Masakroi të atin, i riu: Më tha martohu, dhe e ndajmë gruan bashkë

Zbardhen të tjera detaje nga ngjarja e rëndë në familjen Aliaj. 74-vjeçari Fejzi Aliaj, u vra barbarisht në oborrin e shtëpisë së tij mbrëmjen e të premtes, rreth orës 20:00. I biri, Selman Aliaj 28-vjeç, pas një grindje e qëlloi disa herë me çekiç në kokë, dhe në mes të natës trupin e të ndjerit e hodhi në liqenin e Farkës.

Të nesërmen, djali tjetër i viktimës, që ishte kthyer për festa nga emigracioni në Angli, telefonoi policinë për të denoncuar zhdukjen e babait. Efektivët e rendit nisën të hetojnë mbi pistën e vrasjes pasi panë njolla gjaku në oborrin e shtëpisë.

28-vjeçari u ndalua në Kamëz, teksa po udhëtonte me makinën që kishte transportuar trupin. Policia gjeti gjurmë të krimit në mjetin e tij dhe u prangos menjëherë.

Selman Aliaj u ka tha hetuesve se e vrau pas një konflikti. Sipas tij, babai donte ta martonte dhe i kishte thënë se gruan do ta ndanin të dy. Kjo dëshmi, sipas hetuesve, tregon dhe më shumë problemet mendore që ka autori.

Aliaj i tregoi policisë dhe vendin ku kishte hedhur trupin. Viktima u gjet i mbështjellë me një qilim dhe u nxorr nga liqeni në orët e para të mëngjesit të së dielës.