Arkivat thyejnë kufijtë, Shqipëri-Kosovë me revistë të përbashkët

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës promovuan sot Revistën Arkivore që do të botohet nga ky vit si botim i përbashkët i dy arkivave, pjesë e përpjekjes së unifikimit të punës arkivore në të gjitha Trevat Kombëtare. Ardit Bido, Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave tha se, “kurorëzojmë një bashkëpunim të vyer ndërmjet të gjithë trashëgimisë tonë kulturore materiale, dokumentare, Revistën Arkivore e cila është në vijim të Konferencës së Parë Mbarëkombëtare të Arkivistikës, e vetmja në Shqipëri që është një produkt i përbashkët midis dy arkivave Agjencisë së Arkivave të Kosovës dhe në të ardhmen e afërt dhe të institucioneve të trashëgimisë kulturore shqiptare në Maqedoni”. Ai tha se në kuadër të vitit mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ne do të dalim me produkte reale të cilat ndihmojnë në ngritjen e vëmendjes dhe në zhvillimin e bashkëpunimit institucional konkret dhe të prekshëm ndërmjet të gjitha institucioneve e të gjitha trevave shqiptare që kanë të bëjnë me trashëgiminë tonë kulturore. Ramë Manaj drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës tha se përvoja, ekspertizat e zhvillimet e veprimtarisë arkivore si profesion por edhe si veprimtari shkencore kanë nevojë të unifikohen në një revistë të tillë të përbashkët me qëllimin e unifikimit si kontribut shkencor.

Skënder Asani drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë përshëndeti dy drejtorat Bidon dhe Manaj dhe Pranvera Dibra Drejtoreshë e Arkivit të Ministrisë së Evrpës dhe Punëve të Jashtme dhe tha se është i nderuar që është pjesë e kësaj reviste, sepse Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, sepse është i vetmi Institucion në Maqedoni i Shqiptarëve dhe do na shërbejë që ky bashkëpunim midis Arkivave do na mundësojë ta ndjejmë dhe ta shkruajmë historinë tone, e cila në Maqedoni prej 7 dekadave ka qenë e mohuar. Gjithashtu Pranvera Dibra, shprehu kënaqësinë që është pjesë e këtij kontributi të përbashkët për një trashëgimi kombëtare të përbashkët. “Uroj që kjo revistë të jetë tribuna e gjithë arkivistëve për të shprehur kontributet dhe eksperiencat të historianëve dhe të jetë gjithmonë një literaturë për studentët e dy anëve të kufirit”, tha ajo.