Muzika është edukim

INTERVISTË

 Me prof. Zef Çobën dhe shoqatën e tij Miqtë e Muzikës  “Rozafa Expression”

Bisedoi: Tonin  Çobani

Mbaj mend nga një intervistë e disa viteve më parë se si prof. Zef Çoba shpjegonte emrin e shoqatës së tij. “Rozafa expression”, ka në themelin e vet legjendën e murimit të Rozafës,- thoshte ai,- çfarë përbën detyrimin qytetar për të ndërtuar vlera të qëndrueshme artistike. Dhe, siç dihet, sa me i fortë të jetë detyrimi artistik, aq me e realizuar është brendia e përmbajtjes artistike, forca shprehëse e artit, ekspresiviteti. Kështu,- e përfundonte shpjegimin prof. Zefi,-  detyrimi qytetar dhe detyrimi artistik, përbëjnë një platformë të qartë nga ku merr jetë i gjithë aktiviteti artistik i shoqatës “Rozafa Expression”.

Pyetje: Po për këtë vit, që po mbyllet, cilat kanë qenë veprimtaritë kryesore të Shoqatës?

Përgjigje: Katër koncerte të Korit dhe solistëve të Shoqatës: (1) Koncert i përbashkët i Korit të Shoqatës me Korin nga Holanda “Utrecht Travel Singers” (në muajin prill); (2) Koncerti  “Viva la Musica”, për ditën Botërore të Muzikës (qershor); (3) “Së bashku për një jetë më të mirë”, Koncert i dhënë në Burgun 325 (tetor) dhe (4) “Të falemi, o Dhe”; Koncerti me rastin e Festave të 28-29 Nëntorit.

Koncertet e zhvilluara në kornizën e vitit të 105-vjetorit të Pavarësisë, transmetuan vlerat e artit e kulturës sonë dhe asaj botërore të muzikës korale, aspirata të rëndësishme të rilindësve tanë, faktorë jetikë për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Gjithashtu, me qenë se ky vit u shpall nga Ministria e Kulturës Viti “Prenk Jakova”, në aktivitetet e zhvilluara iu bë jehonë kontributit të rëndësishëm të këtij kompozitori për muzikën shqiptare.

Pyetje: Ç’mund të na thoni më tepër për koncertin e përbashkët me artistët holandezë dhe dirigjenten e tyre, Ines Leijen ?

Përgjigje: Repertori i Koncertit të përbashkët me Korin holandez përmbante vepra korale të zgjedhura nga autorë të shquar nga vende të ndryshme të botës, si dhe vepra të autorëve tanë. Secili nga grupet korale këndoi pjesët e zgjedhura të drejtuara nga dirigjentët përkatës. Gjithashtu u interpretuan vepra të kënduara nga të dy koret së bashku, dhe të drejtuara nga të dy dirizhorët. Koncerti ishte Homazh edhe për kompozitorin e shquar Prenk Jakova në 100-vjetorin e lindjes. Miqtë e muzikës dhe admiruesit e shumtë që ndoqën me interes këtë koncert, shprehen kënaqësinë dhe mbresat që i la kjo mbrëmje miqësore muzikore, si dhe duartrokitën gjatë artistët debutues. Shoqërimi në piano nga koncert maestër Flonja Prenda, ishte i ekuilibruar e në unitet me tingëllimin e përgjithshëm të korit. Artistët nga Holanda, pjesëmarrës të Korit “Utrecht Travel Singers”, të kënaqur nga rezultati, ftuan Korin “Rozafa Expression” për një koncert të përbashkët në Holandë.

Pyetje: Me sa di unë ju keni ideuar veprimtarinë festive “Viva la Musica”, e cila është e vetmja që zhvillohet prej vitesh në Shqipëri. A mund të na thuash diçka më tepër?

Përgjigje: Festa e parë e Muzikës u zhvillua në Francë (1981) dhe që prej herës së parë, Festa e Muzikës është kthyer në një fenomen ndërkombëtar në të gjithë botën, në të njëjtën ditë, në më shumë se 460 qytete në 110 vende. Njëri prej tyre është qyteti i Shkodrës (Shqipëri) që, realizoi edhe këtë vit koncertin festiv tradicional “Viva la Musica”. Ai u dha në ambientin e hapur të Qendrës së Këndimit Koral “Rozafa Expression”. Repertori përmbante këngë nga muzika jonë popullore (të punuara për kor), si dhe një repertor të pasur me këngë e vepra muzikore të zgjedhura nga vende të ndryshme të botës. I konceptuar si një feste muzikore, koncerti përcolli mesazhe të qarta në vlerësim të trashëgimisë kombëtare e botërore muzikore, në lidhje me rolin pozitiv që lot arti muzikor si eksperiencë e jetës njerëzore. Koncert maester Klevis Gjergji dhe Flonja Prenda, shoqëruan me korrektësi e vlera artistike repertorin e gjerë koral e solistik.  Edhe në këtë aktivitet iu bë jehonë kompozitorit Prenk Jakova. Pjesëmarrja e gjerë e publikut tashmë i njohur me këtë veprimtari, bëri që vlerat e kësaj ngjarje artistike me dimensione të gjera të arrihen plotësisht.

Pyetje: Po të burgosurit si e pritën Rozafa Ekspression? Ata kënduan së bashku me artistët edhe dy këngë të kompozuara prej teje?

Përgjigje: Koncerti si në paraqitje ashtu edhe në përmbajtje, ishte konceptuar si një kartolinë optimiste në respekt të vlerave të jetës.  Eksperienca e të jetuarit me kulturë në shoqëri dhe i modelit personal, që anëtarët artistë të Korit “Rozafa Expression” – i cili përbëhet nga mosha të ndryshme me aktivitet profesional e shoqëror shumë të gjerë, duke filluar nga nxënës të mashave të ndryshme, mësues, specialistë, intelektualë, punonjës etj. – ishte shembulli jetësor më i mirë për të dënuarit, për t’u integruar në një jetë të jetuar me dinjitet e vlera njerëzore. Përveç repertorit të zgjedhur me kujdes nga treva të ndryshme të vendit, u interpretuan edhe këngë të zgjedhura nga vende të ndryshme të botës me vlera edukative argëtuese. Edhe teksti i formuluar në formë bisede prej meje, i vendosur ndërmjet pjesëve, me karakter të thellë edukativ e  sensibilitet njerëzor, pasuroi në mënyrë të dukshme përmbajtjen e veprimtarisë, që u përcjell me shumë vëmendje nga vuajtësit e dënimit. Me emocione të veçanta u kënduan këngët “N’xhamadanin vija-vija”, e cila u këndua nga të gjithë të pranishmit dhe “Nëna”, një nga kompozimet e mia më të fundit me të tekst të poetit Alfred Çapaliku, i cili ishte i pranishëm dhe përshëndeti pjesëmarrësit.

Pyetje: Edhe Koncerti i 105-vjetorit të Pavarësisë ka risitë e veta në krijimtari, apo jo?

Përgjigje: Publiku që kishte mbushur plot sallën, përjetoi me emocion realitetet artistike që artistët e Korit dhe solistët, arritën të përcjellin duke interpretuar me korrektësi e vlera artistike repertorin e larmishëm. Vendin kryesor e zinin këngët korale me përmbajtje të thellë patriotike si: “Atdheut” në poezi të At Gjegj Fishtës dhe muzikë të kompozuar prej meje, varianti i së cilës i punuar për kor ishte premierë, “Të falemi o Dhe” e kompozitorit Rauf Dhomi, “Hymni i Flamurit” me tekst të At Gjergj Fishtës e Muzikë te Lec Kurtit punuar për kor gjithashtu prej meje etj. Po ashtu, u duartrokiten gjatë kënga “Nëna”, kënduar me ngrohtësi nga solistët Miranda Gjinaj (Ndoja), Niki Mjeda dhe kori, kënga “Këndon bylbyli poshtë te zalli” punuar për kor e solist nga kompozitori Tish Daija, si dhe mjaft pjesë të zgjedhura nga vende te ndryshme të botës. Pianisti Klevis Gjergji me lojën e tij me nivel të lartë profesional, i dha vlerë artistike koncertit duke realizuar me cilësi shoqërimin në piano, si dhe duke luajtur pjesë si solist.

Pyetje: Ç’mund të na thoni me pak fjalë për veprimtari të tjera të zhvilluara gjatë vitit 2017 nga Kori “Rozafa Expression”?

Përgjigje: Gjatë vitit 2017 Kori “Rozafa Expression” ka marrë pjesë në Festivalin Koral të Europës Juglindore të Gjakovës (për të tretën herë radhazi), në Festivalin  “TEHO” të Tetovës (për të nëntën herë), si dhe ka qenë i ftuar në veprimtaritë: “Lidhja na bashkon” (Tetovë, qershor 2017); në shugurimin e Katedrales së Tivarit (shtator 2017) , në shugurimin e Katedrales së Prishtinës, duke iu bashkuar korit të kësaj Katedrale (shtator 2017); në Koncertin e Krishtlindjes (16 dhjetor) në Katedralen “Nënë Tereza” të Vaut të Dejës. Në këtë veprimtari tingujve muzikorë të Korit “Rozafa Expression” iu bashkua edhe zëri i ëmbël i aktores së shquar Roza Anagnosti, e cila me poezitë e zgjedhuara, përcolli mesazhe të larta me përmbajtje të thellë sociale, fetare e patriotike.

Ftesë e veçantë për vitin 2017 ka qenë ajo e shfaqjes në Minoritensaal (Graz-Austri, shtator 2017). Koncerti la mbresa të thella tek publiku i zgjedhur, i cili kishte mbushur sallën dhe duartrokiti gjatë. Turneu i Graz-it u organizua nga shoqata  Austria-Albania Partnerschaft-Marianne Graf,  me rastin e 25-vjetorit të aktivitetit të saj. Shoqata  Austria-Albania Partnerschaft-Marianne Graf është partner i shoqatës “Rozafa Expression”  me qendër na Shkodër, sepse i ka krijuar kushtet për të ngritur Qendrën e Këndimit Koral, duke i venë në dispozicion ambientet e nevojshme për të zhvilluar aktivitetin.

Kori “Rozafa Expression” po përgatitet për të marrë pjesë në një koncert që do të zhvillohet me datë 7.01.2018, në Shkup. Ky koncert i konceptuar si një festë muzikore në atmosferën e Vitit të Ri dhe të Krishtlindjes, do të realizohet nga tre kore, njëri prej të cilëve:  Kori “Rozafa Expression”.