23 vjeçarin Beqiri e torturojnë në burgun francez. I heqin tubat e oksigjenit në reanimacion

Një krim shtetror ka ndodhur në Francë ndaj një 23 vjeçari nga Shqipëria, me origjinë nga Shkodra. Florenc Beqiri, siç tregon e ëma, kishte shkuar në Francë në kërkim të një jete më të mirë, por pa dokumenta pune. Eshtë sorollotur duke kërkuar punë dhe dikur ka gjetur një punë në të zezë sa për t’u ushqyer. Por e ka kapur policia franceze duke e dërguar në qelitë e burgut.

Siç dëshmon e ëma e tij, pas vdekjes së djalit, ajo ka folur me Florencin e nuk kishte asnjë problem me shendetin. Ai i ka thënë se ndodhet nër burg, por është mirë me shendet dhe po pret ta kthejnë në Shqipëri bashkë me emigrantët e tjerë të paligjshëm. Por befas mësohet se gjendet në spital në gjendje kritike për jetën. Ishte me oksigjen në spital në sallën e reanimacionit në spitalin francez. Dhe vdes, sepse i heqin tubat e oksigjenit.

Por si përfundoi i masakruar dhe në gjendje të rëndë për jetën 23 vjeçari shkodran Florenc Beqiri, ndërkohë që ishte në burg shendoshë e mirë? Kush e masakroi në burg? Kush i futi telat në fyt sa përfundoi me aksigjen në spital? Pse nuk jep asnjë shpjegim shteti francez, aq me tepër se ai është torturuar në burg. Pse kur shkoi i jati në spital për ta parë gjendjen e tij, ka konstatuar se ishte gjallë, ndonëse mbahej me oksigjen dhe sapo ka kërkuar llogari se kush ia bëri djalit të tij këtë torturë, mjekët francezë i kanë hequr oksigjenin? Dhe ka vdekur mënjëherë. Çfarë fsheh pala franceze, ndërkohë që ai ishte në reanimacion dhe mund të shërohej apo kishin frikë se ai do të tregonte për torturat franceze në burg?

Kjo që i kanë bërë djaloshit 23 vjeçar është një krim shtetror francez. Nuk ka asnjë emër tjetër, pasi ndonëse ishte kapur pa letra pune, por ishte dërguar në burg. Dhe prej andej ose do të dënohej sipas ligjeve franceze ose do ta sillnin në Shqipëri. Por jo ta torturonin derisa në mënyrë ç’njerëzore i hoqën dhe tubat e oksigjenit që të vdiste dhe të mos ishte nesër deshmitar publik për torturat.

Në foto: Florenc Beqiri në spital, para se ti hiqnin tubat e oksigjenit

Familja e Florenc Beqirit, 23-vjeçarit që u masakrua në burg dhe ndërroi jetë në Francë, ka hapur dyert e mortit. Nëna e tij, Laureta, ka nisur kujën për djalin e vetëm, që sipas saj shkoi për një jetë më të mirë në Francë, por ia vranë.

Ajo nuk pranon versionin e dhënë nga pala franceze për një vetëvrasje të mundshme. Sipas saj, shenjat e dhunës dhe telit në trup janë të dukshme (siç ia ka raportuar i shoqi nga Franca).

Familja Beqiri i bën apel shtetit për sjelljen e trupit të djalit. Sipas tyre, ata e kanë të pamundur të përballojnë vetë shpenzimet. Ajo akuzon edhe mjekët që ia vranë të birin, pasi i kanë hequr tubat e oksigjenit që po e mbante atë në jetë. Sipas saj, i shoqi i ka raportuar se i biri e kishte tensionin normal, urinën arrinte ta bënte dhe se djersitej, çka tregon se ka qenë gjallë dhe me shpresa për ta risjellë në jetë. Ja intervista për Panorama.

Znj. Laureta, si iku në Francë djali juaj, Florenc Beqiri?

Ne kemi 8 vite që kemi ikur për të jetuar në Malin e Zi. Një mike e vajzës time na ka lënë që të jetojmë aty, sepse ajo jeton në Francë. Kush më thërriste për të pastruar shtëpitë në Malin e Zi, unë shkoja. Kam shkuar bashkë me dy vajzat e mia. Unë jam edhe e sëmurë. Djali iku para dy viteve në Francë për të gjetur atje një jetë më të mirë. Ka shkuar për të kërkuar azil. Gjatë kësaj kohe kemi folur me të krejt normalisht. Djalin nuk e pranuan për t’i dhënë statusin e “azilantit” ndaj qëndroi në të zezë atje. Dilte tek një burrë që ishte pronar i një dyqani për të shitur rroba.

Kur ka qenë hera e fundit që keni komunikuar me Florencin dhe çfarë ju tha?

Me 8 dhjetor ka qenë telefonata e fundit që kemi bërë me Florencin. Në atë datë ai ka qenë brenda në burg. Kishte shkuar Policia Franceze tek banesa ku jetonte dhe e ka kapur duke qenë se nuk kishte dokumentacion. Kur kam folur në telefon, më ka thënë se jam në burg pasi më kapi policia. Më tha se priste për t’u kthyer në Shqipëri derisa të bëhej numri i duhur me shqiptarë të tjerë për të mbushur avionin dhe se ishte në pritje që t’u prisnin biletat. Ai nuk na mori më në telefon. Atëherë vajza e telefonoi, por nuk dinte të fliste anglisht, sepse na doli një polic në telefon. Vajza kaloi në telefon një mikun e saj për të folur anglisht. Miku i vajzës i pyeti se çfarë po bëhet me Florenc Beqiraj, a po e sillni në Shqipëri.

Çfarë përgjigje morët nga polici i burgut?

Polici u përgjigj duke thënë se Florenc Beqiri ka vdekur dhe e kemi dërguar në spital. Unë nuk e di se si më ka vdekur djali në burg, sepse e morën të gjallë dhe ma çuan në gradë të fundit, këtë nuk e kuptoj. Për çfarë nuk ma kthyen të gjallë djalin, pse po ma sjellin të vrarë? Kush ia bëri atë punë djalit tim, çfarë bëri djali im?… Pronari i djalit që ka punuar me të është fshehur. Djali im nuk ka as telefonin. Nuk gjendet as pasaporta. Rrobat e Florencit i ka gjetur bashkëshorti në banjë të spitalit, sepse i kishin hedhur aty. Dua ta di përse ma mbytën djalin, pse s’ma sollën këtu të gjallë? Nëse s’ka pasur dokumentacion, ta sillnin në Shqipëri…

E pyetët Florencin, kur ishte në burg, për situatën aty?

Kur ka qenë në burg, më tha se jam mirë, kur e kam telefonuar tek numri i tij. Kishte rreth një muaj që nuk ishte futur në “Facebook”. Atëherë e telefonuam dhe tha mirë jam, por jam në burg. I thashë, çfarë je duke bërë? “Asgjë – tha- këtu, në burg”. Me kë je atje, e pyeta? Tha – jam me gjithfarë njerëzish këtu brenda. E pyeta kur do të kthehesh. “Edhe dy-tre ditë – më tha, – sa të na presin biletën, unë jam për Shqipëri”. Atëherë nuk jam dëgjuar më me të. Pas dy-tre ditësh provova ta telefonoj djalin, doli numri i fikur. Atëherë, mora numrin e policit që na kishte telefonuar, ai tha e keni të vdekur djalin në spital dhe s’na dha më përgjigje, e fiku telefonin.

Sa kohë qëndroi në burg Florenci?

Ka qëndruar rreth një muaj në burg, për shkak se nuk kishte dokumentacion.

Bashkëshorti juaj ka shkuar tek spitali në Francë, çfarë i ka thënë mjekëve?

I ati nuk ka pranuar që t’i hiqet oksigjeni, as nuk ka vendosur firmë. Sapo ka shkuar bashkëshorti në Francë, e kanë marrë në intervistë. Sapo ka dalë jashtë, kanë shkuar mjekët dhe i kanë hequr oksigjenin djalit dhe ai më pas ka dhënë shpirt. Burri i ka kërkuar që oksigjeni të mos hiqet dhe të qëndrojë ashtu edhe për një vit, dy vite apo sado që të kishte zgjatur. Zemra i ka rrahur, sepse e ka parë bashkëshorti, tensionin e ka pasur normal, urinën arrinte ta bënte, por edhe djersitej, çka tregon se ka qenë gjallë.

Kishte shenja dhune, çfarë ju tha bashkëshorti?

Ka qenë i dëmtuar, i çarë te fyti dhe nëpër duar. E ka parë burri telin brenda në mish. Pra ka pasur shenja dhune, teli në trup, por edhe fyti i çarë.

Keni folur më shumë me bashkëshortin?

Me bashkëshortin s’kam folur, sepse edhe ai është shumë keq, sepse ka djalin e vdekur para syve.

Çfarë kërkoni ju?

Unë dua drejtësi. Dua të di përse ma mbytën djalin. Ai shkoi për një jetë më të mirë si gjithë të rinjtë e tjerë. Përse e mbytën, nëse s’ka pasur letra, ta kishin kthyer, përse e vranë. Unë dua të zbardhet e vërteta. Dua të drejtat deri në pikën e fundit.

Kush do e sjellë trupin e Florencit në Shkodër?

Ne s’kemi mundësi që ta sjellim, ndaj i kërkojmë ndihmë shtetit që të na sjellë trupin e djalit. Jemi fukarenj.

Protestë para ambasadës franceze

Me thirrjet “Për Florencin” qindra protestues marshuan nga Piramida deri në ambasadën franceze në Tiranë. Protestuesit kërkojnë një reagim nga shteti shqiptar dhe zbardhjen e të vërtetës për atë që ndodhi me Florenc Beqirajn, shkodranin që ndërroi jetë në spitalin francez pasi u gjet i dhunuar dhe i varur. Sipas autoriteteve franceze bëhet fjalë për një vetëvrasje, por familjarët e tij thanë se 22 vjeçari mezi priste të kthehej në shtëpi, ndërsa kishte qenë i shqetësuar se mund ta vrisnin. Mediat franceze konfirmuan shqetësimet e Florenc Beqirajt që një natë para se të gjendej i varur kishte kërkuar të ndryshonte dhomën për shkak se i rrezikohej jeta.

Mediat franceze për vdekjen e 23 vjeçarit

“Fotot janë të tmerrshme. Në shtratin e tij në Spitalin e Veriut, një djalë i ri 22 vjeç, Florenc Beqiraj, i shtrirë në një gjendje vdekjeje klinike, qafën e shënuar nga një plagë e thellë”, kështu e nis artikullin dje për të riun nga Shkodra që humbi jetën në Francë, “La provence.com”. Katër ditë më parë, shtetasi shqiptar u gjet i varur në një litar, në një dhomë të Qendrës së Paraburgimit Administrativ (CRA) Canet (14), në Marsejë, ku u mbyll që nga 27 nëntori, pasi kontrolli e gjeti pa dokumente. Ai po priste dëbimin e tij në Shqipëri. Ai ndërroi jetë pasditen e së premtes pa rifituar vetëdijen.


Florenc Beqiraj jetoi për 19 muaj në Marsejë, ku punoi si shitës në Pazar.
Sot, (dje) as shefi i tij, as shokët e tij dhe as familja e tij, nuk e besojnë teorinë e vetëvrasjes. “Florenci ishte i lumtur të shihte familjen e tij për Krishtlindje”, siguron një nga të afërmit e tij. Ai nuk kishte frikë se do të dëbohej, ai e dinte se mund të kthehej në Francë. “Ai madje kishte hequr dorë nga kërkesa për rishqyrtimin e kërkesës së tij për azil, pasi dëshironte të kthehej sa më parë në Shqipëri”.
Shoqata F”orum réfugiés-Cosi”, e cila i ofron CRA-së mbështetje ligjore, e konfirmon atë: “Më 11 dhjetor, ai shprehu kënaqësinë e tij për t’u larguar nga qendra, nisja u njoftua më 15 dhjetor”. Pse të vriste veten 24 orë para se të kthehej në familje, e cila tashmë ishte duke pritur për të në Shqipëri?
48 orë para tragjedisë, Florenci kishte deklaruar se ishte “kërcënuar” nga një i bashkëvuajtës; administrata i kishte ndërruar dhomën për ta larguar atë. “Por më 13 dhjetor, ai i tha shefit të tij se kishte frikë se mund të vdiste gjatë natës”, thotë një mik. Më 14 dhjetor, një tjetër bashkëvuajtës e gjeti atë, të pajetë.
Në drejtorinë e CRA-së, megjithatë, nuk ka “dyshim” se vdekja e tij ishte vetëvrasje. Në çdo rast, Prokuroria Publike do të hapë një hetim dhe Olivier Rosato, një avokat për familjen Beqiraj, do të paraqesë një ankesë kundër X. “Të afërmit duan të bëjnë dritë, sepse diçka është e gabuar në këtë rast”, tha ai.
“Njerëzit këtu janë në një gjendje të brishtësisë psikologjike, dobësi” gjë të cilën Julian Karagueuzian, koordinator i Forumit për Refugjatët, nuk e ka “vërejtur kurrë” në qendra të tjera në Francë. Canet është një “tenxhere me presion”, ku “kushtet e izolimit” dhe stresi “janë më të këqija se ato të Baumettes”, sipas shumë vëzhguesve.
“Këto vende nuk janë bërë për t’i akomoduar njerëzit për aq shumë kohë”, thuhet në një letër drejtuar La Provence, një njeri që mbahej në paraburgim në Marsejë. Kjo është pikërisht ajo që i thanë gazetarëve edhe punonjësit e policisë kufitare të caktuar në CRA, të cilët i takuan dje.
“Situata është shumë e vështirë, pranon kreu i qendrës, komandanti Martine Bonnet. Sulmet verbal, kërcënimet me vdekje ndaj agjentëve janë të përhershme”. “Mungesa serioze e stafit” për të siguruar mirëmbajtjen e salloneve, “gjithashtu iu mohon njerëzve të drejtat e tyre themelore”, dhe i shton tensionet.
Për shkak të mungesës së hapësirës – 40 dhoma janë jashtë funksionit – ish-të dënuarit dhe njerëzit pa dokumente e gjejnë veten të mashtruar dhe në ankth.

Hetimi në Shqipëri

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi dhe këshilltari për Pushtetin Lokal, Ylli Asllani kanë zhvilluar një vizitë ditën e sotme në familjen e Florenc Beqiraj në Shkodër, i cili humbi jetën pasi u dhunua në një burg në Francë. Këshilltarët Tedi Blushi dhe Ylli Asllani i kanë përcjellë familjes Beqiraj ngushëllimet e Presidentit Ilir Meta”.

“Presidenti Meta po bën çmos për të sjellë trupin e Florenc Beqiraj në Shqipëri. Presidenti Meta kontakt të pandërprerë me autoritetet shqiptare dhe franceze. Meta ka kërkuar sqarime të plota për rrethanat që çuan në vdekjen e Florencit”, -ka thënë këshilltari i Metës.

Nga ana tjetër, nëna e Florenc Beqirajt ka falenderuar kreun e shtetit për interesimin e tij për këtë ngjarje.

“Meta i vetmi zyrtar që na ka qëndruar pranë. Meta i vetmi zyrtar që na ka ofruar ndihmë. Veç Presidentit, asnjë institucion nuk na ka ndihmuar”, -ka thënë nëna e tij.