Zoran Zaev privatisht në Selanik, por me simbolikë të fortë

Greqia e Maqedonia grinden në mënyrë të vazhdueshme për çështjen e emrit. Për Vitin e Ri kreu i qeverisë maqedonase, Zoran Zaev viziton Selanikun, zyrtarisht vizitë private. Por ajo shihet si shenjë e rëndësishme afrimi. Një vizitë e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev tek kryebashkiaku i Selanikut, Giannis Boutaris? Pas vitesh marrëdhëniesh të tensionuara mes Greqisë dhe Maqedonisë, kjo duket si një vizitë historike. Një vizitë që duhej festuar me pritje zyrtare, dalje të përbashkëta publike e nën shoqërimin e shtypit. Por zyrtarisht Zoran Zaev nuk vjen në krahinën veriore greke, Makedonia si kryeministër i Maqedonisë, por si Zoran, që do të festojë tek miku i tij, Giannis festën e Vitit të Ri. Opinioni publik dhe shtypi nuk marrin pjesë. Mund të pyesësh, se në cilin moment fillon vizita historike në aeroportin Makedonia, aeroportin grek që mban edhe emrin e vendit fqinjë. Pra që në këtë pikë kuptohet potenciali i konfliktit, që do të sillte një vizitë zyrtare. Për Greqinë zyrtarisht nuk ekziston një shtet me emrin Maqedoni. 26 vite konflikt mes dy vendeve fqinje me pasoja të mëdha.

Boutaris Bürgermeister von Thessaloniki (SAKIS MITROLIDIS/AFP/Getty Images)Giannis Boutaris

Konflikt për emrin dhe kulturën

Shpërbërja e Jugosllavisë solli me vete në vitin 1991 edhe një republikë të re, që zgjodhi emrin Maqedoni. Fqinji grek, që ka një krahinë me këtë emër, e kuptoi këtë si një fyerje të rëndë. Që atëherë zhvillohet një luftë kulturore mes dy vendeve, një luftë që ka si pasojë mospranimin e Maqedonisë në NATO dhe vonesat në integrimin në BE.

Kur Maqedonia u pranua në vitin 1993 si shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara, kjo u bë vetëm me kompromisin FYROM – Former Yugoslav Republic of Macedonia –Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Kjo solli njohjen ndërkombëtare të vendit, por jo zgjidhjen e konfliktit me Greqinë. Kampet agjitative të të dyja vendeve vazhdojnë luftën – Aleksandri i Madh ka qenë maqedonas dhe jo grek, thotë Shkupi. Zërat ultranacionalistë maqedonas madje e shohin Selanikun si qytet të pushtuar. Pala greke akuzon fqinjen për vjedhje kulturore. Në kurriz të historisë greke vidhet e arnohet artificialisht një identitet kulturor, dhe injorohet përkatësia në Ballkan. Në autostradat greke nuk gjen tabela me emrin Maqedoni. Vetëm emrin „Shkup” gjen në drejtim të kufirit.

Tone të zbutura nga Maqedonia

Pas rënies së kryeministrit Nikola Gruevski, toni i Maqedonisë ka ndryshuar. Nëse Gruevski ngriti përmendore për Aleksandrin e Madh, Zaev drejton tone pajtuese drejt Greqisë, bën fjalë për një marrëdhënie miqësore dhe kërkon kompromise politike dhe kulturore. Por Zoran Zaev shpreson më shumë se një marrëdhënie të mirë. Ekonomia maqedonase nuk po ecën mirë. Papunësia është e lartë dhe situata politike me vendet fqinje si Shqipëria, Serbia apo Bullgaria përmban potencial konflikti. Qëllimi i Zaevit: Anëtarësia e dëshiruar prej kaq shumë kohësh në BE dhe NATO për ta stabilizur vendin.

Të dyja këto anëtarësi do të krijonin marrëdhënie të qarta në Ballkan. NATO do ta lidhte Maqedoninë përfundimisht me perëndimin dhe t’ia priste dëshirat Moskës. Një anëtarësim në BE do ta nxirrte këtë vend nga problemet ekonomike dhe politike. Këtë interes duhet ta kishte edhe Greqia në krizë. Por nga Athina nuk po dëgjohen tone lëshimi në drejtim të emrit. Sidomos Kyriakos Mitsotakis, kreu i partisë opozitare Nea Demokratia shpreson të marrë vota me këtë politikë nga kampi konservator në vitin 2019.

Griechenland Parlament (Getty Images/AFP/A. Tzortzinis)Tsipras nuk pozicionet ende për tonet e reja të fqinjit maqedonas

Selaniku si ndërmjetësues

Kryeministri grek Alexis Tsipras nuk po pozicionohet. Vetë Tsipras ndjek një politikë të hapjes ndaj Ballkanit me shpresën e avantazheve ekonomike dhe strategjike. Fakti që deri më tani Tsipras e ka lënë jashtë temën Maqedoni, lidhet me partnerin e koalicionit, populistët e djathtë të ANEL, që janë të papajtueshëm, kur vjen puna për çështjen e emrit. Por përfaqësuesit  e linjës së ashpër harrojnë, se nëse Greqia e injoron gjatë gatishmërinë për kompromis me Maqedoninë mund të humbasë mbështetësit e saj në shkallë ndërkombëtare në çështjen e emrit dhe do t’i duhet në rrethana të caktuara të pranojë edhe emrin „Maqedoni”. Tjetra: një tejkalim i konfliktit mbart potencial ekonomik, për të cilin të dyja vendet duhet të kenë interes.

Shembull i bashkëjetesës greko-maqedonase është Selaniku. Rreth 40 minuta me automjet ndodhet kufiri i përbashkët. Në fundjavë vijnë klientë nga vendi fqinj në qytetin e dytë më të madh të Greqisë, në verë ata shkojnë me pushime në ishullin Kalkidiki. Arsye e fortë për kryetarin e bashkisë, Giannis Boutaris me politikën e tij joideologjike dhe të orientuar nga ekonomia, për të ruajtur marrëdhënie të mira me Maqedoninë. Para pak javësh ai vizitoi Shkupin për të biseduar për projekte të përbashkëta. Fakti që Zoran Zaev e viziton tani atë tregon se është i madh interesi për një afrim të qëndrueshëm.(dw)