Përjashtohen 7 deputetë të opozitës dhe një socialist

Katër ditë pas protestës së opozitës brenda dhe jashtë parlamentit ku u hodhën tymues brenda ambienteve të Parlamentit, Byroja e Kuvendit vendosi të përjashtojë me 10 ditë 7 deputetët e opozitës, ndërsa 5 ditë për deputetin socialist Bujar Çela, i cili pati një incident me deputeten e LSI.

Byroja pranoi kërkesën e një grupi deputetësh të grupit parlamentar të PS për të përjashtuar deputetët: Monika Kryemadhi, Endrit Brahimllari, Kejdi Mehmetaj, Ervin Salianji, Endri Hasa, Flamur Noka dhe Bardh Spahia.

Mbledhja nisi me debate, pasi opozita ka kërkuar prezencën e medias, por kjo kërkesë u hodh poshtë nga kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Pjesë nga debati

Hysenaj: Mendoni ju që nëpërmjet akteve dhe hedhjes së objekteve, jeni në përputhje me betimin që thoni

Kryemadhi: Ju zoti Hysenaj nuk e keni kuptuar se cdo të thotë betim, por po jua lexoj edhe njëherë. Betohemi me nderin se do të kryej me ndërgjegje detyrën si deputete e këtij populli në Kuvend. Do të përfaqësoj denjësisht popullin, do ti bindem kushtetutës dhe ligjeve, do të mbroj lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Do të respektoj dhe do të mbroj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të punoj me të gjitha kushtet e mia për përparimin e Atdheut dhe mirëqenien e popullit tim. Përparimi i atdheut dhe mirëqenia e popullit time nuk është droga dhe krimi i organizuar.

Kjo kërkesë lidhet me situatën e krijuar në seancën plenare të datës 18 dhjetor 2017, ku u votua Kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku.

Ndërkaq, të rinjtë e LRI-së janë mbledhur para dyerve të kryesisë së Kuvendit, në shenjë proteste ndaj masave që socalistët kërkojnë për deputetët e LSI-së.