Gruaja var veten në kasolle, familjarët fshehin ngjarjen

Doktoresha e spitalit të Shkodrës është nën hetim në gjendje të lirë, pasi akuzohet se nuk ka plotësuar saktë raportin e vdekjes së një gruaje, e cila u transportua në spital e pajetë nga dy të afërm. Policia nisi procedimin penal edhe për këta të fundit XH.A dhe U.XH., kunetër me njeri-tjetrin, pasi rezultoi se fshehën motivet e ndarjes nga jeta të vjehrrës së tyre.

Zyrtarisht, policia njofton se dje u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër për 58-vjeçaren S.S., mjeke në spitalin e qytetit dhe XH.A dhe U.XH. Këta të fundit kanë dërguar në urgjencën e spitalit Shkodër të pajetë vjehrrën e tyre, B.M. 56 vjeçe, banuese në fshatin Berdic dhe kanë fshehur arsyen e vdekjes.

Burime thanë se ata kanë deklaruar para uniformave blu se vdekja e 56-vjeçares ka ardhur pasi B.M. është rrëzuar nga shkallët në banesë, por sipas hetimeve të policisë, rezultoi se ajo ka vrarë veten në një kasolles pranë banesës.

Ndaj të dyve rëndon akuza për veprën penale kallëzim i rremë.

Ndërkohë, doktoresha e urgjencës së spitalit Rajonal Shkodër, akuzohet për shpërdorim detyre.