“Çifti i çuditshëm”, dhurata e fundvitit për publikun e Kavajës

Komedia “Çifti i Çuditshëm” shkon si dhuratë e fundvitit për publikun e Kavajës. Marrëdhëniet njerëzore, kompromisi dhe toleranca si bërthamë e një shoqërie më tolerante është mesazhi që kjo vepër transmeton e është i denjë për publikun artëdashës në këto prag festash ku toleranca dhe bashkëpunimi duhet të mbizotërojnë në shoqërinë tonë.

“Çifti i Çuditshëm”, vepër e shkrimtarit Neil Simon është cilësuar nga kritika si një ndër komeditë më të famshme amerikane të 50 viteve të fundit. Kjo është një vepër që përmes një humori elegant dhe të rafinuar sjell historinë e dy njerëzve të ndryshëm nga njëri-tjetri, të cilët mësojnë të jetojnë së bashku.

Regjisorja Inis Gjoni – sipas ATSH – më herët është shprehur se vepra ka në thelb marrëdhënien njerëzore. “Më ka pëlqyer më tepër pasi flet për dinamiken e marrëdhënieve dhe në të shtohen një sërë nën temash si familja, martesa, divorci, bashkëjetesa, komunikimi, miqësia, shoqëria, etj.. Ndërsa ideja është që kompromisi dhe toleranca është bërthama drejt një rregullatori shoqëror pa të cilën shoqëria jonë dhe dinamika e marrëdhënieve njerëzore do të ishte shumë më tepër e ashpër nga sa është”, ka pohuar regjisorja Gjoni për këtë vepër që e solli në skenën e teatrit Kombëtar.

“Çifti i çuditshëm” e bëri Neil Simon, një fenomen kulturor , siç është cilësuar nga kritika, duke e bërë kështu një nga dramaturgët më të suksesshëm bashkëkohor në historinë e teatrit amerikan. Ashtu siç ndodh me të gjitha komeditë e mëdha, jetëgjatësia e veprës i kushtohet sa thelbit  të saj emocional, po aq edhe batutave me humor. Pas premierës së saj në Broduej në 1965, personazhet u risollën në një film artistik shumë të suksesshëm në vitin 1968, me aktorë kryesorë Xhek Lemën e Uollther Metheu me 114 episode. Ndërsa premierat janë të panumërta, të cilat janë vënë në teatro të ndryshëm në skenat amerikane. Në vitin 1985, Simon e përshtati veprën “ Çifti i çuditshëm” në variantin femëror. Komedia “Çifti i çuditshëm”, ka kaluar nëpër një sërë ndryshimesh, jo vetëm duke u përshtatur nga teatri në ekranin, por edhe vetë personazhet e veprës  janë luajtur nga aktorë burra, gra, me ngjyrë, dhe madje janë shndërruar edhe në personazhe për filmat me kartona në vitet 1970.  Një version modern u shfaq në 2002 me titullin “Oskar dhe Feliksi”.

Në qendrën kulturore “Kavaljon” në Kavajë,mbërrin mbrëmjen e sotme “Çifti Çuditshëm”me regji nga Inis Gjoni për të vijuar dhe në datat 28 dhe 29 dhjetor.