Ben Blushi: Votuam kundër SHBA pa asnjë shkak dhe arsye reale. Shtet levantin

Kreu i LIBRA-s Ben Blushi ka reaguar në lidhje me votimin e djeshëm të Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku do të hidhej në votë rezoluta kritike ndaj vendimit të presidentit Donald Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, si dhe zhvendosjes së Ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem.

Përmes një reagimi në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale, Blushi shprehet se asgjë nuk e justifikon votën e djeshme të Shqipërisë në OKB.

“Duke mos qenë as strategjike dhe as parimore vota kundër SHBA i vlen më shumë Turqisë se Shqipërisë dhe kjo është edhe më e rëndë më e shëmtuar dhe shumë më e padrejtë. Ne kemi votuar një rezolutë kundër SHBA pa asnjë shkak real dhe pa asnjë arsye serioze”- thotë Blushi.

Reagimi i plotë i Ben Blushit

PËR VOTIMIN E SHQIPËRISË NË OKB

Asgjë nuk e justifikon votën e djeshme të Shqipērisē nē OKB. As raporti me Evropën, as raporti me SHBA, as raporti me historinë dhe as raporti me të drejtën. Duke mos qenë as strategjike dhe as parimore vota kundër SHBA i vlen më shumë Turqisë se Shqipërisë dhe kjo është edhe më e rëndë më e shëmtuar dhe shumë më e padrejtë. Ne kemi votuar një rezolutë kundër SHBA pa asnjë shkak real dhe pa asnjë arsye serioze. Për të gjithë ata që duan të fshihen pas historisë së votimeve në OKB kam një pyetje. Në fund të fundit për çfarë kemi votuar? Që një vend sovran, në këtë rast SHBA nuk duhet të ketë të drejtë ta zhvendosë ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem. Kush jemi ne që detyrojmë një shtet tjetër, se në cilin vend të një shteti tjetër duhet ta mbajë ambasadën e vet? Kjo që kemi bërë është njëlloj sikur të votonim një rezolutë sipas të cilës SHBA duhet ta mbajnë ambasadën e Kosovës në Beograd. Një shtet levantin, do thoshte Faik Konica.