Lleshi drejton faqen më të madhe të Shqiptarëve në Londër, histori me krim

Tabloiti britanik ”Daily Mail”, në një shkrim të fundit mbi shqiptarët, shkruan se ka zbuluar administratorin e një faqe “Facebook-u” të quajtur “Albanians in London” (shqiptarët në Londër).

Sipas ”Daily Mail”, administratori është një shqiptar i quajtur Fari Lleshi nga Kukësi. Në vitin 2011 ai ishte dënuar në Itali për grabitjen e 20 mijë Paundëve, së bashku me bashkëpunëtorët e tij. Pasi vuajti dënimin dhe u lirua nga burgu, ai emigroi drejti Britanisë së Madhe duke hyrë ilegalisht në vend. Aty ai punoi si murator dhe tani drejton faqen “Shqiptarët në Londër” që ka më shumë se 70 mijë ndjekës.

Në një intervistë për “Daily Mail” Lleshi është shprehur se:“Kam qëndruar 6 vite në burg në Trento. Grabita bankën. Por, i kam shlyer detyrimet e mia. Dua t’i harroj ato gabime, të cilat nuk më pëlqejnë”.

Leshi u largua nga Shqipëria drejt Greqisë e më pas në Itali për një jetë më të mirë. Pasi doli nga burgu në Itali, ai punoi ligjërisht edhe për pak kohë aty, para se të emigronte për në Britani.

”Humba dokumentet e mia dhe nuk mund të rrija në Itali, kështu që shkova në Angli. Si të gjithë shqiptarët, kam ardhur me kamion. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të udhëtuar në Angli”, tregon ai, duke shtuar se po qëndron me dokumente të parregullta dhe po përpiqet të jetojë me punë të ndershme për të fituar sa më shumë të ardhura.