Viti 2018- viti i drejtësisë apo i pabesive dhe kulisave?

Tashmë kemi hyrë në vitin 2018. Në këtë vit pritet zyrtarizimi i dhënies se statusit të Shqipërisë nga vendet anëtare të BE, ndonëse vende si Hollanda apo ndonjë tjetër mund të vendosin të drejtën e vetos për mosdhënien e statusit. Kryesore këtë vit pritet të jenë emrat VIP nga politika që do privohen nga Drejtësia për korrupsion apo lidhje me krimin e organizuar. Ambasadori amerikan Lu ka premtuar se në janar kapet “peshku i madh”, por me shumë duket si deklaratë për të frikësuar se sa do të ndodhë në realitet. Megjithatë reforma në drejtësi filloi si një drejtësi mbi palët, por nisur me çfarë është vërejtur deri në fund të dhjetorit të vitit që sapo iku, duket se mjeshtërisht kryeministri Edi Rama po e fut në dorë sistemin e drejtësisë. Duke shfrytëzuar pushtetin ekzekutiv, atë mediatik të cilin e ka pothuaj krejt nën kontroll, biznesin që rri poshtë “dardhës” kryeministrore si dhe me ndihmën e pakursyer të dy ambasadorëve Lu dhe Vlahutin; Edi Rama po e kullufit drejtësinë.

Kjo e deformon krejt reformën dhe dëshirën popullore për një drejtësi të pavarur. Njëherë e kishte Berisha për shumë vite këtë pushtet drejtësi, kurse tani po e merr Edi Rama.

Ndaj do të fillojnë kulisat, makinacionet dhe pazaret se “kujt t’ia fusim” që të shpëtojmë për vete, pasi disa koka do çohen në gijotinë sepse duhen për t’ia paraqitur BE dhe Uashingtonit.

Përveç reformës në drejtësi, e cila do shkundë shumë energji se “kujt do t’ia fusin”, por jo një drejtësi e pavarur, viti 2018 do jetë viti i ethshëm politik nga PD-LSI, të cilat nga informacionet brenda kampeve të tyre politike, thuhet se do kenë një përballje frontale dhe ballas me pushtetin qeveritar të Edi Ramës, çka do përfundojë me delegjimitet të parlamentit. E përkthyer me shqip, djegie mandatesh të deputetëve të opozitës, pas një përplasje të fortë me popull te kryeministria.