Për çfarë urdhër arrestesh po bisedohet sot në zyrën e Kryeprokurores?

Arta Marku, kryeprokurorja e Republikës, ka në tavolinën e saj të punës disa urdhër-arreste, të firmosur nga prokuroria e krimëve të rënda si dhe nga prokuroria e Tiranës. Burimet brenda këtij organi kryesor të akuzës thonë nën zë se flitet për emra VIP, por Arta Marku nuk ka komunikuar me asnjeri në institucionin kryesor, pasi nuk beson të prokurorët e kohës së Adriatik Llallës.

Por mbetet fakt se kryeprokurorja ka zhvilluar takime në zyrën e saj me kreun e SHISH (akoma i pa dekretuar) Helidon Bendo, propozuar nga kryeministri Rama, me ministrin e brendshëm Fatmir Xhafa, emëruar nga kryeministri Rama, me ambasadorin e SHBA, Donald Lu, jo propozuar nga Kryeministri Rama. Flitet se dje është takuar edhe me kryeministrin Rama, por kjo mbetet një lajm i pavertetuar. Burime të tjera thonë se Arta Marku i takon të gjithë, por nuk pyet asnjë prej tyre, pasi ka një indipendecë krahinore të theksuar, përveçse profesionale. Eshtë nga Mirdita.

Megjithatë e verteta është se po diskutohet se çfarë impakti politik dhe publik do japin arrestimet e bëra gati, si dhe a duhen ekzekutuar para Vitit të Ri apo në ditët e para të janarit. Mësohet se kanë gjetur edhe gjyqtaren e besuar e cila firmos fletë-arrestet e prokurorisë. Pritet vetëm që ministri Fatmir Xhafa t’ia kalojë Drejtorisë së Policisë së Shtetit. Ndrojtja në kryeministri, e cila e di mjaft mirë skenarin, është se mos destabilizohet vendi me njerin prej emrave të gatshëm për arrest. Nuk dihet qëndrimi i ambasadorit Lu, por dihet se njeri krijon probleme.

Vetëm Fatmir Xhafa i di emrat e gatshëm për arrest nga politika, por nuk flet.