De Biasi apo Panucci? Duka i krahason dhe shpall objektivin “EURO 2020”

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka folur për disa çështje të nxehta, ku nga më kryesoret është zgjedhja e trajnerit të ekipit tonë kombëtar

Në intervistën për Supersport, numri 1 i futbollit shqiptar krahason De Biasin me Panuccin, teksa flet edhe për objktivat e kuqezinjve.

“Kam pasur përshtypjen se Panucci do të ndërtojë një skuadër akoma më difensive se De Biasi, për vetë idenë që kisha krijuar nga loja e tij dhe statura prej futbollisti, por ndodhi krejt e kundërta. Ai ka një mentalitet tjetër, ofensiv dhe ndryshe nga shkolla italiane e futbollit dhe kjo gjë pëlqehet nga të gjithë ndjekësit, por duhet të jetë pak më i kujdesshëm, pasi në futboll mbahet mend rezultati. Ky është ndryshimi mes tyre, pasi De Biasi ishte shumë më pragmatist”.

Pyetjes se cilat janë objektivat për Panuccin në krye të Kombëtares, duka iu përgjigj: “Objektivi ynë i vetëm për Kombëtaren, është pjesëmarrja në “Euro 2020” dhe kjo nuk është vetëm një dëshirë, apo një ëndërr e parealizueshme, sepse realisht ne i kemi mundësitë.

Ne kemi një skuadër që mund të arrijë edhe e para në grup, por edhe e dyta. Gjithsesi, varet edhe se çfarë do të ofrojë shorti, si do të jetë ecuria e edicionit, veçanërisht me dëmtimet, por duhet të kemi edhe pak fat.

Ashtu siç e ndjek unë futbollin, mendoj se përveç Spanjës, ne mund të luajmë me çdo skuadër tjetër në Europë dhe të bëjmë rezultat, ashtu si për vetë mentalitetin tonë shqiptar dhe ballkanas në përgjithësi, mund të humbim edhe ndaj kundërshtarëve shumë të dobët.

Kemi mundësitë dhe të gjitha kushtet, për t’u kualifikuar. Unë besoj se për sa i përket motivimit dhe dëshirës, ne jemi skuadra më e mirë e botës. Dëshirën e këtyre futbollistëve për të kontribuuar për Kombëtaren, nuk e ka asnjë Kombëtare në botë”.