Njihu me njësinë më të “egër” të Policisë së Kosovës (VIDEO)

Policia e Kosovës është strukturuar me të gjitha njësitet e saj të nevojshme për të garantuar sigurinë në të gjithë territorin e vendit.

E pjesë e kësaj strukture është edhe Njësia Speciale Intervenuese, njohur si “NJSI”. Pjesëtarët e kësaj njësie kanë një përgatitje të lartë, fizike dhe mendore për t’u përballur me të gjithë situatat e mundshme dhe t’u përgjigjen thirrjeve për ndërhyrje në shërbim të qytetarëve në çdo moment, pavarësisht rrezikshmërisë.

Njësia Speciale Intervenuese, e njohur më parë si FIT, është formuar në vitin 2006-2007 dhe operon në të gjithë territorin e Kosovës.

“Indeksonline” ka qëndruar një ditë në kampin e NJSI-së, ku edhe ka parë nga afër përgatitjen e trajnimin e jashtëzakonshëm që bëjnë pjesëtarët e saj.

Komandanti i njësitit, Majori Alban Jetullahu ka treguar për punën dhe sfidat që kanë ata. Ai thotë se statistikisht ky njësit numëron një numër të madh të ndërhyrjeve në Kosovë.

“Gjatë intervenimeve tona kanë qenë të suksesshme. Nuk kemi lejuar as mundësi të ndonjë rezistence, e cila do të lëndonte trupin e pjesëtarëve tanë. Kemi shumë pak raste kur është lënduar, apo është cenuar jeta e ndonjë personi në anën tjetër. Kjo është falë shkathtësive që i ka njësia, befasisë, shpejtësisë dhe dhunës në veprime. Mirëpo kjo e fundit nuk nënkupton domosdo përdorimin e dhunës, por vetë prezenca e pjesëtarëve të pajisur, i fuqishëm dhe i përgatitur fizikisht e zgjidh situatën”, shpjegon ai.