, të shtëna me armë janë konstatuar në të gjithë qytetet e vendit.