Ndalimi i protestuesve, Basha: Rama po firmos fundin e tij politik

Në reagimin e parë për 2018, kreu demokrat, Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Rama, për ndalimin e protestuesve. Basha ka dënuar ndalimin në kufi të disa prej protestuesve që morën pjesë në protestën e 18 Dhjetorit ditën e hënë përpara Parlamentit.

Në një status në rrjetin social facebook, Basha akuzon Kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të frikësojë qytetarët. Ky veprim, sipas Bashës, do të sjellë fundin politik të Ramës.

”Burgosja e qytetarëve nuk e shpeton dot Edi Ramën, sepse një popull të tërë nuk e burgos dot. Me akte të tilla Edi Rama nuk bën gjë tjetër veçse po firmos me shpejtësi fundin e tij politik”,-shkruan Basha.

Më shumë se 15 persona që protestuan para parlamentit ditën e zgjedhjes së Kryeprokurores së re janë ndaluar në pikat e kalimit kufitar ditët e fundit të vitit. Bëhet fjalë për protestuesit të cilët çanë kordonin e policisë.

Mes të ndaluarve është edhe ish-sheshi i FNSH Osman Levanaku. Të gjithë të ndaluarit kanë qenë në kërkim policor dhe një pjesë e tyre janë liruar pasi janë marrë në pyetje.

Statusi i plotë i Lulzim Bashës

Ndalimi i protestuesve edhe në natën e ndërrimit të viteve është reagim prej frikacaku i Edi Ramës nga zemërimi masiv i qytetarëve, që falë bashkëqeverisjes së tij me krimin, janë sot më të varfrit në Europë.

Ndërsa me bekimin e tij kalojnë tonelata droge drejt Italisë, policia e urdhëruar nga Edi Rama dhe vellai i trafikantit të drogës, Fatmir Xhafa, po ndalon qytetarët qe u ngritën kundër dhunimit të Kushtetutës, kundër emërimit të Edi Ramës kryeprokuror.

Këto janë shenjat e tmerrit që i ka kapur nga protesta e rradhës. Burgosja e qytetarëve nuk e shpeton dot Edi Ramën, sepse një popull të tërë nuk e burgos dot. Burgu është vendi për trafikantët, bashkëpuntorët e krimit në pushtet, për të korruptuarit që Edi Rama po bën gjithcka për t’i mbrojtur, jo për qytetarët që ngrihen se nuk sigurojnë dot bukën e fëmijeve të tyre, ngrohjen në këtë dimër të acartë, nuk paguajnë dot faturat që rriten çdo vit.

Me akte të tilla Edi Rama nuk bën gjë tjetër veçse po firmos me shpejtësi fundin e tij politik. Shqiptarët e vranë frikën 28 vite më parë. Kushdo që përpiqet të rikthejë sundimin përmes frikës, do të ketë të njëjtin fund!