Ngjarjet që tronditën vendin gjatë 2017; Vrasje çdo muaj dhe drogë pa hesap

Nga: Redjon Shtylla

2017 nisi me njolla gjaku dhe u mbyll me një krim konstruoz. Gjatë një viti aktualitetin e zaptuan lajmet me vrasjet mafioze, ekzekutimet me pagesë, atentate ndaj personave të inkriminuar, drogë pa hesap. 2017 pati të mbytur në det, përmbytje të vendit dhe shpërthime. Ngjarja e vitit mund në cilësohet arrestimi i një pjesë të grupit të dyshuar kriminal “Habilaj”. Vrasja e ish-zyrtarit të lartë të policisë, Artan Cuku, dhe ish-gjyqtares, Fildes Hafizi janë dy nga ekzekutimet më të rënda. Lidhja jashtëmartesore e dy të rinjëve, nisi vitin 2017 me një krim të dyfishtë. 32-vjeçari Deni Derveni, pasi vrau të dashurën, 29-vjeçaren Ermira Arapi, vrau veten brenda në makinë.

E ky “mallkim” përndoqi vitin me vrasje të rënda brenda familjes, ku gratë u vranë nga burrat për arsye xhelozie, “pse nuk më bëre rrobat gati”, ku plumbat, sqeparët e çdo armë e ftohtë, vërshoi pa mëshirë drejt nënave, motrave dhe vajzave tona. Bandat u rikthyen këtë vit, në Lushnje, Elbasan dhe Vlorë. 2017 shënoi frikshëm edhe vrasjet e pagura, ku shifrat shkuan deri në 80 mijë euro. Aq u pagua për kokën e aktorit Miklar Tola, që për fatin e tij të mirë mbeti i plagosur.

Skandali i vitit, shpërtheu në tetor. Dosja “Habilaj”, ku përgjimet e Policisë italiane për një gurp të strukturuar kriminal çojnë në praga disa persona në Itali dhe në Shqipëri, me të cilëve edhe atë që dyshihet si drejtues i grupit, Moisi Habilaj. Në dokumentin prej rreth 400 faqesh të Prokurorisë së Catanias rezulton se personat e dyshuar kanë përmendur dhe emrin e ish-ministrit Saimir Tahiri.

Fundi i vitit vuri në pranga një gjyqtar të korruptuar. Shkëlqim Miri, gjyqtar i Gjykatës së Apelit Tiranë përfundoi në pranga mbrëmjen 10 nëntorit, pas dyshimeve se një vendim i këtij gjyqtari qe ndërmarrë në shkëmbim të parave dhe pati sjellë lirimin nga burgu të një vrasësi të dënuar më herët me 20 vjet burg. I shpallur në kërkim që nga vitit 2016, Klement Balili edhe gjatë vitit 2017 ka dominuar debatin për lidhjet e politikës me krimin. Policia shqiptare nuk ka arritur ta arrestojë ende. Ndërkohë në muajin nëntor Prokuroria vendosi që t’i sekuestrojë të pasuritë. Prona e parë që u bllokua është hoteli luksoz “Santa Quaranta”.

Si të mos mjaftonte kronika e zezë, aktualiteti u përmbyt bashkë me përmbytjet e nëntorit, ku uji pushtoi çdo metër tokë, duke shkaktuar dëme kolosale. Viti u mbyll me ngjarjen më të trishtë, vdekja e 23-vjeçarit shkodran në Francë. Vrasja e Florenc Beqirajt në një burg të Marsejës, shkaktoi një revoltë të shqiptarëve, duke dalë në protesta e duke kërkuar drejtësi, jo vetëm për fatin tragjik të 23-vjeçarit, por ndaj shtetit për ti thënë të gjithë një zëri se jeta e të rinjëve që kërkojnë një jetë më të mirë larg Shqipërisë së vogël, është e rezikuar nga kurthe që të marrin edhe jetën.

Një 2017 e zezë për fatin e Shqipërisë së vogël, që nga politika propagandohet e madhe, por që vrasjet, ekzekutimet, atentatet po e mbysin këtë vend.

*”Koha Jonë”, është munduar që të bëjë një përmbledhjeve të ngjarjeve që tronditën vendin përgjatë vitit 2017.

10 SHKURT-Krim i dyfishtë

Në aksin rrugor Fier-Hoxharë, në afërsi të fshatit Shën Pjetër, u gjet një makinë ku brenda ishin trupat e pajetë të dy personave. Ermira Arapi Dushi 29-vjeçe dhe e Deni Derveni 32-vjeç, tronditën opinionin publik. Pas një debati në makinë, Derveni vrau 29-vjeçaren dhe më pas vrau veten. E gjitha ka ardhur pas një xhelozie të Dervenit, edhe pse ata vinin nga martesa reciproke edhe pse kishin një lidhje të fshehtë.

11 SHKURT-Nëna e dy fëmijëve vret veten

Egla Sulçe, nënë e dy fëmijëve u gjet e vetëvarur në një ndërtesë të vjetër në fshatin Memelisht të Pogradecit. Nëna e 35­-vjeçares, tregoi se vajza e saj jetonte mes presionit të vazhdueshëm psikologjik dhe dhunës fizike nga ana e bashkëshortit. Ajo ishte divorcuar tre vite më parë nga bashkëshorti Ilir Corbaxhi, por u ribashkua për shkak të fëmijve. Prindërit e saj akuzojnë burrin si shkaktar të vetëvrasjes.

18 SHKURT-Dashuri e përgjakur nga alkooli

Fatbardha dhe Erzen Tora, 23 dhe 26 vjeç, prindër të një vajze 3-vjeçare dhe një djali 9-muajsh, u gjendën të pajetë në kasollen ku mbanin bagëtitë. Sipas dëshmive, bashkëshortët ishin përleshur në banesë e më pas kishin dalë jashtë saj. E reja goditi me një dru në kokë bashkëshortin duke vrarë në vend. E tronditur nga ajo që kishte bërë, 23-vjeçarja u vetëhelmua me kimikatet kundër brejtësve.

1 MARS- Vdes studentja e mjekësisë

Një aksident i rëndë i mori jetën një 23-vjeçareje studente për mjekësi në Tiranë. Makina ku po udhëtonte bashkë me motrën e saj doli nga rruga duke e lënë të vdekur, ndërsa motra e saj 20-vjeçare mbeti e plagosur. Jonisa Toromani po udhëtonte në zonën “Bishti i Zhurit” në aksin Kavajë-Lushnjë, kur drejtuesi i mjetit, 25-vjeçari Alvi Rrasa humbi kontrollin duke e përplasur makinën. 23-vjeçarja u dërgua me urgjencë në spitalin e Lushnjes por nuk mundi të mbijetonte.

5 MARS-Vritet e moshuara

Krim makabër në Bërzhitë, ku 74-vjeçarja Fatime Hida u tortura e më pas u vra nga grabitësit. Ajo jetonte në kushte të vështira në një banesë 1-katëshe thuaje të shkatërruar. Në atë dhomë ajo gatuante, flinte dhe mblidhte qumështin e bagëtive. Të ardhurat i siguronte nga pensioni dhe nga shitja e disa bagëtive. Të afërmit thonë se lekët nuk i çonte në bankë, por i ruante në shtëpi. Grabitësit kishin mësuar dhe e ndjera kishte shitur lopën dhe shkuan për ta grabitur.

30 MARS- Prokuroria çon në gjyq dy ish-drejtuesit e CEZ

Prokuroria e Tiranës njoftoi të enjten se ka mbyllur hetimet dhe ka dorëzuar në gjykatë çështjen penale kundër ish-drejtorit të kompanisë CEZ Shpërndarje, Josef Hejsek dhe një anëtari të bordit të drejtorëve, të quajtur Jan Ivan. Përmes një njoftimi për shtyp, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë tha se dy ish-drejtuesit e CEZ akuzohen për veprën penale të “mashtrimit me pasoja të rënda”. Çështja penale kundër dy ish-drejtuesve çekë të CEZ është e lidhur me procesin e Kastriot Ismailajt-pronari i kompanisë “Debt International Advisory”, DIA që po gjykohet gjithashtu në Gjykatën e Tiranës.

1 PRILL-Vritet Agim Tusha 

Agim Tusha, vetëm 43-vjeç do të humbiste jetën sepse kushëriri i tij dyshonte se i ngacmonte bashkëshorten. Kjo bëri që Hamedan Torba t’i merrte jetën kushëririt duke e goditur atë me dru pas koke. Ngjarja kishte ndodhur më 27 Mars, por 43-vjeçari ndërroi jetë ditën e parë të prillit në spital, pasi nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

4 PRILL-Vret gjyshen dhe veten

Irsid Curri qëlloi 5 herë me kallashnikov gjyshen e tij, 80-vjeçaren Hurme Curri teksa ajo ishte duke fjetur. Dhe më pas, ai vrau veten me plumb në gojë. 23 vjeçari kishte një vit që kishte dalë nga burgu, ku vuajti dënimin prej 10 vitesh, pas një vrasje kur ai kishte bërë në moshën 14-vjeçare. Një familje e ndarë, një vëlla e një baba i vrarë, një nënë sëbashku me dy djemtë e larguar në Itali dhe Ersidi që jetonte me gjyshen, është drama e zymtë e familjes Curri.

8 PRILL-Vritet Artan Cuku

Të shtunën e 8 Prillit kryeqyteti do të tronditej nga vrasja e një ish-zyrtari të lartë të policisë. Artan Cuku, ish-Drejtor i Policisë së Vlorës, por që gjatë karrierës së tij kishte mbajtur disa pozicione të rëndësishme në Policinë e Shtetit, u ekzekutua në hyrje të pallatit të tij, në një prej zonave më të populluara të Tiranës, atë të Liqenit Artificial. Të paktën 5 plumba u qëlluan në drejtim të 42-vjeçarit, i cili po ngjitej në banesë. Vrasja e Cukut mbetet mister, ashtu sikurse autorët.

10 PRILL-Vritet Elidon Mehmeti

Pa hyrë ende mesnata, një breshëri automatiku tronditi qytetin e Vlorës. Elidon Mehmeti, 39 – vjeç ndodhej në makinë në zonën e Skelës, kur në drejtim të tij u qëlluan të paktën 20 plumba. Ai ndërroi jetë në vend, ndërsa autorët mbeten në arrati. Mehmeti nuk ishte emër i panjohur për drejtësinë, pasi dyshohej se ishte marrë me trafiqe të jashtëligjshme. Atentatorët e tij dyshohet të jenë vrasës me pagesë.

11 PRILL-Vritet për një tub aspirimi

Agim Arapi, 51-vjeç u vra për një tub aspirimi, ku autorët i detyroheshin viktimës një shumë prej 13 mijë lekësh të reja. Viktima ia ka kërkuar Jurgen Kurtit paratë dhe në debat e sipër, kanë ardhur dhe janë përfshirë në konflikt edhe dy vëllezërit Konstandin dhe Kujtim Ekonomi. Nga ekspertiza mjeko-ligjore u vërtetua se Agim Arapi ka ndërruar jetë për shkak të problemeve që ka pasur me zemrën, ku  nuk ka përballuar dot goditjet me grushta, të kryera nga autorët.

20 PRILL-Ekzekutohet 33-vjeçari

Ergys Gjioveshaj, u ekzekutua në një lokal nate në zonën e ujit të ftohtë. 33-vjeçari rezulton një person me precedentë penalë, i dënuar për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim në vitin 2000, ngjarje për të cilën ishte dënuar me 12 vjet burgim. Në këtë ngjarje mbetën të plagosur edhe një kamarier dhe një muzikant i lokalit, si dhe një shtetase 26-vjeçare, e cila dyshohet të ketë qenë në tavolinë me viktimën, së bashku edhe me 2 persona të tjerë.

25 PRILL-Vritet ish-zyrtari i policisë

Ervin Dalipaj u ekzekutua më 25 prill, pikërisht ditën e gjyqit kundër tij, teksa po udhëtonte së bashku me Juxhin Dautajn. Gjykata e kishte shtyrë procesin për këtë të premte në mënyrë që t’u jepte kohë autoriteteve të njoftonin të kërkuarin Dalipaj, se ndaj tij kishte nisur një proces penal që e akuzonte për rrëmbimin e Gazmend Çollakut. Dy orë pas këtij vendimi, Dalipaj u qëllua me breshëri armësh teksa po dilte nga një servis automjetesh. Të dyja viktimat, kanë patur probleme me të kaluarën e tyre, njëri për akuzën e rrëmbimit me pasojë vdekjen e Çollakut dhe tjetri jo vetëm për vrasjen, por edhe për lidhje të dyshimta me narkotrafikun.

7 MAJ-Vrasësi i grave

73-vjeçari Beqir Xhilaj në mënyrë barbare vrau gruan e tij të katërt, 47-vjeçaren Lumturie Xhilaj me çifte, në fshatin Guci e Re të Shkodrës,  e ku pas aktit të rëndë është ulur dhe ka konsumuar pije alkoolike. Në vitet 90, Xhilaj vrau bashkëshorten e parë. Ai u dënua për vrasjen e gruas së parë por që nuk ka vuajti dënimin për një kohë të gjatë pasi nuk e ka pranuar kurrë krimin. Ai gjithnjë ka dëshmuar se e shoqja është vetëvrarë dhe në mungesë provash është liruar.

29 QERSHOR-Vret prindërit

Ali dhe Jenije Nika, të dy 75-vjeç, u qëlluan për vdekje me armë gjahu “Çifte” nga djali i tyre Leo Nika, 32-vjeç, në Xhafzotaj të Durrësit. Mjekët përshkruajnë në akt-ekspertizën psikike se i riu vuan nga çrregullimet mendore e për këtë, sipas ligjit, ai nuk mund t’i nënshtrohet gjykimit përderisa është i papërgjegjshëm para ligjit. Ai i qëlloi me armë prindërit menjëherë pasi u zgjua nga gjumi, ndërkohë që më pas duke pohuar se nuk mbante mend asgjë, i pyeti gjyqtarët se përse i kishte vrarë prindërit e tij. Ai vuan dënim në burgun e Zaharisë, i kontestuar vitet e fundit përderisa aty kurohen mbi 60 persona të sëmurë e njëkohësisht autorë krimesh.

1 KORRIK-Vritet mjeku

42-vjeçari Ilir Alija me profesion mjek, u qëllua tre herë nga Dritan Ymeri. Viktima dhe autori ishin fqinjë, ndërsa shkak për ngjarjen ka qenë një konflikt për një shtesë kati në banesën e cila po ndërtohej nga Ilir Alija. Pas thirrjeve për dorëzim, rreth 5 orë pas ngjarjes së rëndë, forcat RENEA, kanë ndërhyrë në banesën ku dyshohej se gjendej Dritan Ymeri, por autori nuk gjendej aty.

20 KORRIK-Vrasje e paguar 80 mijë euro

Tentativë për vrasjen e aktorit Miklar Tola. Prela më 20 gusht të vitit 2010 ka plagosur me thikë në Tiranë, Ervin Zallumin. Ky i fundit, ka qëndruar i shtruar në Spitalin Ushtarak për disa muaj për shkak të plagëve të marra. Ervin Zallumin është personi që ka porositur vrasjen e Prelës, kundrejt shumës prej 80.000 euro, shumë të cilën do t’ia jepte shtetasit Shkëlzen Buci dhe bashkëpuntorve të tij. Shkëlzen Buci, 34-vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë, i cila ka qenë në rolin e ekzekutorit , të cilit i është gjendur dhe sekuestruar arma e krimit. Trim Hidri, i cili ka bërë të mundur largimin nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së krimit, të autorëve të krimit.

22 KORRIK-Shpëtim Gjika dënohet për falsifikim

Ish-kryebashkiaku i Vlorës shpëtim Gjika u dënua me katër vjet burg për dy nga katër akuzat që prokuroria kishte ngritur për të. Shpëtim Gjika u shpall fajtor për “falsifikim të dokumenteve” dhe për “pengim të hetimeve”, ndërsa po ashtu u dënuan biznesmenin e ndërtimit Artur Haxhi me 3 vjet burg për “falsifikim”dhe  Ridvan Mersinin me 1 vit po për këtë vepër penale. Doriana Behari (Sulaj), ish-shefe e urbanistikës u shpall e pafajshme për të gjitha akuzat.  Gjykata megjithatë vendosi që ta konvertonte burgun në dënim me kusht për të tre të dënuarit, kështu në përfundim Gjika u dënua me 2 vjet “shërbim prove” dhe tre vjet ndalim për marrje postesh publike. Haxhi u dënua përfundimisht me tre vjet shërbim prove, ndërsa Mersinaj me 2 vjet.  Gjykata vendosi të vijojë sekuestron preventive mbi dy pallatet e ndërtuara mbi Sheshin e Flamurit.

24 KORRIK-Vret prindërit për një mur

Mirald Metallari, pas një debati me babain e tij, e qëlloi këtë të fundit për vdekje, me armën e shërbimit të të ndjerit. Ngjarja ndodhi në Bathore, në shtëpinë e Metallarit. “Më kërkoi të ndërtoja një bordurë betoni. Unë e kundërshtova. Debatuam. I mora pistoletën dhe e qëllova. Plumbat prekën nënë, ndërhyri për të na ndarë”. 10 ditë pas ngjarjes së rëndë, ndërroi jetë në spital edhe nëna e autorit. 47-vjeçarja Nurie Metallari ndërhyri për të shuar sherrin mes djalit dhe burrit, por u plagos aksidentalisht. Shkaku i vrasjes ishin bërë debatet babë e bir për ndërtimin e një muri ndërsa këtë muaj familja Metallari kishte planifikuar dasmën e një prej vajzave.

28 KORRIK-Shpërthim gazi në Velipojë

Dy persona, atë e bir, pronar të lokalit “Cavaliero” në Velipojë humbën jetën si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit. Zjarrëfikësit thonë se faji ishte i cisternës së vendosur në bodrumin e pallatit. Rrjedhja e gazit nga një impiant 1000 litërsh dhe më pas dy shpërthime pranë bar- restorant “Cavaliero” në qendër të Velipojës shkaktuan 4 të plagosur, 2 prej të cilëve në gjendje kritike për jetën. Dëshmitarët thanë se shpërthimi shkatërroi plotësisht lokali “Cavaliero” pranë kompleksit Fishta në Velipojë.

30 KORRIK-Ekzekutim mafioz në Vlorë

Renato Omeri u qëllua me 6 plumba pistolete më 30 Korrik, në zonën e Lungomares. Në atë kohë ai ishte ulur në një lokal me një mikun e tij, kur një person me kapele në kokë i afrohet dhe zbraz ndaj tij një karikator pistolete. Atentati ku mbeti i vrarë Omeri, i njohur edhe si Marjan Xhaferaj, ishte i treti që organizohej ndaj tij. Dy muaj më parë ai shpëtoi në një tentativë për ta eliminuar, në një kazino në Vlorë. Ngjarja nuk u bë publike në atë kohë. Por ngjarja më e bujshme është ajo e ndodhur më 21 dhjetor të vitit 2015 në afërsi të Torres, përballë portit të Durrësit. Në këtë ngjarje mbetën të vrarë Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj, nip i Renato Omerit. Shënjestër e atentatit me dy viktima, ka qenë pikërisht 37-vjeçari, baba i tre fëmijëve.

1 GUSHT-Vritet për një karikues

Studenti i Juridikut Marvi Mihali humbi jetën, pasi u qëllua me thikë në zemër pak para mesnatës së 1 gushtit 2017 në një rrugicë pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Marvi Mihali ishte takuar fillimisht me Dejvi Bitrajn, me të cilin ka pasur debate për një telefon “Samsung”, të cilin e kishte blerë, por që nuk punonte. Dejvi Bitraj nuk ka pranuar të kthente paratë dhe pasi ka nisur sherrin me Marvi Mihalin, ka njoftuar kushëririn e tij, Eugen Bitraj, i cili ka shkuar në vendin e krimit bashkë me dy të arrestuarit e tjerë. Shkak ka qenë fakti se telefoni i shitur nuk merrte karikim.

17 GUSHT-Mbyten në liqen dy të mitur

Sabjan Tahiri (15 vjeç) dhe Ervis Tahiri (13 vjeç) nga fshati Gruemirë i Malësisë së Madhe u mbytën në Liqenin e Shkodrës, policia e klasifikoi ngjarjen si aksidentale e të ndodhur nga pakujdesia. Fëmijët kishin hyrë në liqen me një varkë që kanë gjetur në anë të tij. Të afërm ngushëlluan familjet e dy vëllezërve Rifat e Naim Tahiri, të cilët humbën djemtë e tyre. Dy të miturit ishin bashkë me 5 shokët e tyre që mundën të dilnin shëndoshë e mirë në bregun e liqenit.

18 GUSHT-Vret gruan nga xhelozia

Tajar Kazanxhi, 70-vjeç, tronditi fshatin Plugë të Lushnjes, pasi goditi gruan e tij Natasha, me sqepar në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit. Goditjet kanë qenë të forta, duke i shkaktuar fraktura të rënda 51-vjeçares. Pas ngjarjes, Natasha u transportua drejt spitalit të Lushnjës, ku edhe pse iu dha ndihma e parë nga mjekët, por nuk mundi t’i shpëtonte vdekjes nga plagët e marra. Shkak i grindjes midis çiftit ka qenë xhelozia, ku shpesh herë midis tyre ka patur grindje. Debatet në familje kishin nisur në momentin kur Natasha këmbëngulte që shtëpinë t’ia kalonte në pronësi djalit të saj.

31 GUSHT-Vritet gjyqtarja Fildes Hafizi

Mund të konsiderohet ngjarja më e rëndë dhe më e komentuar e vitit. Vrasja e ish-gjyqtares, Fildes Hafizi, shkaktoi jo vetëm një debat të madh politik dhe të shoqërisë që tundi themelit e një drejtësi të kalbur, që për ironi nuk mbrojti dot as gjyqtaren edhe pse thirrjet e saja për ndihmë nuk munguan prej dy vitesh. Fadil Kasemi, e vrau ish-bashkëshorten pak kohë pasi kishte dalë nga burgu, ku vuajti dënimin pas tentatives për ta vrarë atë në 2015. 39-vjeçarja, gjyqtare në Gjykatën e Shkodrës dhe nënë e dy fëmijëve i kishte dhënë fund martesës dy vjet më parë dhe siç tregojnë dokumentat, ajo kërkoi edhe urdhër mbrojtjeje në gjykatë prej, kërkesë prej së cilës u tërhoq brenda 15 ditëve.

 23 SHTATOR-Xhaxhai vret nipin

Bujar Kuçi, 62-vjeç goditi disa herë me thikë nipin e tij Mirsad Kuçi. 33-vjeçari ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital. Konflikti mes viktimës Kuçit dhe xhaxhait të tij, kishte nisur katër vite me parë, për një oborr të përbashkët. Ata fillimisht u zunë me fjalë dhe më pas 63-vjeçari nxorri thikën dhe e qëlloi në zemër nipin dhe më pas në këmbë. Ngjarja pranë Teatrit Migjeni në Shkodër, dhe tronditi banorët të cilët treguan se në shtëpi ndodhej vetëm fëmija 7-vjeçar i viktimës.

24 SHTATOR-Vret gruan, vuan nga depresioni

Bashkim Mekolli nuk shfaqi shenja pendese, duke deklaruar në polici se e vrau të shoqen pasi ishte xheloz. Fshati i Blacë i Pogradecit u trondit nga vrasja makabre me sqepar në kokë e Demirkë Mekollit, 49-vjeç. Ata ishin prindër të një djali të vetëm, aktualisht 16-vjeçar ndërsa familja përballej me varfëri të vazhdueshme dhe i vetmi mjet jetese ishte ndihma ekonomike që ata merrnin. Bashkimi kishte kërkuar edhe ndihmë mjekësore për shkak të gjendjes së tij psikologjike që sa vinte e rëndohej dhe ishte diagnostikuar me depresion.

27 SHTATOR-Vetëvritet “monstra” i Palasës

Shqipëria do t’u trondiste 17 gushtin e vitit 2016, kur Andrea Zani, vetëm 12-vjeç që po pushonte te gjyshërit e tij në Palasë, u vra mizorisht dhe iu pre koka barbarisht nga një i sëmurë mendor. Jorgo Zani, autori i krimit më makabër të viteve të fundit në Shqipëri, mëngjesin e së mërkurës i dha fund jetës me vetëvrasje. Ngjarja ndodhi në burgun e Krujës, aty ku Zani u hodh nga kati i dytë, një vit pas dënimit.

11 TETOR-Masakër në Lushnje

Autorët që udhëtonin nga Bulevardi i Palmave kanë ardhur pranë lokalit ku po qëndronin Zamir Latifi, Jurgen Hoxha, Marjus Xhepexhiu, Saimo Xheliu dhe kanë hapur zjarr, duke lënë të vdekur Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën, ndërsa të plagosur kanë mbetur shoku i tyre Marjus Xhepexhiu dhe një qytetar që po udhëtonte me bicikletë. Mësohet se pak minuta para atentatit nga lokali ku qëndronin të rinjtë është larguar Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, që sipas informacioneve kishte vajtur tek berberi. Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili, autorët e dyshuar mendohet se janë larguar jashtë vendit. Burimet nga Prokuroria e Lushnjes pohuan se pista në të cilën po punohet është ajo e largimit me pasaporta false. Destinacion sipas burimeve, dyshohet të jetë Gjermania.

17 TETOR-Dosja “Habilaj”

Përgjimet e Policisë italiane për një gurp të strukturuar kriminal çojnë në praga disa persona në Itali dhe në Shqipëri, me të cilëve edhe atë që dyshihet si drejtues i grupit, Moisi Habilaj. Në dokumentin prej rreth 400 faqesh të Prokurorisë së Catanias rezulton se personat e dyshuar kanë përmendur dhe emrin e ish-ministrit Saimir Tahiri. Në këto përgjim theksohet se Tahiri bën në muaj rreth 5 milionë euro fitim nga paratë që merr nga organizata e tyre. Habilaj, në bisedë, duket se rivalizon me Saimir Tahirin, për faktin se ai merr më shumë para se ata që bëjnë punën, por ortaku i tij, Sabaudin Çelaj, thekson se Tahiri do t’i humbë të gjithë ato para në fushatë elektorale. Ndërkohë që në një përgjim të dytë, Moisi Habilaj ka deklaruar se i ka blerë bashkëshortes së Saimir Tahirit një byzylyk që kushton mbi 2000 euro.

19 TETOR-Arrestohet “Financieri i Habilajve”

Pas operacionit në Babicë të Vlorës, ku u sekuestrua 4 ton kanabis, policia arrestoi Nezar Seitin, i njoghur ndryshe si “Financieri i Habilajve”. Ai është person i rëndësishëm në dosjen ndaj Habilajve, ku përfshihet edhe ish-ministri Saimir Tahiri. Ishte Prokuroria e Katanias, ajo që solli dosjen e Habilajeve, aty ku Seiti del si financieri në grupin më të madh të trafikut të drogës. Pas një mori seancash, Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e prokurorisë për ekstradimin e Nezar Seitit drejt Italisë, i njohur si financier i grupit Habilaj, por ndaj tij ka edhe një mase sigurie nga Gjykata e Krimeve të Rënda e cila mund të pengojë dorëzimin e tij para drejtësisë Italiane.

2 NËNTOR-Arrestohet biznesmeni Orest Sota

Policia e Elbasanit arreston biznesmenin Orest Sota. Ai u arrestua në kushtet e flagrancës në afërsi të fshatit Balldren ndërsa policia gjeti në makinën e tij 835 mijë euro dhe dy patenta për drejtim mjeti lundrues të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

6 NËNTOR-Arrestohet në Zvicër biznesmeni

Adrian Xhillari, i shpallur në kërkim prej vitit 2015 si njëri prej personave të përfshirë në skemën e kontrabandës së naftës “virgine” është arrestuar në Zvicër për llogari të drejtësisë shqiptare. Burime nga Prokuroria e Fierit i pohuan se Xhillari ishte ndaluar javën e kaluar në  Zvicër, ndërkohë që pala shqiptare pret që ai të ekstradohet për t’u përballur me drejtësinë. Të njëjtat burime i thanë BIRN se Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar menjëherë letër-porosinë e shoqëruar me urdhër-ndalimin dhe dosjen hetimore në ngarkim të Xhillarit, me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri.

10 NËNTOR-Gjykatësi i Apelit arrestohet për korrupsion

Gjykatësi Shkëlqim Miri, i Gjykatës së Apelit Tiranë përfundoi në pranga mbrëmjen 10 nëntorit pas një hetimi me metoda përgjimi të përdorur nga policia e Tiranës dhe prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë pas dyshimeve se një vendim i këtij gjyqtari qe ndërmarrë në shkëmbim të parave dhe pati sjellë lirimin nga burgu të një vrasësi të dënuar më herët me 20 vjet burg. Policia gjeti afro 33 milionë lekë para të thata në shtëpinë e gjyqtarit pas një hetimi që nisi për shkak se Miri dyshohej se kishte marrë para për të liruar nga burgu një të dënuar për vrasje përmes riklasifikimit të veprës së tij penale.

11 NËNTOR-Vdes 20-vjeçari në galeritë e kromit

Pas dokumentarit të bujshëm të emisionit Italian “Le Iene”, në të cilën pasqyrohej varfëria ekstreme në Bulqizë dhe shitja e kromit nga fëmijët e qytetit, një 20-vjeçar u vra pasi u zu poshtë prej një masivi gurësh në një nga galeritë e kromit në Zonën D të minierës së Bulqizës. Sipas policisë lokale “në një nga galeritë private në pjesën jugore të minierës, e ashtuquajtura Zona D, ka ndodhur një aksident i rëndë, ku për pasojë ka humbur jetën tragjikisht një 20-vjeçar, teksa ishte duke punuar”.

23 NËNTOR-Sekuestrohen pasuritë e Klement Balilit

I shpallur në kërkim që nga vitit 2016, Klemt Balili edhe gjatë vitit 2017 ka dominuar debatin për lidhjet e politikës me krimin. Policia shqiptare nuk ka arritur ta arrestojë ende. Ndëriohë në muajin nëntor Prokuroria vendosi që t’i sekuestrojë të pasuritë. Prona e parë që u bllokua është hoteli luksoz “Santa Quaranta”. Nën sekuestro mësohet se janë vendosur troje, biznese dhe apartamente që rezultojnë në emër të familjes Balili në Sarandë. Balili është shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar droge, në një kohë që uniformat blu po hetojnë për pastrim parash nga ana e tij. Në maj të vitit të kaluar, autoritetet greke pas një hetimi të përbashkët me DEA-n amerikane e përmendën emrin e tij si drejtuesin kryesor të një rrjeti të gjerë të trafikut të marijuanës nga Shqipëria në Greqi dhe vende të tjera të BE. Ish-drejtuesi i Transporteve në Sarandë dhe dorëheqjen menjëherë pas publikimit të akuzave dhe u zhduk.

27 NËNTOR-Atentat me tritol, humb gjymtyrët

Tritoli në makinën e Ines Hajrulla, i cili nga shpërthimi humbi të dyja këmbët, sipas burimeve ka ardhur pas mosmarrëveshje me një grup tjetër pas humbjes së një ngarkese me hashash në Itali. Mjeti me të cilin udhëtonte 25-vjeçari nga Vlora, është pronë e një personi tjetër, gjithashtu i përfolur për probleme me ligjin. Vlora është qyteti ku kryhen më shumë atentate me lëndë shpërthyese. Vetëm për këtë vit në Vlorë kanë ndodhur 4 atentate me tritol, 2 në lokale dhe 2 në automjete.

30 NËNTOR-Përmbyet Shqipëria

Moti i keq gjatë javës së fundit të Nëntorit ka shkaktuar probleme të shumta në Shqipëri, ku disa qindra qytetarë janë evakuuar dhe segmente rrugore janë bllokuar për shkak të ujit. Shumë fshatra kanë hasur probleme në furnizimin me energji elektrike. Reshjet e shiut, të cilat nisën të enjten dhe pritet të zgjasin deri të hënën e javës së ardhshme kanë shkaktuar probleme në disa qarqe të vendit. Sipas Drejtorisë së Emergjencave Civile disa qindra qytetarë u evakuuar në zona të ndryshe të Tiranës, Shkodrës dhe Gjirokastrës. Në Tiranë, uji bllokoi aksin rrugor Tiranë-Durrës në Kashar pranë qendrës tregtare “City Park”, ku janë evakuuar 100 persona të bllokuar nga uji dhe ku Ministria e Brendshme lajmëron se po punohet për të larguar ujin nga forca të ushtrisë dhe ndërhyrjes së shpejtë. Gjithashtu fshatrat Marikaj, Laknas, Valias janë rrezikuar nga përmbytjet për shkak të nivelit të lartë të ujit. Furnizimi me energji elektrike ka qenë problematik në zona si Sauk, Paskuqan, Ibë, Zall-Bastar, Pezë, Shkallë, Mullet, Pezë Helmes, Shenmeri, Prezë, Tufinë, Gjokaj, Ndroq, Mëzez, Valias, Paskuqan dhe Kombinat.

9 DHJETOR-Ekzekutohet vëllai i ish-deputetit

Aleksandër Ndoka, anëtar i këshillit bashkiak të Lezhës dhe vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka u ekzekutua mëngjesin 9 dhjetorit në afërsi të banesës së tij nga persona ende të  paidentifikuar nga policia. Policia e Shtetit deklaroi përmes një njoftimi për shtyp se ishte njoftuar për vrasjen në orën 4.25 minuta të mëngjesit, ndërsa trupi i pajetë i 48 vjeçarit Ndoka u gjet në makinën e tij “Mitsubishi” me targa AA 382 SE në lagjen “Nënë Tereza” të Lezhës.

18 DHJETOR-Gjykatësit e çështjes “El Classico”

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda refuzoi të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë për pezullimin nga detyra të tre gjykatësve të Apelit Durrës, të cilët dyshohen për korrupsion pas një udhëtimi turistik në Spanjë të njohur si “Çështja El Classico”, ndërkohë që prokuroria thotë se ka prova të reja nga Spanja për hetimin. Prokurorët patën kërkuar masë sigurie “pezullim nga detyra” për tre gjykatësit e Apelit Durrës Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno, të cilët janë nën hetim pasi dyshohen se kanë marrë dhuratë nga një palë në proces gjyqësor një udhëtim falas në Madrid të Spanjës për të parë ndeshjen Real Madrit – Barcelona para se të jepnin një vendim favorizues për biznesmenin që dyshohet se financoi udhëtimin.

20 DHJETOR-Vdekja e Florenc Beqirajt

Vdekja e 23-vjeçarit nga Shkodra në Francë, nxiti një revoltë të shqiptarëve, ku si asnjëherë më parë, u bënë bashkë në protesta për të kërkuar drejtësi për vdekjen e mistershme në spitalin “Nord” në Marsejë të Francës. Ai kishte dy vite që jetonte në Francë dhe pasi ishte kaluar nga policia pa letra, u dërgua në burg, ku aty sipas familjarëve ai është dhunuar barbarisht dhe nga aty, 23-vjeçari u dërgua në gjendje kome në spital. Disa ditë më pas, mjekët pa autorizimin e babait që ishte i pranishëm në spital, i hoqën aparaturat që e mbanin në jetë. Ende nuk ka një version se si ndodhi ngjarja dhe se kush është përgjegjës për vdekjen e 23-vjeçarit.

24 DHJETOR-Masakron babain, trupin e hedh në liqen

Selman Aliajn, 28-vjeç, tronditi opinionin publik, kur të dielën e 24 dhjetorit ai rrëfeu për uniformat blu, se masakroi për vdekje me çekiç të atin dhe më pas e hodhi në liqenin e Farkës. Ai u tha hetuesve se e vrau pas një konflikti. Sipas tij, babai donte ta martonte dhe i kishte thënë se gruan do ta ndanin të dy. Kjo dëshmi, sipas hetuesve, tregon dhe më shumë problemet mendore që ka autori. Avokati mbrojtës i tij, Fran Dashi, ka kërkuar që klientit të tij ti bëhet ekspertiza psikike, kërkesë e cila është pranuar nga gjykata.

23 DHJETOR-Alarmi, ulet numri i lindjeve në Shqipëri

Numri i lindjeve në Shqipëri pësoi një rënie tjetër dramatike gjatë këtij viti me afro 14 për qind në krahasim me vitin e kaluar, i cili ishte gjithashtu një rekord negativ historik. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se për periudhën janar-shtator 2017, në Shqipëri lindën pak më shumë se 20 mijë foshnja nga afro 24 mijë që patën lindur në të njëjtën periudhë të vitit 2016. Deri në fund të këtij viti, gjasat janë që në Shqipëri të lindin më

27 DHJETOR-Marshimi i naftëtarëve

Afro 200 punëtorë të Kombinatit të Përpunimit të Thelllë të Naftës në Ballsh të Mallakastrës nisën një marshim në këmbë nga Fieri për në kryeqytet në shenjë proteste ndaj autoriteteve shtetëtore dhe private, që nuk u kanë dhënë pagat dhe sigurimet shoqërore. Ky marshim erdhi pas një serie protestash më të vogla pranë uzinës së tyre, ku ata punojnë prej shumë dekadash dhe ku zëri dhe kërkesat e tyre nuk dëgjohen prej një kohe të gjatë.