2018, Mogherini: Vit vendimtar, busulla e integrimit…

2018 është vit i vendimeve të rëndësishme për rrugën e vendeve të Ballkanit drejt bllokut të BE-së. Kështu të paktën e sheh shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini.

2017 u shoqërua me deklarata të forta nga qeveria shqiptare, duke theksuar se gjatë këtij viti, vendi do të hap negociatat e anëtarësimit. Deri sa të vijë kjo ditë, shqiptarët kanë shprehur revoltën për këtë sistem.

Në blogun e saj Mogherini ka përmendur 12 momente të veçanta që kanë shënuar vitin që lamë pas, ku tregon besimin se viti 2018 do të jetë vendimtar për të ardhmen europiane të Ballkanit. Ajo thotë se falë vendimeve të guximshme dhe pune të fortë që bëmë bashkë këto kriza janë adresuar dhe shumica janë zgjidhur.

“Ky nuk ishte një vit i lehtë për Ballkanin. Kam vizituar gjashtë kryeqytete të rajonit në një nga momentet më të vështira, në disa raste, koha e krizës së thellë politike. Sot, falë vendimeve të guximshme dhe pune të fortë që bëmë bashkë këto kriza janë adresuar dhe shumica janë zgjidhur. Rruga për reforma ka rifilluar (edhe pse ka ende shumë punë) dhe busulla e integrimit europian po tregon rrugën. 2018 të jetë një vit vendimtar që kjo rrugë të forcohet dhe të bëhet e pakthyeshme. Ky do të ishte një rezultat i rëndësishëm jo vetëm për rajonin, por për të gjithë Europën”, shkruan Mogherini për situatën ku gjendet Ballkani.