Vdekja e 23-vjeçarit në Francë, deputetja e PD: Faji i qeverisë

Deputetja e PD në Qarkun e Shkodrës, Izmira Ulqinaku kërkon ngritjen e të rinjve në protestë pas vdekjes së 23-vjeçarit shqiptar në një spital në Francë.

E ftuar në studion e ”Report Tv”, Ulqinaku tha se fati tragjik i Florenc Beqirajt është rrjedhojë e keqqeverisjes dhe varfërisë së shqiptarëve të cilët sot shohin si zgjidhje vetëm largimin nga vendi.

“Vdekja e dhimbshme e Florenc Beqirajt është pjesë e asaj që ka bërë Edi Rama në këtë vend, dramën sociale të largimit të të rinjve, të qytetarëve shqiptarë nga vendi. Qeveria nuk u kujtua, ministria e jashtme, ambasada shqiptare asnjë lëvizje. I bëj thirrje të rinjve që të dalin nesër në protestë për Florenc Beqirin dhe çdo të ri që është i detyruar të ndjekë atë rrugë që ndoqi Florenci por që fatkeqësisht iu ndërpre jeta në mes”, tha Ulqinaku.

23-vjeçari Florenc Beqiri u nda nga jeta një ditë më parë në spitalin “Nord” të Marsejës pas një jave në gjendje kome.

I riu shqiptar dyshohet se u dhunua barbarisht në burg, ndërsa fikja e aparaturave nga mjekët francezë, bëri që shuhej përgjithmonë. Nga ana tjetër, familjarët akuzojnë mjekët dhe autoritetet franceze se e vranë 23-vjeçarin./Report Tv/