Vjollca Hoxha: Top Media nuk ka dhe nuk do të ketë rivalë, përveç Top Media-s

Presidentja e Top Media, Vjollca Hoxha ka uruar për festat e fundvitit duke shpalosur dhe projektet e reja të medias që ajo drejton.

Në një mesazh publikuar në faqen online të Top Channel, Presidentja e Top Medias, mes të tjerave, shprehet: “dhjetëvjeçari i fundit provoi se shqiptarët kishin nevojë për Top Media-n, e cila u përcolli të vërtetën në shtëpi dhe i ndriçoi ditët me kënaqësi duke ua bërë jetën më të lehtë dhe më të gëzueshme. Ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë, me më shumë pasion, me më shumë realizëm, me më shumë shpejtësi dhe me një cilësi të pakrahasueshme me askënd tjetër. Top Media nuk ka dhe nuk do të ketë rivalë, përveç Top Media-s”.

Urimi i Presidentes së Top Medias, Vjollca Hoxha për festat:

“Më lejoni t’ju uroj të gjithëve një vit të mbarë dhe të lumtur në emrin tim dhe të familjes sime.

 Top Media mbylli një vit dhe po hap një epokë. Nga sot ne hyjmë në një tjetër vit kalendarik dhe në një kohë të re televizive! Nga sot ne jemi një vit më të mëdhenj, por Top Media duhet të jetë një dekadë më e freskët.

Dhjetëvjeçari i fundit provoi se shqiptarët kishin nevojë për Top Media-n, e cila u përcolli të vërtetën në shtëpi dhe i ndriçoi ditët me kënaqësi duke ua bërë jetën më të lehtë dhe më të gëzueshme. Ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë, me më shumë pasion, me më shumë realizëm, me më shumë shpejtësi dhe me një cilësi të pakrahasueshme me askënd tjetër. Top Media nuk ka dhe nuk do të ketë rivalë, përveç Top Media-s.

Unë kam besim se projekti ynë do të rritet dhe do të shkëlqejë, siç ka ndodhur gjatë gjithë këtyre viteve duke mbështetur idetë dhe kurajon tuaj profesionale. Jam po aq e vendosur dhe e motivuar që ta vazhdoj me të njëjtën dëshirë dhe përkushtim, që të gjithë bashkë ta kthejmë Top Media-n në shtëpinë kryesore të informacionit dhe së vërtetës në Shqipëri.

Viti që po mbyllet më ka mësuar shumë gjëra, por veçanërisht njërën prej tyre dua ta ndaj sot me ju. E vërteta nuk ka çmim dhe se asnjë çmim nuk mund ta blejë atë. Prandaj, sot e konsideroj Top Media-n si një pronë të përbashkët të ekipit tonë dhe padyshim edhe të gjithë shqipëtarëve. Kjo pronë quhet Shtëpia e të Vërtetës.

Duke bërë bilancin e asaj që ka kaluar, jam e lumtur të shoh sesa shumë të rinjve u kemi dhënë mundësi të realizojnë endrrat e tyre, sa shumë profesionistëve u kemi garantuar një skenë ku të ndjehen të përmbushur, sa shumë gazetarëve, aktorëve, këngëtarëve, regjisorëve dhe teknikëve u kemi krijuar një platformë suksesi dhe mirëqënie. Por, ashtu si në çdo familje dhe në çdo shtëpi ku brezat ia lënë vendin njëri-tjetrit, ashtu do të ndodhë edhe me Top Media-n. Ne do të motivojmë dhe do të mbështesim më guximtarët, më të devotshmit dhe më të talentuarit. Unë do të bëj gjithçka që mundem që më të aftët dhe më guximtarët të shkojnë përpara duke e rritur dhe modernizuar shtëpinë tonë, e cila ka vend për të gjithë ata që e duan dhe që këtë dashuri e transmetojnë në ekran.

Jam e bindur se bashkarisht do të hapim një epokë të re.

Urime të gjithëve dhe mbarësi!

Gëzuar 2018!