Presidenti Meta: Kurrë nuk e mendoja se Shqipëria do votonte kundër SHBA

Presidenti Meta ishte i ftuar këtë të enjte në “Opinion” te Blendi Fevziu. Në fillim u pyet për dhënien e nënshtetsisë Kryepeshkopit Janullatos. Me pas ishte pyetja në lidhje me votën e Shqipërisë në OKB kundër SHBA. Presidenti Meta tha se “Kurrë nuk e mendoja se Shqipëria do votonte kundër SHBA”. Më tej ai vazhdoi se SHBA është aleati ynë më i madh strategjik dhe nuk duhej të votohej kundër tyre.

Në lidhje me nënshtetsinë për Janullatos ai tha se “Jam shumë i bindur për drejtësinë e këtij vendimi sepse Fortlumturia e Tij i plotëson të gjitha kriteret por sepse Ai ringriti nga hiri Kishën Autoqefale të Shqipërisë duke e bërë atë sot në një nga kishat më të nderuara në botë”, tha Meta në një intervistë për Opinion, teksa shtoi se së pari shtë detyrim ndaj besimtarëve ortodoksë shqiptarë.

Presidenti bëri një apel kur kërkoi që Janullatosin ta shohin vetëm si misionar dhe njeri të Perëndisë. “Ju ftoj të gjithë të ndajmë cështjen e origjinës së Janulloatosin nga cështja e besimit. Ai është personalitet i besimit, misionar dhe nnjeri i Perëndisë i cili ka bërë shërbime të jashtëzakonshme Kishës sonë Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Besimet kanë lindur para shteteve dhe kombeve dhe unë jam i bindur se ardhmja e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë është më e ndritur dhe e sigurt falë edhe kontributit historikut të Janullatosit”, theksoi kreu i shtetit.

Ilir Meta u pyet për raportet me Kryeministrin Rama, për Monika Kryemadhin, për Lulzim Bashën, Doktorin,etj

Intervista e plotë e Presidentit Ilir Meta:

Gazetari: Do të thoja se kjo intervistë sot normalisht duhet të kishte qenë një intervistë më shumë festive, e përqendrua në fund të vitit te atmosfera e festave, megjithëse këtë vit nuk po ndihet aq shumë se sa vitet e tjera. Duket pak më e ndrydhur. Ndërkohë ju keni ndërmarrë disa zhvillime politike që ju kanë sjellë në qendër të vëmendjes, edhe pse presidenti i ri është gjithmonë protagonist.

E para është ajo që lidhet me Janullatosin, me faktin që ju i keni dhënë pasaportën, duke u bërë i pari president pas disa presidentësh, që i jep shtetësinë shqiptare kreut të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. E dyta jeni bërë protagonist me një letër që i keni çuar Presidentit amerikan, Donald Trump lidhur me votimin që Shqipëria ka bërë për rezolutën e propozuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për të dënuar aktin e SHBA-ve që e zhvendosi ambasadën amerikane nga Tel-Avivi në Jeruzalem. Njëkohësisht ka pasur disa zhvillime në Parlament ku nuk keni qenë ju protagonist, por ka qenë bashkëshortja juaj dhe shumë e fortë, por edhe një seri pyetjesh që lidhen me zhvillimet politike. Shpresoj që ju të jeni sa më i hapur dhe i drejtpërdrejtë!

Pyetja e parë është gati e menjëhershme: Kush jua kërkoi që t’i jepni shtetësinë shqiptare Anastas Janullatosit? Ishte një, po e quaj, një shërbim që i bëtë Greqisë? Ishte një tentativë për të ulur tensionet me këtë vend apo ishte një bindje e juaja që Anastas Janullatosi e meritonte shtetësinë shqiptare?

Presidenti Meta: Absolutisht ishte një bindje e ime e plotë institucionale…

Gazetari: Dhe nga ishte krijuar kjo bindje, zoti Meta?

Presidenti Meta: … për shkak të ligjit për shtetësinë, ku mund të theksoj se Fortlumturia e Tij i plotësonte të gjitha kriteret…

Gazetari: Brenda këtij ligji duhet të jetë edhe fakti që ai duhet të flasë shqip,në mos gaboj…?

Presidenti Meta: Nuk besoj se trajneri ynë shumë i dashur De Biazi flet shqip apo e flet më mirë shqipen se sa Fortlumturia e Tij, për të mos përmendur edhe mjaft raste të tjera. Së dyti mendoj që në këtë mënyrë i kam bërë një shërbim shumë të mirë…

Gazetari: … Kujt ia keni bërë këtë shërbim?

Presidenti Meta: …Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën Fortlumturia e Tij e ringriti nga hiri i trashëguar nga sistemi komunist dhe është sot një nga kishat më të nderuara në botë…

Gazetari: … por u ringrit nga një…

Presidenti Meta: …falë, në veçanti të, personalitetit të tij. Dhe është një detyrim ndaj gjithëve besimtarëve ortodoksë në vendin tonë dhe ka qenë edhe një kërkesë e vazhdueshme e shumë personaliteteve të shquara të vendit tonë: doktorë, rektorë, ish-dekanë, emra nga më të shquarit të mjekësisë, të shkencës…

Gazetari: …Po si shpjegohet zoti Meta, që të paktën katër presidentë njëri pas tjetrit kanë refuzuar që t’i  japin pasaportën shqiptare Anastas Janullatosit?

Presidenti Meta: Do të theksoja se është tjetër refuzimi…

Gazetari: …Presidenti Berisha, Presidenti Meidani, Presidenti Moisiu, Presidenti Topi, Presidenti Nishani. Jeni i gjashti, pra pas pesë presidentëve, të cilët kanë refuzuar që ta bëjnë shtetas shqiptar Anastas Janullatosin. Ju keni vendosur që ta bëni këtë gjë.

Presidenti Meta: Mendoj se nuk ka pasur ndonjë refuzim. Ka pasur mosdekretim. Ka qenë një kërkesë në pritje.

Gazetari: Ishit i bindur kur e firmosët këtë dekret?

Presidenti Meta: Kam qenë shumë i bindur dhe sot jam akoma më i bindur, dhe në të ardhmen do të jem edhe më i bindur, sepse më vjen keq, por ne ende vazhdojmë të politizojmë çështjen e besimit…

Gazetari: Nuk është çështje politizimi zoti Meta. Kam përshtypjen se Kisha Autoqefale Shqiptare që prej fillesave të saj në statutin e Korçës në vitin 1929 në mos gaboj, e më pas me rikonfirmimet e Kristofor Kisit ka qenë një kishë që duhej të drejtohej nganjë prift, ose një peshkop shqiptar. Në fakt Anastas Janullatosi nuk ka qenë një peshkop shqiptar në momentin kur ka ardhur në krye të KOASH-it, por ka pasur shtetësi greke. Dhe historia e KOASH-it ka qenë një histori përplasjesh me Kishën Ortodokse Greke. As me atë ruse, as me atë malazeze, as me atë maqedonase.

Presidenti Meta: Jam dakord me ju. Nuk i heq asnjë presje. Dhe do të kishte qenë shumë më mirë që kryepeshkopi i parë pas komunizmit dhe pas lejimit të ushtrimit të lirë të besimeve në Shqipëri të kishte qenë shqiptar.

Por për shkak të të vërtetave, duhet të themi se edhe Kristofor Kisi që përmendët, edhe Visarion Xhuvanin që ju nuk e përmendët…

Gazetari: Jo, jo, është një numër i madh. Kjo histori nis me Fan Nolin në vitin 1900 e…, vitit 1910 në mos gabohem…

Presidenti Meta: Dakord! Dakord! Patjetër! Gjithë këto personalitete të Kishës sonë Autoqefale nuk i persekutoi, nuk i denigroi, nuk i dhunoi as Kisha greke, as Fortlumturia e Tij, por meqenëse…

Gazetari: Jo, ato i bëri diktatura komuniste.

Presidenti Meta: …po diktaturën ne e bëmë dhe disa prej tyre vazhdojnë akoma të ushqejnë këtë frymë tepër negative. Dhe mbaj mend, sepse më ka bërë shumë përshtypje para dhjetë vitesh, kur djali im ishte ndoshta gjashtë vjeç, dhe po shikoja në ‘Eksplorer’ një emision për periudhën e komunizmit në vendin tonë. Thashë ta pyes njëherë djalin se çfarë ideje kishte për periudhën e komunizmit dhe vërtet doja të dija si mendonte një fëmijë, më të cilin nuk kishim folur kurrë për të kaluarën e Shqipërisë. ‘Komunizmi varte priftërinj.’ – më tha.

Prandaj nga gjërat e rënda që ai mund të kishte parë, mund të kishte dëgjuar, mund të kishte perceptuar për atë sistem është që ‘Komunizmi varte priftërinj.’

Dhe unë kur dëgjoj ende një retorikë shpesh herë të papërgjegjshme ndaj Fortlumturisë së Tij apo ndaj Kishës në tërësi, më kujtohet ajo që djali më ka thënë, që një fëmijë mund të thotë se si e ka perceptuar ai regjimin komunist.

Po kështu më kujtohet edhe gjyshja kur isha i vogël, kur shkoja në fshat në Skrapar, e cila kur donte të na bënte presion ne, fëmijëve që duhet të mos bënim zhurmë e të flinim gjumë, na thonte: ‘Erdhi greku! Erdhi greku!’”

Gazetari: Po, për arsye të kontekstit historik që…

Presidenti Meta: …Po, për arsye të luftrave me grekët në ato zona, siç kishin luftuar në Kolonjë, në Panarit, në Korçë e kështu me radhë, dhe me grekun trembeshin fëmijët që të silleshin mirë.

Gazetari: …bëhej fjalë për hyrjen e grekëve në Luftën e Dytë Botërore në mos gaboj, për Luftën Italo-Greke?

Presidenti Meta: Mund t’ju them se unë vetë kam pasur shumë paragjykime për Fortlumturinë e Tij, deri në vitin 2000, sepse në vitet ’90-të ka pasur shumë përplasje mes Shqipërisë e Greqisë dhe gjithmonë këto përplasje janë shkarkuar në mënyrë të padrejtë te figura e te personaliteti i tij, por në vitin 2000…

Gazetari: …por edhe te emigrantët zoti Meta, të cilët hipeshin nëpër autobusë dhe ktheheshin mbrapsht sikur të ishin sardele… dhe jo sikur të ishin njerëz?

Presidenti Meta: … Po patjetër! Patjetër! Në vitin 2000 kur kam qenë kryeministër kam vizituar Kishën e Bostonit të At Artur Liolinit dhe kam bërë një bisedë me të vetëm për vetëm për këtë çështje.

Gazetari: Dhe cila ishte përgjigja që ju dha?

Presidenti Meta: Ai më sugjeroi një gjë, të cilën unë i ftoj të gjithë ata që janë të arsyeshëm, që ta kenë në konsideratë, kur flasin për një çështje të tillë dhe për një personalitet të tillë që mos e shikoni nga origjina e tij, por shikojeni si një njeri të besimit!

Gazetari: Atëherë unë do të doja…

Presidenti Meta: Dhe jo vetëm kaq, por pak më vonë dhe ju po të doni mund ta klikoni edhe në internet e ta kërkoni në ‘Google’, At Liolini ka dhënë një intervistë në mos gaboj në vitin 2008, kur përkujtohej një përvjetor shumë i rëndësishëm i meshës së parë shqip në Boston, dhe kur disa shqiptarë kishin paralajmëruar që do të bojkotonin, sepse edhe Fortlumturia e Tij ishte i ftuar të merrte pjesë, dhe ka thënë që: ‘Edhe Imzot Noli, po të ishte gjallë, do ta priste dhe do ta respektonte.’”

Gazetari: Ju e mbani mend që fillesat e Kishës Autoqefale…

Presidenti Meta: I ftoj të gjithë që ta shikojnë si njeri të besimit, sepse besimi ka lindur edhe para shteteve, edhe para kombeve…

Gazetari: Por duhet ta keni parasysh që në vitin 1908 Fan Noli u dorëzua prift, sepse një prift i Kishës Ortodokse Greke nuk pranonte të kryente shërbesat fetare ndaj një djali shqiptar me mbiemrin Dishnica, se ai kishte luajtur një rol në aktivitetin kombëtar shqiptar…

Presidenti Meta: Jam shumë dakord! Kam lexuar që i vogël, dhe besoj se e keni lexuar edhe ju ‘Pishtarët’ të Sterjo Spases.

Kemi parë filma dhe ato që kanë ndodhur janë të vërteta.

Duhet të kemi parasysh se Fortlumturia e Tij nuk ka ardhur këtu si përfaqësues i Kishës greke.

Por ka ardhur këtu si Ekzark i Patriarkanës së Stambollit dhe ka ardhur këtu për shkak të personalitetit të tij të jashtëzakonshëm, edhe ndërkombëtar  dhe të sukseseve të jashtëzakonshme që ka pasur për rindërtimin e kishave e të besimit në Afrikën Lindore e të shumë rajoneve të tjera.

Pra ka ardhur për shkak të emrit, të personalitetit, dhe jo për shkak të kombësisë apo origjinës së tij.

Gazetari: Nëse Hirësia e Tij… për hir të së vërtetës ka luajtur rol në ringjalljen e besimit ortodokset, në rindërtimin e objekteve të kultit, në strukturimin…

Presidenti Meta: Si ka luajtur?

Gazetari: Ka luajtur një rol të rëndësishëm…

Presidenti Meta: Nuk ka luajtur një rol të rëndësishëm. Ka luajtur një rol historik dhe të jashtëzakonshëm!

Gazetari: Por ky rol i tij i jashtëzakonshëm zoti Meta ka qenë gjithmonë dhe në një pikë që ka çeduar – ka qenë raporti që ai ka pasur me Greqinë. Unë mbaj mend që në vitin 2006 njëri nga deputetët e Parlamentit të Shqipërisë i kërkoi atij që të mbante një përshpirtje fetare për shqiptarët ortodoksë çamë, të cilët u masakruan në vitin 1944 dhe Hirësia e Tij nuk ktheu asnjë përgjigje. Hirësia e Tij në rastin e vitit 2006 po ashtu, ose në vitin 2007, më fal, për çështjen e Kosinës në Përmet që ju e mbani mend shumë mirë, kur prifti lokal dhe një pjesë lokalësh nxorën eshtrat e të parëve të tyre që t’i shisnin për eshtrat e ushtarëve grekë, refuzoi t’i përgjigjej shtypit shqiptar. Sa herë që ka pasur përplasje me Greqinë, Hirësia e Tij nuk ka bërë asnjë deklaratë. Ndërkohë që ka një rol në këtë drejtim, nuk ka guxuar kurrë që të mbajë një qëndrim…

Presidenti Meta: Mos u përpiqni as ju, dhe askush që ta bëjë Fortlumturinë e Tij pjesë të debateve politike, të lëvizjeve politike në vend.

Ai padyshim që ka lidhje me Greqinë, sepse ka lindur, është rritur, është edukuar atje për një pjesë të mirë të kohës.

Është i interesuar padyshim që marrëdhëniet të jenë sa më të mira, sa më paqësore midis dy vendeve.

Besoj se në vazhdimësi është vënë re kontributi i tij në këtë drejtim pa interferuar me valencat e ndryshme politike këtu apo atje.

Dhe e theksoj edhe një herë: Duhet të keni në konsideratë kur flasim për këtë personalitet faktin që ai është një njeri i besimit! Nuk duhet të shohim thjesht që…

Gazetari: Unë ju fola për besimin, zoti Meta. Nuk ju fola për… Ju fola për një gjest, për një përshpirtje ndaj shqiptarëve çamë ortodoksë që kanë vdekur atje. Në fund të fundit priftërinjtë, njerëzit e besimit shkojnë te ushtarët armiq përpara se të vdesin dhe u kryejnë shërbimet fetare.

Presidenti Meta: Jo, kjo nuk është… një pyetje për mua.

Gazetari: Para Zotit të gjithë njerëzit janë të barabartë.

Presidenti Meta: Kjo është një pyetje për Forlumturinë e Tij apo për zëdhënësin e Kishës, sepse nuk është normale që qoftë edhe një president apo kushdo politikan t’i japë direktiva Kishës….

Gazetari: …dhe si shpjegohet zoti Meta, se më shumë se sa ortodoksët shqiptarë, se sa komuniteti ortodoks dhe personalitetet shqiptare, pati një entuziasëm në politikën greke? Ministri i Jashtëm grek e përshëndeti. Sipas informacioneve që kam unë dhe një numër i madh politikanësh grekë janë treguar entuziastë.

Presidenti Meta: Së pari të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë që besojnë, janë tepër të lumtur.

Shumë prej tyre, nuk po përmend emra, personalitete janë shprehur edhe publikisht, njerëz të ndritur të shoqërisë sonë, figura intelektuale, rektorë, ish-rektorë, dekanë,…

Gazetari: Ju kanë përshëndetur?

Presidenti Meta: …mjekë, njerëz nga më të njohurit, shkencëtarë, janë tepër të lumtur dhe e konsideronin si një padrejtësi apo si një ngërç faktin që nuk i ishte dhënë shtetësia Fortlumturisë së Tij.

Jo thjesht e vlerësojnë, por unë kam bindjen që e adhurojnë, sepse ka dhënë një kontribut që ne nuk e njohim, sepse ne shkojmë në kishë vetëm kur janë Krishtlindjet apo kur janë Pashkët, por ata që janë besimtarë janë mjaft të lidhur jo vetëm me shërbesat fetare por edhe ato sociale që ofrohen nga kisha.

Gazetari: …po, me përditshmërinë e shërbimeve…

Presidenti Meta: …me shërbimet sociale të jashtëzakonshme që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka ofruar jo vetëm për besimtarët ortodoksë, por edhe për qytetarë të zakonshëm.

Dhe të mos harrojmë që një vend ku gjithçka u rikrijua nga hiri i komunizmit.

Ku u shkatërruan jo vetëm kishat, por edhe xhamitë, por edhe gjithçka tjetër, kur iu vu kazma afreskeve shekullore, mijëravjeçare, kur kishat apo objektet e kultit u shndërruan në stalla dhe magazina…

Gazetari: …Kjo ndodhi me të gjitha besimet fetare në Shqipëri, nuk ndodhi vetëm me kishat ortodokse. Ka qenë më masakër ndaj Kishës Katolike…

Presidenti Meta: Patjetër! Të mos harrojmë atë punë të jashtëzakonshme që është bërë për rindërtimin e këtij besimi e të kishës, jo vetëm nga ana materiale, por edhe nga ana shpirtërore. Edhe nga ana përmbajtësore, nga ana gjuhësore, përmes përkthimeve në shqip të liturgjive. Përveç disa liceve kishtare, kemi Akademinë e Durrësit, të Shën Vlashit, e cila përgatit drejtues të Kishës dhe janë gati 150 a më shumë drejtues shqiptarë të Kishës sonë Ortodokse që janë formuar në këtë Akademi.

Gazetari: …kemi edhe Manastirin e ndërtuar pa leje ku do të varroseshin eshtrat e ushtarëve grekë… zoti Meta. Që është unikale që një kishë të ndërtojë pa leje për të bërë gati varrezat e ushtarëve grekë…

Presidenti Meta: Për këto çështje mund të pyesni edhe Kishën zyrtarisht së pari. Së dyti, mund të pyesni edhe Komitetin e Kulteve, sepse shteti ka një komitet kultesh, i cili i ndjek marrëdhëniet me to.

Gazetari: …por ju keni qenë në dije… të presionit që ka bërë Greqia për ndërtimin e varrezave në Shqipëri…?

Presidenti Meta: Më falni! Ajo është një çështje tjetër dhe çështja e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë është një çështje tjetër…

Gazetari: … Atëherë si e shpjegoni ju entuziasmin…?

Presidenti Meta: … përpjekja për ta lidhur gjithmonë sa herë ka probleme mes Shqipërisë dhe Greqisë me figurën e ndritur të Fortlumturisë së Tij është shumë e gabuar.

Kjo vjen ose nga mungesa e informacionit, ose është e sponsorizuar për qëllime politike.

Dhe e dyta përmes saj është synuar, disa herë jam i bindur edhe qëllimisht, dhe synohet të denigrohet i gjithë komuniteti ortodoks në Shqipëri…

Gazetari: Jo, kjo nuk është e vërtetë! Nuk kemi pse denigrojmë komunitetin…

Presidenti Meta: …tani më vjen keq! Dhe jo vetëm kaq, por ndonjëherë të paraqiten të gjithë shqiptarët ortodoksë sikur janë grekë, gjë që nuk është absolutisht e vërtetë.

Prandaj unë do t’i ftoja të gjithë të ndajnë çështjen e origjinës së Kryepeshkopit tonë, i cili tani është edhe shtetas i Shqipërisë, nga çështja e besimit.

Besimi është një çështje tjetër, dhe ai është personalitet i besimit mbi të gjitha.

Gazetari: Dhe si e shpjegoni ju zoti Meta entuziasmin e ministrit të Jashtëm grek në këtë rast, kur normalisht nuk ka përse të entuziasmohet aq shumë kur një grek merr shtetësinë shqiptare? Duhet të ndodhte e kundërta.

Presidenti Meta: Kollokotroni ka thënë: ‘Edhe grekët më të çmendur nuk e braktisin kurrë Zotin!’ Dhe ne e dimë që populli grek është një popull mjaft besimtar, pothuajse homogjen në besimin ortodoks.

Gazetari: Po. E ka të deklaruar edhe në pasaportë.

Presidenti Meta: Jo vetëm kaq, por edhe marrëdhëniet mes kishës dhe shtetit kanë qenë gjithmonë shumë të forta. Duhet të keni parasysh që jo vetëm ministri i Jashtëm, i cili më ka telefonuar atë ditë, Presidenti…

Gazetari: …edhe Presidenti i Greqisë?…

Presidenti Meta: … Po, lajmi doli nga agjencia zyrtare greke. Ishte lajm që e nxorën ata, por edhe shumë politikanë…

Gazetari: …grekë, gjithmonë?…

Presidenti Meta: …po, më kanë falenderuar shumë politikanë nga forca të ndryshme, përveç se nga ‘Agimi i Artë’.

Edhe shumë shqiptarë, të cilët jetojnë atje, edhe kolegë tuajt gazetarë dhe do t’jua jap shpejgimin, sepse janë disa arsye. E para, nuk ka të bëjë me faktin se një kryepeshkop me origjinën greke mori shtetësinë shqiptare. Kjo ka të bëjë me faktin që Fortlumturia e Tij nuk është një klerik i zakonshëm jo vetëm për grekët…

Gazetari: …Përse nuk është i zakonshëm?

Presidenti Meta: …është një erudit, një shkencëtar në fushën e besimit, të teologjisë, është një filozof, një mendimtar, një krijues, një misionar, është një idealist.

Kështu që duhet të kemi parasysh se janë ndërtuar njëqind e pesëdhjetë kisha të reja, përfshirë edhe katedralen madhështore e të jashtëzakonshme në qendër të Tiranës dhe janë rindërtuar e restauruar rreth treqind objekte kulti të shkatërruara e të rrënuara në gjithë vendin.

Gazetari: …kjo ka ndodhur me të gjitha komunitetet…

Presidenti Meta: …dhe kjo ka ndodhur për shkak të reputacionit të tij të jashtëzakonshëm ndërkombëtar dhe të besimit që kanë pasur në administrimin e drejtë dhe me përkushtim të ndihmave të dhëna.

Gazetari: …dhe të financimit grek… apo jo, sepse një pjesë e madhe e të ardhurave kanë ardhur  nga…?

Presidenti Meta: …Një pjesë mund të ketë qenë e tyre, por mos harroni se nga Amerika, nga Danimarka, nga  e gjithë bota, sepse është vetë figura e tij mjaft e besueshme për të realizuar një administrim vërtet të admirueshëm.

Gazetari: Zoti Meta, ju shkoi ju ndër mend…? Apo jua kërkuan grekët, autoritetet greke që ta firmosnit dekretin e shtetësisë?

Presidenti Meta: …Autoritetet greke nuk më kanë kërkuar një gjë të tillë, të paktën për këtë periudhë që jam në këtë detyrë, sepse nuk kam pasur raste për takime të ndryshme, pavarësisht se askush nuk ka arritur ta kuptojë pse një figurë, që drejton Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë nuk duhet ta marrë shtetësinë, kur atë e merr kushdo që plotëson disa kushte minimale të përcaktuara nga ligji.

E theksoj edhe njëherë tjetër, jo vetëm plotësoheshin të gjitha kushtet e ligjit, por në radhë të parë ishte detyrim ndaj Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ndaj besimtarëve ortodoksë në Shqipëri dhe në shërbim e në funksion të bashkëjetesës midis komuniteteve tona fetare, ku Fortlumturia e Tij gjithmonë ka dhënë një kontribut të çmuar.

Gazetari: A kishte një marrëveshje mes jush dhe Janullatosit që ju t’i jepnit shtetësinë dhe ai të deklaronte se pasardhësi i tij do të jetë shqiptar, siç deklaroi?

Presidenti Meta: Nuk ka pasur një marrëveshje të tillë, por unë ua thashë që ai është njeri i besimit. Është një njeri i Perëndisë.

Ai është një misionar, i cili jo vetëm që ka një mision që pothuajse e ka realizuar në kuptimin e rindërtimit nga hiri të Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, por ka edhe një vizion për të ardhmen.

Dhe këtë vizion besoj se e shprehu shumë qartë në një nga televizonet kryesore të Greqisë ku u shpreh qartë se pasardhësi i tij në krye të KOASH-it do të jetë shqiptar dhe…

Gazetari: …Varet. Do të jetë shqiptar me pasaportë të marrë apo do të jetë shqiptar me pasaportë të lindur se këto janë dy gjëra të ndryshme, zoti Meta?

Presidenti Meta: Atëherë ma dëgjoni deri në fund shpjegimin që ka dhënë Fortlumturia e Tij dhe mund ta ritransmetoni ndoshta kur të keni mundësi në fillimin të vitit tjetër! E para, do të jetë shqiptar. E dyta, ‘nuk kemi shkuar atje për të krijuar një koloni, në Shqipëri’, pra për të helenizuar Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare apo akoma edhe më tej. E treta, ka thënë në televizionin grek, me gazetarin grek dhe për opinionin publik të Greqisë që “si do të na vinte ne sikur në krye të Kishës sonë të kishim një bullgar apo një serb…’

Atëherë kjo tregon një vizion të qartë, një përkushtim të qartë, ashtu sikurse ma kanë kërkuar disa të tjerë drejtues të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ma ka kërkuar prej kohësh Imzot Joani në Korçë, është një nga drejtuesit më të njohur të Kishës sonë, dhe shumë klerikë të tjerë shqiptarë të kishës tonë.

Presidenti Meta: Më duket se isha shumë i qartë. Dhe problemi ynë me Greqinë në të ardhmen lidhur me këtë figurë, e dini se cili do të jetë? Pas njëzet vitesh apo tridhjetë vitesh?

Gazetari: Cili do të jetë?

Presidenti Meta: Do të kemi prapë një debat, por ne do të përpiqemi ta paraqesim sa më shqiptar…

Gazetari: …ata do të përpiqen ta paraqesin sa më grek…?

Presidenti Meta: …nuk thashë këtë gjë, por edhe shumë nga këta që kanë hedhur baltë padrejtësisht ndaj figurës së tij, duke u përpjekur gjithmonë ta shoqërojnë me një problem që ndodh atje apo këtu do reflektojmë.

Gazetari: …aq shumë adhurim po ju shoh për Hirësinë e Tij zoti Meta, saqë më duket sikur do të braktisni bektashizmin, të cilit i përkisni, për t’u bërë ortodoks më duket?

Presidenti Meta: Jo! Mua padrejtësitë më lëndojnë. Po e them me shumë sinqeritet.

Gazetari: Më shumë keni lënduar Baba Mondin me këtë…

Presidenti Meta: Jo! Baba Mondi besoj se është shumë i lumtur. Edhe të gjithë ata që besojnë te Zoti, besoj se janë më të lumtur dhe janë më të qetë.

Dhe unë mendoj se kjo është një ngjarje mjaft pozitive.

Jam tronditur kur kam dëgjuar apo kam lexuar, edhe nga njerëz të ditur apo me shkollë, të cilët thonë: ‘Ka një problem këtu pse po gëzohet kaq shumë Greqia!’ Sepse është një figurë e jashtëzakonshme. Unë mund të kujtoj një letër të Mikis Theodorakis, një nga kompozitorët më të mëdhenj të Greqisë, që po bëhet gati 100 vjeç, që kishte dërguar me rastin e ardhjes këtu në Tiranë të Orkestrës së Mikis Theodorakis, kur erdhi dhe vajza e tij.

Ata kishin ardhur me kërkesë të Fortlumturisë për të dhënë një shfaqje kulturore dhe ai në letrën e tij, të kemi parasysh që Mikis Theodorakis është edhe pak më i majtë seç duhet, edhe revolucionar…

Gazetari: …si shumë i majtë. 

Presidenti Meta: Nuk është nga ata që besojnë më shumë se kushdo, por më ka ngelur në mendje se si i drejtohej ‘Anastasi i zemrave tona’. Pra, është një njeri që ka një vlerësim, ka një ardhurim jo vetëm në Greqi.. 

Gazetari: Paskan përcjellë të gjithë pak nga adhurimi i tyre tek ju zoti Meta!

Presidenti Meta: Unë gjithmonë kam admiruar durimin, qetësinë e tij.

Gazetari: A u ndjetë keq kur ai mori dekretin e shtetësisë shqiptare dhe nuk tha as ‘Faleminderit!’ në shqip, por foli sërish greqisht. Ose nuk tha të paktën ‘Zoti e bekoftë Shqipërinë’?

Presidenti Meta: Unë besoj që ai i ka bërë shërbime të jashtëzakonshme Kishës sonë Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Shqipërisë dhe çdo lloj paragjykimi  në këtë drejtim më kujton atë që djali më ka thënë për komunizmin kur ishte 6 vjeç, që komunizmi  varte priftërinjtë, kjo i kishte ngelur në mendje një fëmije.

Më kujton dhe gjyshen që kur ishim të vegjël na trembte kur bënim zhurmë duke na thënë “erdhi greku-erdhi greku”.

Gazetari: Zoti Meta do të doja të kaloja nga ky dekret që ngjalli kaq diskutime që ju bëtë ditën e Krishtlindjeve, pra i dhatë akoma më simbolikë tek një tjetër debat i cili ju ka vendosur në qendër të vëmendjes. Ka qenë një reagim që ju keni bërë për çështjen e votimit të Shqipërisë në një rezolutë të propozuar nga Egjipti për të “dënuar” SHBA-të për vendimin që ata morën për të transferuar Ambasadën e SHBA-ve në Izrael, nga Tel-Avivi ku ndodhet prej vitesh, drejt Jeruzalemit. Ju jeni shprehur që ky nuk ishte një vendim i drejtë. A mund të ma shpjegoni si duhet të votonte Shqipëria në gjykimin tuaj?

Presidenti Meta: Kjo çështje u bë mjaft e ndjeshme për opinionin publik ndërkombëtar, botëror, natyrisht edhe shqiptar, sepse vendimi i Presidentit të SHBA-së solli një reagim…

Gazetari: …përçau dhe aleatët, SHBA-të me vendet e tjera perëndimore si Gjermania, Franca, Britania, etj.

Presidenti Meta: …dhe sigurisht solli reagime të forta ku në përgjigje të këtij vendimi sovran të Presidentit të SHBA-së, por dhe në respektim të vendimeve të mëparshme të Kongresit u propozua një rezolutë, e cila synonte të dënonte praktikisht një veprim të tillë. Natyrisht është një çështje delikate. Ne asnjëherë nuk dëshirojmë që aleatët tanë më të rëndësishëm SHBA-ja, BE-ja apo Italia, Greqia, Gjermania, Britania, Franca, Turqia të kenë kundërvënie për çështje të caktuara, sepse kjo na vendos në një pozicion jo shumë komod.

Gazetari: Megjithatë kësaj here ishim të detyruar të votonim. Si duhet të votonim ne? 

Presidenti Meta: Gjithmnë, mendoj, me përgjegjshmëri dhe me urtësi duhet të ruajmë disa raporte të cilat nuk e cënojnë besueshmërinë tonë në raport me aleatët në raport me interesat tona, edhe shtetërore edhe kombëtare. 

Gazetari: Cili ishte interesi ynë? Si duhet të votonim ne në këtë rezolutë zoti Meta?

Presidenti Meta: Unë mendoj se çdo votim tjetër përveçse atij që ka ndodhur do të ishte shumë i pranueshëm. 

Gazetari: Pra, dhe abstenimi dhe votimi kundër rezolutës, pra në favor të SHBA-së. 

Presidenti Meta: Ka patur tre mundësi për t’u shprehur ndryshe. 

Gazetari: Pro rezolutës, abstenim dhe kundër rezolutës. 

Presidenti Meta: Pro rezolutës, e cila ka të bëjë me një vendim sovran të SHBA-ve, të cilin ato nuk po ia imponojnë askujt tjetër.

Gazetari: Ministri Bushati është shprehur se Shqipëria ka votuar gjithmonë, që prej vitit 1967 në këtë mënyrë. 

Presidenti Meta: Nuk dua të hyj në komente, debate për një çështje për të cilin opinioni publik është shumë i qartë, për të cilin është shprehur Presidenti i SHBA-së para votimit, për të cilin është shprehur Ambasadorja e SHBA-së në OKB përpara dhe pas votimit.

 Gazetari: Ju thatë ishin tre mundësi? 

Presidenti Meta: Një mundësi ka qenë abstenimi, pra as për ta dënuar, por as për të dhënë një mbështetje të hapur dhe të qartë për këtë vendim. 

Gazetari: Ka pasur dhe një version të katërt që kanë zhvilluar disa shtete, nuk kanë qenë fare të pranishme në sallë. 

Presidenti Meta: Si Maqedonia fqinje, si Vietnami, si dhe 20 vende të tjera të cilat nuk morën pjesë në votim.

Si Bosnja dhe shumë vende të tjera dhe në rajon dhe në Evropë zgjodhën abstenimin. Përderisa u kërkua publikisht një vlerësim, një përqendrim tek ky votim nga Presidenti i SHBA-së dhe Ambasadorja e SHBA-së në OKB dhe përderisa Amerika është në vlerësimin tonë aleati më i rëndësishëm strategjik, atëherë padyshim ka patur disa opsione përveç atij që ndodhi.

Gazetari: Pra, ju e quani një votim të gabuar?

Presidenti Meta: Të panevojshëm. Të panevojshëm është më diplomatike, se sa të thuash të gabuar.

Gazetari: Ndërkohë që Ministri i Jashtëm është shprehur që ju nuk kuptoni nga politika e jashtme, po manipuloni ose nuk e kuptoni mirë se çfarë ka ndodhur realisht. A jeni konsultuar ju me Ministrin e Jashtëm? 

Presidenti Meta: Mos prisni nga unë që të ulem në nivele të tilla, të debateve dhe polemikave.

Ky ka qenë një vendim që Ministria e Jashtme mund të jetë konsultuar me këdo, por jo me Institucionin e Presidentit të Republikës.

Ka patur një përpjekje përpara votimi nga Drejtori im i Kabinetit meqënëse çështja po bëhej mjaft sensibël në media dhe po afronte dhe ora e votimit për të ditur se si… 

Gazetari: Për të ditur thjesht për informacion? Apo për t’i kërkuar zyrtarisht nga Presidenca që Shqipëria të mbante një qëndrim të ndryshëm nga ai që mbajti.? 

Presidenti Meta: Për të diskutuar, për të qenë në dijeni… 

Gazetari: Kryeministri Rama ju kontaktoi për çështje? 

Presidenti Meta: Asnjëherë nuk kam menduar personalisht se mund të ndodhte një votim i tillë në një situatë të tillë kur kërkesat kanë qenë publike të bëra dhe nga Presidenti i SHBA-së dhe nga Ambasadorja e SHBA-së në OKB. 

Gazetari: Ju e dinit shumë mirë zoti Meta se Ambasadori që përfaqësonte Shqipërinë në Konferencën Islamike, e kishte dënuar Rezolutën. Pra, që ishte një parathënie e asaj që pritej të ndodhte në OKB.

Presidenti Meta: Nuk ka pasur asnjëherë një rekomandim apo një sugjerim, apo udhëzim që Ambasadori ynë të dënojë një veprim sovran të SHBA. 

Gazetari: Nuk ka pasur një udhëzim. 

Presidenti Meta: Po, nga ana e Institucionit të Presidentit.

Gazetari: Nuk e dinit deri në momenti që u bë votimi?

Presidenti Meta: Nuk e kam ditur, jo vetëm kaq, por unë e kam marrë vesh si ju dhe si të gjithë qytetarët votimin, sesi është votuar dhe dy orë e gjysmë pasi kishte ndodhur votimi Drejtori i im i Kabinetit ka marrë një përgjigje që u votua ‘Pro’.

Gazetari: Do ju pyes për këtë, por doja t’ju pyesja për diçka tjeër. Ju thatë që e ndjetë sensibilitetin, madje Drejtori i juaj i Kabinetit ka tentuar të kontaktojë Ministrinë e Jashtme. Do ju pyes më pas për dijeninë apo jo. T’ju bëj një pyetje tjetër, – duke e ditur sensibilitetin e madh që kishte çështja, duke ditur reagimin, përse ju si President i Republikës nuk e kontaktuat vetë Kryeministrin për ta pyetur se çfarë qëndrimi do të mbante Shqipëria?

Presidenti Meta: Sepse asnjëherë nuk kam menduar që mund të votohet në këtë mënyrë kaq të panevojshme. 

Gazetari: Pse sipas jush Shqipëria votoi në mënyrë kaq të panevojshme?

 Presidenti Meta: Ne kemi kërkuar sqarime si Institucion i Presidentit. Presim sqarime se cilat kanë qenë argumentet. 

Gazetari: A keni ju një opinion se përse Shqipëria ka votuar kështu?

 Presidenti Meta: Edhe nëse kam, nuk kam asnjë arsye pa pritur sqarime që të jap qëndrimin tim. Por, ajo që mund të them është që ‘qëndrimet e Shqipërisë për çështje të rëndësishme sidomos në raport me aleatët tanë më të rëndësishëm duhet të jenë mjaft të qëndrueshme, të besueshme dhe të mirëkonsultuara’. Pra, duhet të reflektojnë një konsensus madje jo vetëm shtetëror, por edhe një konsensus më të gjerë për arsye sepse kemi çështje të rëndësishme siç është ende çështja e Kosovës, çështjet e shqiptarëve në rajon të cilat na kërkojnë përgjegjshmëri të madhe për të ruajtur besueshmërinë ndërkombëtare. 

Gazetari: Vetëm se zoti Meta, a ju duket gati-gati skandaloze që për një gjë kaq të rëndësishme shteti shqiptar në dy institucione: Presidenca dhe Kryeministria, pra Presidenti dhe Kryeministri, shto dhe Ministrin e Jashtëm, pra, që janë politikëbërësit e jashtëm më të rëndësishmit në këtë vend nuk kanë pasur komunikim?

 Presidenti Meta: Këtë mund ta vlerësoni ju dhe mund ta vlerësojë kushdo. Se kam menduar asnjëherë se do të ketë një vendim të tillë, sepse ka patur disa opsione të tjera. Së dyti, pak minuta përpara votimit kur Drejtori i Kabinetit ka dashur të pyesë se si parashikohet votimi, përgjigja ka qenë që: ‘Jemi ende në konsultime’. 

Gazetari: Shtypi ka publikuar një fakt sipas të cilit në email-et e njërit prej këshilltarëve tuaj diplomatikë, por dhe të Shefit të Kabinetit ka pasur informacione vazhdimisht nga Ministria e Jashtme për atë që pritej të ndodhte.

Presidenti Meta: Unë besoj se jua dhashë përgjigjen.

 Gazetari: A jeni i sigurt që njerëzit e stafit tuaj nuk kanë pasur një informacion?

 Presidenti Meta: Më duket se vetë Ministri i Jashtëm e ka dhënë këtë përgjigje kur ka thënë që kjo është një çështje që e vendos qeveria, apo jo! 

Gazetari: Pa dyshim, por Presidenti ka një rol në politikën e jashtme?

 Presidenti Meta: Pa dyshim që Presidenti ka dhe Presidenti do ta luajë gjithmonë kur kjo gjë është e domosdoshme dhe është në mbrojtje të interesave shtetërore dhe kombëtare.

 Gazetari: Dhe nga momenti po e quaj, e një lloj çështjeje që u krijua nga votimi kur ju thoni që nuk keni pasur dijeni, kur thoni që nuk mendoni se do të votojë kështu dhe ishte gabim, kur institucionet shqiptare nuk funksiononin, kalojmë në një tjetër nivel të dytë që duket po aq skandaloz. Ju personalisht si President i Republikës i çoni një letër Presidentit të SHBA-së, në një përgjigje ndaj urimit të tij për 28 Nëntorin, ku i kërkonit falje dhe shpreheni që kjo nuk përfaqëson, ose nuk shpreh realitetin në Shqipëri. A është dhe kjo skandaloze që një institucion të dalë kundër një institucioni tjetër, aq më tepër në një letër publike për Presidentin e SHBA-së?

Presidenti Meta: Dua t’ju sqaroj se përfshirja e këtij sqarimi për votimin në këtë letër ka ndodhur për arsyen se, unë kam qenë në një proces të falënderimit pë mesazhin e Presidentit Trump që më drejtonte me rastin e Festës së Flamurit, të 28 Nëntorit.

Duke qenë që një falënderim të tillë nuk e kisha dërguar më përpara, mu duk si jo e ndershme që të mos shprehja dhe një opinion për këtë çështje dhe për këtë votim.

 Gazetari: Si mund të lexohet në SHBA kur Presidenti dërgon një letër ku konteston publikisht vendimin e Kryeministrit? A duket një shtet karagjoz ky shtet?

Presidenti Meta: Një shtet serioz i zgjidh këto çështje përpara se të ndodhin veprime të tilla.

E vetmja gjë që unë jam dakord me deklaratat që ka bërë Ministri i Jashtëm është se Shqipëria është Republikë Parlamentare dhe unë për çdo veprim timin jam i gatshëm të përgjigjem përpara Parlamentit, sepse respektoj Parlamentin dhe vendin tim si një Republikë Parlamentare.

Përsa i takon rastit në fjalë, letra ime nuk ka të bëjë thjesht me shqetësimin se vota jonë do t’i sjellë një dëm të madh Amerikës, sepse jam i bindur që nuk i sjell një dëm të madh Amerikës, por ka të bëjë me qartësimin e pozicionit tim si President i Shqipërisë edhe në raport me Amerikën, por s’është kjo kryesore për mua në raport me gjithë qytetarët shqiptarë dhe në raport me të gjithë shqiptarët kudo ku janë, të cilët në tërësi nuk e kanë pritur mirë këtë votim.

Gazetari: Zoti Meta duket pak jodinjotoze që Presidenti të shprehë pakënaqësi ndaj Kryeministrit në një letër ndaj Presidentit të Amerikës.

Presidenti Meta: Nuk ka pakënaqësi ndaj Kryeministrit. 

Gazetari: Aq më keq, gati-gati një ndëshkim publik.

Presidenti Meta: Më vjen keq, jam i sigurt që as vendim qeverie nuk mund të konsiderohet votimi, për arsye se po të ishte diskutuar në qeveri, jam i sigurt që shumë ministra nuk do ta pranonin një mënyrë të tillë të të votuarit.

Është sqarim i një qëndrimi.

Është edhe paralajmërim se për çdo veprim të rëndësishëm diplomatik, ndërkombëtar në politikën e jashtme, në politikën e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare, Presidenti do të jetë transparent me partnerët dhe me opinionin publik. 

Gazetari: Ndërkohë mos harroni dhe diçka tjetër zoti Meta, sërish që Shqipëria ishte nën presion nga Bashkimi Evropian, i cili e kishte dënuar vendimin e Presidentit Trump. Ne ndodhemi në proces integrimi kur në qershor pritet dhe të vihet në peshore kërkesa jonë për hapjen e negociatave.

Presidenti Meta: Janë shumë vende të BE-së që kanë abstenuar dhe kanë mbajtur qëndrimin e tyre dhe që tregon qartë që kjo nuk ka qenë detyruese dhe aq më tepër që këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me çështjen e Jeruzalemit apo çështjen e mënyrës së zgjidhjes së këtij konflikti. Këtu kemi të bëjmë kryesisht me një vendim sovran të një vendi sovran siç janë SHBA-të.

Gazetari: Ky votim (në OKB) a mendoni ju se do të ketë probleme apo do të krijojë hije në raportet shqiptaro-amerikane të mëpasshme?

Presidenti Meta: Sigurisht që ne dëshirojmë që të mos ketë asnjë hije në këto raporte, këto gjithmonë duhet të jenë raporte bashkëpunimi, transparente dhe të një besueshmërie të lartë.

Mendoj që në planin ndërkombëtar dy janë armët kryesore që ka Shqipëria: Modestinë dhe besueshmërinë.

Gazetari: Zoti Meta, po flasim për një mungesë funksionimi në bashkëpunimin midis institucioneve. Kjo është një histori e gjatë, që Presidenti dhe Kryeministri nuk funksionojnë në Shqipëri. Është një histori pothuajse 15-vjeçare, pyetja ishte është çfarë raportesh keni në asketin institucional me Kryeministrin Rama përtej simpatisë apo antipatisë personale?

Presidenti Meta: Raportet si institucion, raportet e mia kanë qenë dhe mbeten tërësisht bashkëpunuese me të gjithë, përfshirë edhe Ministrin e Jashtëm dhe cilindo tjetër, unë nuk u imponoj askujt bashkëpunim, por kam qenë jam dhe do të jem gjithmonë bashkëpunues dhe shpresoj që edhe të tjerët të jenë të tillë.

Gazetari: Çfarë raporte keni ju tani me të? Pothuajse asgjë tjetër veç raporteve institucionale?

Presidenti Meta: Mendoj se marrëdhëniet institucionale janë marrëdhëniet kryesore, për të cilat edhe ju edhe të gjithë të tjerët keni interes.

Gazetari: Sa herë jeni takuar me Kryeministrin Rama qëkur jeni bërë President për të diskutuar për çështje të rëndësishme, vetëm për vetëm? Dhe nëse po për çfarë keni folur?

Presidenti Meta: Jemi takuar disa herë, edhe vetëm për vetëm. Kemi folur për çështje të ndryshme, por nuk jemi këtu për të treguar histori, këtu jemi për të mbajtur qëndrime për disa çështje shumë të rëndësishme për të cilat është shumë mirë të ketë konsultim paraprak jo vetëm midis Qeverisë dhe Presidentit, Qeverisë dhe Parlamentit dhe opozitës, por edhe faktorëve të tjerë në mënyrë që gjithmonë të tregojmë qëndrueshmëri dhe seriozitet.

Gazetari: Ndërkohë, çfarë raportesh keni me kreun e Opozitës, zotin Basha? A jeni takuar me të?

Presidenti Meta: Marrëdhënie normale. Kur kemi pasur raste, jemi takuar.

Gazetari: Po me zotin Berisha, vazhdoni të keni të njëjtin raport dashurie?

Presidenti Meta: Dihet që është një raport i veçantë. Ka një afeksion, por pavarësisht nga kjo unë jam i hapur në raporte me të gjithë faktorët, me të gjithë aktorët, kryesisht baza institucionale, por edhe në raporte shoqërore.

Gazetari: 10 ditë më parë Parlamenti u tensionua nga një përplasje midis mazhorancës dhe opozitës për çështjen e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm të Republikës së Shqipërisë. Duke pasur parasysh që jemi në një lëmsh ligjor, pra ka ndryshuar ligji i vjetër, ku Presidenti ishte garant i dekretit për zgjedhjen e Kryeprokurorit dhe kemi kaluar te KLP-ja, që nuk është ngritur akoma. Ju mendoni që zgjedhja e prokurorit të përkohshëm duhej bërë apo duhet të vazhdonte Prokurori që ishte deri në ngritjen e KLP-së?

Presidenti Meta: Lidhur me reformën në drejtësi, e cila ka marrë aq shumë energji në vitet e kaluara mund t’ju them se jam mjaft krenar dhe i qetë që në detyrën e mëparshme si Kryetar i Kuvendit kam bërë çdo gjë dhe mund të them dhe pa modesti, që kam dhënë edhe një kontribut historik për konsensusin e 21-22 korrikut për të vendosur reformën në një shtrat sa më të gjerë sa më të qëndrueshëm sa më transparent që garantonte një shtet të së drejtës të standardeve evropiane apo veneciane, meqenëse dihet roli shumë i madh që luajti Komisioni i Venecias për këtë çështje.

Edhe më pas për aq kohë sa kam qenë në krye të Kuvendit i kam shërbyer vetëm transparencës në zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjeve për këtë reformë. Dhe në këtë pozicion për aq pak kompetenca apo mundësi sa ka Presidenti i Republikës, qëndrimi im ka qenë fare transparent. Për çështjen në fjalë nuk ka asnjë rol Presidenti. Ajo është një çështje që i ka takuar dhe i takon Parlamentit dhe për çdo çështje për të cilat Presidenti ka një rol qëndrimi im do të jetë tepër transparent.

Gazetari: Është folur në vitin 2012 që ju keni qenë iniciator ose propozues për emrin e Adriatik Llallës si kandidat për Prokuror të Përgjithshëm dhe më pas e keni votuar atë. Si e gjykoni mandatin e zotit Llalla? Zoti Lu është shprehur në një deklaratë që Llalla ka refuzuar të ndjekë penalisht politikanët e korruptuar?

Presidenti Meta: Nuk do të doja të hyja në këto komente për arsye se nuk dëshiroj të bëhem pjesë e banalizimit dhe personalizimit të reformës në drejtësi.

Gazetari: Ka qenë një deklaratë e Ambasadës së SHBA-ve që është shprehur në këtë mënyrë…

Presidenti Meta: Nuk po i hyj të komentoj as Ambasadën, as misionet ndërkombëtare. Unë mendimet e mia ua kam thënë në takimet që kemi pasur, kur ka qenë e nevojshme edhe në mënyrë transparente publike, por dua të them që të paktën për aq kohë sa unë kam drejtuar LSI-në, nuk ka patur asnjë rol asnjëherë për emërimin e asnjë prokurori, jo vetëm të përgjithshëm, por edhe në nivele të tjera, dhe të asnjë gjyqtari.

Kështu që të gjitha përpjekjet për të personalizuar reformën duke u mbështetur në problemet që mund të ketë një institucion apo një tjetër, duke e lidhur me një emër të caktuar, për mua janë banale dhe unë si President mund të them vetëm një gjë: reforma do të ecë përpara dhe do të prodhojë ato rezultate të cilat dëshirojnë qytetarët shqiptarë vetëm mbi bazë të shinave kushtetuese dhe veneciane.

Çdo devijim nga shinat kushtetuese dhe veneciane do të prodhojë politizim, personalizim, banalizim dhe thjeshtë do t’i shërbejë acarimit të luftës politike.

Unë ,edhe para kësaj çështjeje kam bërë thirrje për dialog dhe për t’i dhënë një zgjidhje bazuar mbi standarde transparente dhe në respekt të Kushtetutës çështjes së kryeprokurorit.

Gazetari: A do të ndëshkojë kjo reformë të pandëshkueshmit, zoti Meta?

Presidenti Meta: Shpresojmë që kjo reformë të realizojë gjithçka është pritur nga qytetarët shqiptarë.

Gazetari: Çfarë opinion keni ju si President i Republikës për ngjarjet e Parlamentit të para dy javëve?

Presidenti Meta: Sigurisht që janë ngjarje të papranueshme në gjithë tërësinë e tyre dhe nënvizoj edhe një herë rëndësinë e dialogut dhe të zbatimit të reformës në mënyrë transparente. Mbi shinat kushtetuese dhe veneciane.

Gazetari: Kur flisni për ngjarje të papëlqyeshme, keni parasysh edhe goditjen me çizme që bashkëshortja e juaj i bëri Kryeministrit të vendit?

Presidenti Meta: Padyshim. Ju prisni që unë të them që kjo goditje me çizme është biblike, siç thotë Doktori?

Gazetari: Dhe ju biseduat me zonjën Kryemadhi më pas?

Presidenti Meta: Ajo ka bërë zgjedhjen e saj dhe mban vetë përgjegjësi edhe para rregullores së Kuvendit edhe para ligjeve të vendit, edhe para opinionit publik. I vetmi person për të cilin unë mbaj përgjegjësi është Era, vajza ime e vogël.

Gazetari: Ndërkohë kur keni biseduar me bashkëshorten, çfarë opinioni i keni dhënë ju personalisht, jo si President?

Presidenti Meta: Ne jemi dy tipa të ndryshëm si natyrë dhe këtu nuk është çështja se si mendoj unë si bashkëshort. Për mua si President, ngjarje të tilla janë të papranueshme dhe jam i bindur që vetëm dialogu vetëm transparenca mund ta çojnë atje ku duhet reformën në drejtësi.

Gazetari: Opozita ka deklaruar se në muajin janar do të nisë një seri protestash dhe një protestë të madhe kombëtare, ku përfshihet PD-ja dhe LSI-ja. A mund të krijojë destabilitet në vend kjo platformë ose kjo ide e opozitës?

Presidenti Meta: Interesi i Presidentit është stabiliteti i vendit, forcimi i sigurisë kombëtare, forcimi i pavarësisë së institucioneve.

Në këtë drejtim apeli im është për dialog.

Mendoj që opozita duhet të ketë platformën e saj, jo thjeshte protesta, por të zgjidhjes dhe të rivendosjes së dialogut për zbatimin e reformës.

Sepse çdo zbatim i mëtejshëm, i njëanshëm i kësaj reforme do të përshkallëzojë një konflikt të panevojshëm që vendi nuk e ka luksin për ta mbajtur, sidomos në këto momente dhe jo vetëm kaq por jam bindur që edhe situata ndërkombëtare është e tillë që duhet të na obligojë të gjithëve të rrisim përgjegjësinë për stabilitetin e vendit dhe për forcimin e institucioneve të pavarura.

Gazetari: Zonja Kryemadhi u shpreh se ajo nuk ka bërë kompromise me zotin Rama në të shkuarën dhe keni qenë ju që sa herë ndaheshin, pajtoheshit prapë me të…

Presidenti Meta: Nuk kam ndërmend të komentoj zonjën Kryemadhi, deklaratat e saj dhe për t’u kthyer mbrapa në çështje partiake.

Gazetari: A ka një kontradiktë në faktin që ju jeni President i Republikës, ndërsa bashkëshortja juaj është kryetare e një partie të Opozitës? Ka një paradoks në këtë mes?

Presidenti Meta: Nuk mendoj se ekziston ndonjë paradoks, për arsye sepse ky është një rast i veçantë dhe nuk besoj se ajo është atje për shkak se është bashkëshortja ime në atë pozicion apo dhe në politikë. Unë e kam gjetur në një farë mënyre në politikë, nuk është se e kam sjellë dhe e rëndësishme është që Presidenti i Republikës nuk ndikohet aspak as nga bashkëshortja e tij, dhe nga askush tjetër në vendimet që merr.

Gazetari: Zakonisht burrat ndikohen shumë nga gratë zoti Meta dhe këtë e dimë mirë në Shqipëri…

Presidenti Meta: Ky është një paragjykim i juaji dhe unë nuk e kontestoj dhe mund të ketë ndikime për çështje që kanë të bëjnë me arredimin e shtëpisë. Por për vendimet të cilat kanë të bëjnë me këtë institucion ju siguroj se nuk ndikohen nga askush veç bindjeve të mia.

Gazetari: Pra, e thënë ndryshe, nuk rrezikon Presidenca të kthehet në një zyrë shtesë të LSI-së?

Presidenti Meta: Kjo është tërësisht e pamundur. Zyra e Presidentit nuk mund të kthehet në shtojcë të askujt dhe është në shërbim të stabilitetit të vendit, të forcimit të institucioneve të pavarura dhe të nxitjes së bashkëpunimit dhe jo të konfliktit politik apo institucional në vend. Unë edhe në pozitën e mëparshme si Kryetar i Kuvendit, edhe pse kam qenë edhe drejtues i një force politike dhe pjesë e një mazhorance, gjithmonë i kam shërbyer bashkëpunimit dhe jo konfliktit politik në vend.

Gazetari: Ka pasur një kërkesë ndaj jush, që nuk e keni plotësuar dhe më pas është paragjykuar për të publikuar procesverbalet e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të nëntorit të vitit 2016, në të cilën është folur për çështjen e kanabisit dhe të drogës. Sipas të dhënave të publikuara ka pasur një përplasje mes Institucionit të SHISH-it, Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme. Përse keni refuzuar t’i publikoni këto procesverbale, që u japin të drejtë shqiptarëve për të kuptuar se kush mbante përgjegjësi për kanabizimin e vendit?

Presidenti Meta: Sepse nuk është normale që qëndrime të mbajtura në një institucion të tillë të rëndësisë së veçantë të bëhen publike për opinionin publik.

Pasi kjo, jo vetëm për herë të parë, por do të krijonte edhe një precedent të rrezikshëm, që do ta vështirësonte funksionimin eficient të këtij këshilli në të ardhmen, pasi do të mund t’i frenonte anëtarët e Këshillit për të folur gjëra të cilat duhen ndarë me mirëbesim.

Gazetari: Zoti Meta, ndërkohë kush mban përgjegjësi për kanabizimin e vendit? Është përgjegjësi e thjeshtë e policisë apo shkon përtej saj?

Presidenti Meta: Unë mendoj që përgjegjësi mbajnë shumë institucione ku padyshim që policia ka rolin kryesor, por ajo që mund të them e që ka bërë një diferencë nga reagimi i institucioneve të vendit, ka qenë Shërbimi Informativ Shtetëror, që ka bërë punën e tij me seriozitet me përkushtim edhe pse jo rrallëherë nën akuzë dhe nën presione. Dhe për këtë arsye unë edhe e kam dekoruar ish-kreun e këtij shërbimi, zoti Visho Ajazi Lika.

Gazetari: A jeni ndjerë i zhgënjyer nga dorëheqja e Visho Ajazi Likës? Ju keni deklaruar se e kishit garantuar atë që përsa kohë ju do ishit President ai nuk do të lëvizte.

Presidenti Meta: Nuk mund të them se kam qenë zhgënjyer. Unë kam detyrë të jap mbështetje për çdo institucion që të funksionojë në mënyrë të pavarur. Pastaj dorëheqja është akt individual, është edhe njerëzor.

Gazetari: A ua kishte thënë që do të dorëhiqej?

Presidenti Meta: Jo, nuk ma kishte thënë këtë gjë.

Gazetari: A është e vërtetë që ju erdhi kërkesa e dorëheqjes së tij nga z. Rama?

Presidenti Meta: Kjo nuk është e rëndësishme. E rëndësishme është që ai ka bërë një punë të mirë për ato vite, sidomos në këtë drejtim, kur institucione të tjera duhet të punonin akoma më shumë për të parandaluar atë fenomen dhe përmasat dramatike që ai mori.

Gazetari: Përse ju nuk e keni dekretuar Helidon Bendon në postin e kreut të SHISH-it megjithëse Kryeministri ua ka dërguar këtë propozim?

Presidenti Meta: Është e drejtë e Kryeministrit të dërgojë propozime, është e drejtë e Presidentit të marrë vendimet e tij. Unë do të marr një vendim vetëm kur të jem i bindur që ky institucion do të jetë i pavarur dhe ky institucion do t’i japë një dinamikë tjetër luftës kundër krimit të organizuar.

Gazetari: Ka disa ide për ndryshime të thella kushtetuese që mund të reformojnë të gjithë sistemin. E para, a jeni ju zoti Meta për zgjedhjen e një presidenti nga populli?

Presidenti Meta: Patjetër, do të ishte një zgjedhje shumë e mirë.

Gazetari: A do të kishit frikë të garonit në zgjedhjet e ardhshme në një votim të drejtpërdrejtë?

Presidenti Meta: Kjo është një çështje tjetër, por unë nuk kam pasur ndonjëherë frikë as nga zgjedhjet dhe as nga sfida shumë të forta sikurse ka qenë edhe krijimi i një force të re politike.

Gazetari: A do të tentoni ju të merrnin një mandat të dytë si President i Republikës?

Presidenti Meta: Nuk kam patur kohë që ta mendoj një gjë të tillë dhe ky mandat nuk është në funksion të një mandati tjetër apo të një projekti të caktuar.

Unë kam ardhur në këtë detyrë me bindje të plotë për ta përmbushur atë me përgjegjësi maksimale gjatë këtyre 5 viteve dhe nuk mendoj se është e domosdoshme që të mendoj apo të planifikoj për të punuar për një mandat të dytë.

Gazetari: A ka nevojë Shqipëria të kalojë në një sistem elektoral të ri dhe të rikthehet te mazhoritari?

Presidenti Meta: Çdo sistem i ndershëm dhe që garanton zgjedhje të ndershme është një sistem pozitiv, por këtu është një çështje e vullnetit politik më shumë për të pasur zgjedhje të ndershme se sa çështje e sistemit.

Gazetari: A mendoni që Shqipëria dhe Kosova janë defiçitare dhe nuk kanë bërë asgjë për të pasur një raport më të integruar midis tyre?

Presidenti Meta: Nuk mund të themi se nuk është bërë asgjë, por ka ende vend për bashkëpunim më të ngushtë.

Ne evidentuam gjatë kësaj bisede që shpesh na duhet një koordinim më i mirë edhe këtu brenda nesh, brenda institucioneve tona për çështje të përbashkëta.

Kuptohet që kjo vlen edhe në raporte bashkëpunimi dhe me institucionet e Kosovës dhe me faktorët shqiptarë në rajon, por shpresoj që pas mbledhjes së dy qeverive në Korçë të ketë një dinamikë të re të një sinergjie të përbashkët.

Gazetari: Keni qenë 30 vjeç Kryeministër i Shqipërisë, më pas keni qenë Zëvendëskryeministër dy herë dhe ministër në poste të ndryshme. Keni qenë Kryetar i Kuvendit, jeni President i Republikës. Pra keni të gjitha ato që mund të quhen nivelet më të larta administrative shtetërore të këtij vendi. Natyrisht nuk mund të arrini Ahmet Zogun të bëheni mbret sepse nuk është e mundur, por jeni ndoshta politikani i dytë me më shumë poste pas tij. A mendoni që ka ardhur koha për një ndalim apo pushim për ju pas Presidencës?

Presidenti Meta: Së pari, nuk kam patur si ëndërr që të merrem me politikë, e kam thënë edhe më parë.

Ëndrra ime ka qenë t’i përkushtohesha pedagogjisë në fushën e ekonomisë, por kohët ndryshuan dhe përfshirja në politikë erdhi dhe rastësisht, por kemi mësuar dhe që domosdoshmëria e çan rrugën përmes rastësisë. Është një parim i hershëm.

Kam përshtypjen që do ta kem të pamundur të ndahem nga politika dhe angazhimi politik apo qoftë edhe të mendoj politikisht, sepse kjo tani është bërë mëse organike dhe nuk mendoj se ka ndonjë gjë të keqe.

Përsa i takon funksioneve kjo është një çështje tjetër, unë i kam shërbyer gjithmonë motivimit të më të rinjve, përkrahjes së më të rinjve, sepse besoj tek energjia e tyre, te pozitiviteti i tyre për t’i dhënë një perspektivë tjetër Shqipërisë.

Gazetari: A keni më shumë kohë të lirë tani që jeni në një lloj pensioni siç e quajta në raport me politikën?

Presidenti Meta: Dallimi është se tani më shumë axhendën e bëj unë ndërsa më parë ma bënin të tjerët. Axhenda ime është publike dhe mund ta ndiqni dhe përmes faqes zyrtare të Presidencës apo edhe përmes mediave sociale tashmë. Dhe axhenda ime përcaktohet nga dy faktorë. Nga detyrimet e mia si President në funksion të axhendës së Presidentit dhe nga axhenda e vajzës së vogël Erës pasi nga fakti që Monika është tepër e angazhuar tani me këtë detyrë të re, unë jam i detyruar të marr në konsideratë axhendën e Erës.

Gazetari: Po dy fëmijët e tjerë zoti Meta, vajza e madhe dhe djali?

Presidenti Meta: Dy fëmijët e tjerë vazhdojnë studimet jashtë. S’kam mundësi të rri me ta përveçse kur vijnë për pushime.

Gazetari: A është e vërtetë , siç janë shprehur dhe një pjesë e portaleve që ju bëni një jetë luksoze?

Presidenti Meta: Unë besoj se bëj një jetë tepër normale. Të gjithë duhet ta dinë që kurrë nuk kam luajtur në kazino, kurrë nuk kam vënë baste, kurrë nuk kam bërë gjëra që të kërkojnë shpenzime të mëdha apo serioze apo të demonstroj papërgjegjshmëri publike. Ndoshta kam bërë vetëm një gabim që kam bërë një ditëlindje para disa vitesh, sepse nuk kisha bërë asnjëherë as ditëlindje e as dasmë, e cila

 u keqpërdor u amplifikua në mënyrën më absurde e qesharake dhe kam qenë gjithmonë midis njerëzve, atje ku kam jetuar ku kam banuar dhe vazhdoj të jetoj gjithmonë midis tyre.

Gazetari: Ku do ta kaloni Vitin e Ri zoti Meta?

Presidenti Meta: Vitin e Ri besoj në shtëpi. Ende nuk ka ndonjë vendim, por kuptohet që vendimin suprem përsëri e merr vajza e vogël.

Gazetari: A është më e bukur festa e Vitit të Ri tani apo kur keni qenë i vogël edhe pse kohë të ndryshme?

Presidenti Meta: Janë dy gjëra të ndryshme për arsye sepse atëherë fillonim e mendonim që në janar për 31 dhjetorin që do të vinte për shumë arsye. Tani është një situatë tjetër, ka shumë më tepër mundësi, për më tepër atëherë kryesisht festohej Viti i Ri. Këto festat e tjera si Krishtlindje, Bajram, etj., nuk para festoheshin ose festoheshin në mënyrë mjaft diskrete. Pra, atëherë kishte vetëm një festë, tani gjatë vitit ka shumë festa, ka shumë larmi.

Kështu që janë gjëra krejt të ndryshme, por viti i ri është një shpresë e re, është një urim që secili ka për familjen e tij, për njerëzit e tij dhe natyrisht për të gjithë shqiptarët dhe për teleshikuesit e TV “Klanit”.

Gazetari: Çfarë urimi keni për teleshikuesit tanë me këtë rast?

Presidenti Meta: Një vit të ri sa më të paqtë, sa më të të begatë për të gjithë edhe uroj që ky të jetë një vit historik i çeljes ë negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, ashtu sikurse uroj të jetë një vit po kështu historik për Kosovën, sidomos në drejtim të përfitimit të liberalizimit të vizave! Një vit historik për Maqedoninë dhe sidomos shqiptarët e Maqedonisë, për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe anëtarësimi në NATO. Dhe një vit sa më i mirë për gjithë njerëzimin!