Rama ka bërë gabimin më të madh; ka hapur udhën të merren me familjen e tij

Edi Rama doli në këtë fundviti në konferencë shtypi para gazetarëve, ku u pyet rreth shumë ngjarjeve dhe problemeve të vitit 2017. Por dukej se kryeministri gjithë inatin e kishte me Monika Kryemadhin, duke harruar disi “djalin e urtë”, Lulzim Basha. Në lidhje me Kryemadhin, kryeministri bëri një gjest të ulët duke fyer në mënyrë të tejskajshme. Edi Rama tha se Monika Kryemadhi ngjan më shumë me “Eleonorën e Selitës”, e cila siç dihet kishte një fat të keq, si fund. Një fyerje publike e rëndë, bile shumë e rëndë, por që do hapi rrugën e keqe te “eleonorave” në PS dhe në familje të tjera.

Në të vertetë nuk ishte menduar se kryeministri mund të arrinte deri në fyerje të kundërshtarëve politikë, aq më shumë, gruas së Kryetarit të Shtetit. Me këtë mënyrë Edi Rama ka ofruar varrin e vet politik dhe ka hapur udhën që pala tjetër të merret me familjen e tij, gjë për të cilën ka patur një mirëkuptim në politikë, ku me gratë e njeri tjetrit nuk ishte morale të përfliteshin. Edi Rama bëri një veprim të ulët, pasi ai është kryeministër dhe duhej të kontrollonte veten, aq me tepër live në publik. Mund ta gëlltiste, ndonëse edhe gëlltitja ia turbullon mendjen, por duhej me çdo kusht të mbante frenat në gojë, sepse ajo që lëshoi për një grua, një deputete, një nënë, aq me tepër për atë që edhe i ka gatuar dikur me Metën, është e ndyrë. Kryeministri ka probleme me komunikimin me ato që e kritikojnë, apo që nuk kanë një mendje me të.

Nuk ka vonuar dhe është përgjigjur Monika Kryemadhi. Bile, mësohet se ky postim është vetëm si “aperitiv”, sepse do ketë hapje letrash për familjen kryeministrore, siç tregojnë burime të rezervuara nga LSI. Për të mos shkuar puna deri në hapje letrash apo dvd, apo materiale në fusha të ndryshme, ku do preken familje, femra, etj duhet patjetër që Edi Rama të kërkojë falje për atë çka tha sot. Eshtë më e pakta që ai mund të bëjë. Ndryshe udha u hap! E hapi vetë Kryeministri.

Edhe njëherë, realisht, kryeministri mund të shpëtojë katrahurën që po përgatitet për në janar. Falja e tij mund të hedh paksa melhem mbi plagët që hapi, plagë e cila po nuk u mbyll shpejt, do të jetë masakër fjalori e dokumentash në janar-shkurt.

Postimi i plotë i Monika Kryemadhit:

Krahasimet dhe batutat pa kripë të kryeministrit, vetëm se dëshmojnë edhe njëherë, pafuqinë e tij për t’u përballur me katastrofën drejt së cilës po e çon Shqipërinë.

Eleonora që ai përmend (ndjesë pastë) ndoshta i kujton lexueset e filxhanëve, që i mbante dikur në bashki e sot në zyrat e kryeministrisë.

Siç duket as detox-i dhe as botox-i i New Yorkut nuk e kanë ndihmuar të kthjellojë logjikën dhe arsyen, për të kuptuar se e keqja e madhe e Shqipërisë është ai dhe bandat që e drejtojnë.

Edi Ramën nuk e shpëtojnë dot as fallxhoret dhe as banditët, as servilët dhe as kllounët nga fatkeqësia e tij më e madhe, papërgjegjshmëria dhe kriminalizimi i mendjes së tij perverse.

As Eleonora e tij nuk e shpëton dot, edhe pse u përpoq shumë që të mos duket Lolo!

Janari e më tej do të jenë vazhdimi i makthit të tij dhe nisja e procesit të çlirimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga qeveria e banditëve dhe drogës”.