Premtimi i Panuccit: E kualifikoj Shqipërinë në “Euro 2020”

Trajneri i kombëtares shqiptare, Christian Panucci, në një intervistë për “Supersport”, është shprehur se objektivi është për të kualifikuar kuqezinjtë në “EURO 2020”. Ai thekson se e kishte të pamundur për të bërë më mirë në katër ndeshjet që zhvilloi në eliminatoret e Botërorit “RUSI 2018”. Trajneri lë  të kuptohet se sulmuesi Eros Grezda e ka impresionuar më shumë.

Si lindi ideja për të bashkëpunuar me FSHF-në? Kur ishte hera e parë që dëgjuat fjalën Shqipëria?

U kontaktova në telefon nga drejtori, Denis Bastari, i cili më kërkoi një takim për të ndarë disa ide, unë, bashkë me trajnerë të tjerë, besoj. Erdha në Tiranë, u takova me presidentin Duka. Biseduam, shkuam bashkë për drekë, që aty, pas 20 ditësh, më kontaktoi Duka ku më thaqë më kishte zgjedhur mua. Pra, isha trajneri i ri i Shqipërisë.

Çfarë përshtypjesh pate nga takimi i parë me Dukën?

Kur u largova, po shpresoja të më telefononte, sepse besoj kam fatin e madh të kem një president të cilin e ëndërron çdo trajner. Një president që mbi të gjitha i ka dhënë federatës në tetë vjet diçka të jashtëzakonshme. Është një njeri që më lë të punoj, i cili ndan mendime me mua, flasim, diskutojmë për gjithçka dhe pastaj më thotë: “Zgjedhja është jotja, trajner”. Kjo është lumturia e çdo trajneri.

Shqipëria një vit më parë kishte marrë pjesë në Europian, kur e pranuat këtë detyrë a kishit frikë se po rrezikonit?

Më pëlqen të rrezikoj. Nuk më shqetëson kjo. Kur e mora kombëtaren, objektivi ishte 2020. Në katër ndeshjet e mbetura duhej të njihja grupin, se kush ishte Shqipëria, federata. Këta 6 muaj ishin shumë të rëndësishëm për të njohur të gjithë mekanizmin shqiptar, në aspektin e futbollit.

De Biasi kur mori Shqipërinë bëri një lloj revolucioni, ndërsa ju gjetët një skuadër të mirë. Megjithatë pati disa ndryshime në seleksionimin e futbollistëve dhe në mënyrën e lojës…

Sa herë që bënim stërvitje, dalloja diçka në skuadër. Kisha gjithnjë përshtypjen që kjo skuadër mund të luante 15-20 metra më përpara. U mundova gjithnjë t’I inkurajoja. Besoj se ky është një vend që e ka vuajtur shumë diktaturën e viteve ’80. Kur vija me avion dhe më pas lëvizja me makinë drejt qendrës, shihja lokalet dhe njerëzit që e kalonin ditën me lehtësi të madhe. Këtë doja t’i transmetoja skuadrës.

4 pikë në 4 ndeshje zyrtare. Sa i kënaqur jeni me pikët që ka grumbulluar skuadra? Nuk beson se keni zhgënjime?

Besoj se si performancë erdhëm në rritje, gjithmonë në rritje. Pengu i vetëm është pika me Italinë. Spanja është i një niveli tjetër. Mendoj që edhe nëse përballemi me Italinë në kualifikueset për Europianin apo çfarëdo që ndodh, do të luajmë. Do të luajmë sepse po ndërtojmë një grup cilësor, një grup që ndoshta vetëm Gjermania dhe Spanja janë sipër nesh, por mendoj se kemi një skuadër që mund të përballet me të gjithë.

Nuk arritëm të merrnim pikë përballë Italisë. Edhe pse Italia nuk u përpoq fare për të fituar, sërish fitoi. Koha tregoi që Italia kishte probleme, nuk shkoi në Botëror…

Jam i bindur që po të tregoheshim më mizorë s’do ta humbnim atë ndeshje. Ne mbetëm jashtë botërorit, pësuam një gol që mund ta shmangnim. Na vjen keq, por duhet të shohim përpara. Jam i bindur se pikën që humbëm me Italinë do ta rimarrim në kualifikueset e Euro 2020.

Që ditën e parë i dhatë fanellën e titullarit Eros Grezdës, pse pikërisht atij?

Nuk e zgjodha unë, ai e vendosi vetë. Mënyrën e stërvitjes, mënyrën e lojës, është lojtar që mund të vendosë fatin e ndeshjes, sepse është i mirë në lojën një kundër një, është lojtar që stërvitet me shumë seriozitet. Çdo lojtar zgjedh fatin e vet. Unë jam aty, të vështroj. Grezda po ecën shumë mirë, është i ri, duhet të rritet akoma profesionalisht, jam i bindur që në vitet e ardhshme do të flitet shumë për të.